HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kultura dhe shoqëria >  2013-11-18 18:27:50
A+ A- Printo artikullin



Amfiteatri i Durrësit, nën ujërat e zeza



S'më kishte vajtur mendja ndonjëherë që do të shkruaja për këtë ndërtim monument kulture i një rëndësie të veçantë dhe për qytetin ku ndodhet, për vendin tonë, për Ballkanin e pse jo edhe më gjerë për Evropën. Duke u marrë rreth një muaj rresht përditë me zgjidhjen e projektit të miratuar në K.K.R. për vendosjen e një ndriçimi natën, të Shkallares Amfiteatrit, Galerive nëntokësore dhe shkallëve që lidhin këto galeri dhe duke e vrojtuar përditë nuk mundesha të rrija pa hedhur këto rreshta.
Së pari, Amfiteatri i Durrësit, i zbuluar nga arkeologu Vangjel Toçi, (sipas fjalëve, mbasi u zhduk një pemë e madhe fiku disa vjeçare komplet në oborrin e një banese në vitin 1966) , është një ndërtim antik inxhinierik mjaft interesant në zgjidhjen e tij konstruktive dhe me dimensione të mëdha , që futet në listën e Amfiteatrove të mëdhenj antik të botës. Ai ka formën e një elipsi me dimensionin e aksit të madh 132.4 m dhe të voglit 113.2m me arenë në qendër me dimensione 61.4m X 42.2m .Gjithsej mendohet se zinte 18.000 spektatorë. Në skenën, arenën e tij, që mendohet se është rreth 5 deri 6m me poshtë , janë dhënë spektakle të ndryshme nëpërmjet ndeshjeve të bërë mes Gladiatorëve dhe po ashtu ndeshje me kafshë të egra të uritura. Ai është një thesar i pa zbuluar, por me një rëndësi të thellë e të gjerë, kompleks për vendin tonë. Fig 1,2

Gjatë periudhës një mujore që çdo ditë ishim në objekt pashë dhe konkludova se kishte mjaft vizitorë vendas, shqiptarë të shteteve fqinjë dhe mjaft të huaj që shoqëroheshin nga ciceronë në përfitimin e të dhënave historike mbi dhe paguanin tarifën 3.00 lek të reja për person.
Nuk e di ç'bën shteti me ato lekë por duke vrojtuar me kujdes Amfiteatrin nuk mundem të ri pa përmendur përkujdesjen që tregohej për të , për mirëmbajtjen e thjeshtë të tij , flas jo për ndërhyrje në drejtim të gërmimeve, përforcimeve dhe restaurimit të monumentit, por për mirëmbajtje të thjeshtë .
Teatri ka një biletari prej dërrase që len shumë për të dëshiruar. Më mirë të themi një barake dërrasash e një roje ndërmarrjeje ndërtimi të monizmit, mbulesa e galerive me plastmas të çarë në gjendje të vajtueshme që rrjedhin kudo, konstruksioni metalik dhe mbulesa e Kapelës së kishës që krenohemi për mozaikun pariental me rakorderi tubash uji që në kohën e monizmit, 90% e parmakëve metalike të ndryshkur, shkallë dërrase në gjendje jashtëzakonisht të amortizuar.

Por ajo që më çuditi dhe më bëri të shkruaj këto rreshta është se përjetova disa ditë shi gjatë periudhës që punoja. Ujërat e larta të shiut mblidheshin dhe pikonin në galerinë e mesit,në biletari dhe kudo por ajo që ishte edhe me e pa besueshme dhe e pa pranueshme ishte rrjedhja e ujërave të zeza nga galeria e sipërme nëpërmjet dy shkalleve deri në galerinë e poshtme ku nëpërmjet saj filtroheshin.

Katër ditë në mënyrë të vazhdueshme ujërat e zeza në sasi të konsiderueshme bënin punën e tyre shkatërronin këtë vepër unikale inxhinierike dhe vizitoret e shkretë vazhdonin të vinin e të kalonin nëpërmjet këtyre ujërave të zeza. Bisedova me një specialist të vjetër dhe me tha që kanalet e ujërave të zeza që përqafojnë nga jashtë Amfiteatrin janë zënë pjesërisht prej vitesh, nuk e tërheqin të gjithë sasinë që shtohet edhe në kohen kur bie shi dhe ujërat nëpërmjet tubave të çara filtrojnë dhe kalojnë në galerinë e sipërme të Amfiteatrit. Kemi lajmëruar disa herë ujësjellës-kanalizimet, por kur vinë këtu thonë ama punë shteti dhe ikin. Të lind menjëherë në vetvete pyetja: Këta pushtetarë të qytetit të Durrësit kaq të paaftë janë?-mirë që për 23 vjet ndërtuan në rrethin e Durrësit me mijëra apartamente rreth e përqark amfiteatrit disa shumëkatëshe por asnjëri nuk bëri një biznes të pastër dhe as i shkoi në mendje për të hequr katër banesa nga sipërfaqja e tij, për ta çliruar atë, por as drejtorinë e ujësjellës-kanalizimeve nuk e urdhërojnë që të sistemohet siç duhet kanali që përqafon në pjesën e sipërme Amfiteatrin dhe të mos rrjedhin ujërat e zeza prej disa vitesh në monument..Po Ministria, Instituti, Drejtoria Rajonale nuk janë në gjendje ta zgjidhin ketë skandal. Shikoni si zbresin në shkallet e galerive vizitoret që janë edhe mbi 70 vjeç: A nuk mundet të vendoset një korimano udhëzuese për t'u mbajtur konform gjithë rregullave .

300 lekë për çdo visitor merren çdo ditë, ku shkojnë këto lekë, ka pasur një ligj që parat që fitohen nga përdorimi i monumentit përdoren për të, kështu u veprua në Apolloni para 10 vjetësh ku me 400 000 leke të fituara u be shpimi i pusit të ujit 95m thelle dhe u kryen dy rrufe- pritësa në monumentin e Shtyllasit dhe në këmbanoren e Apollonisë. Pse nuk veprohet kështu në Amfiteatër por justifikohen me atë që s'ka para?
Unë mendoj se janë plotësisht mundësitë që të merren masa mirëmbajtjeje sa më shpejt për këtë monument inxhinjerik që kalon caqet e vendit dhe Ballkanit. Ai nuk duhet të lihet jetim, siç është lenë.
Jam i mendimit që Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve, D.R.K.K. dhe bashkia e Durrësit duhet të rakordojnë urgjentisht për shpëtimin e veprës inxhinjerike antike me famë botërore nga ujërat e zeza dhe të hartohet në planet e ardhshme ndërhyrje emergjente për sistemimin e pranueshëm të vizitueshmërisë në monument.
Gjatë 30 ditëve duke u përkujdesur për veprën inxhinjerike në drejtim të detyres që kishim duke ruajtur , mos prekur autenticitetin e monumentit, në arritëm nëpërmjet një projekti të miratuar të bëjmë realizimin e ndriçimit të saj. Projekti i ndriçimit profesional në Amfiteatrin e Durrësit u mundësua nga A.L.B. telekom dhe Eagle Mobile. Me iniciativën të Zonjës së Parë Odeta Nishani.

U krye ndriçimi i shkallareve të Amfiteatrit dhe galerisë së madhe nëpërmjet projektorëve. U realizua dhe ndriçimi i tre galerive horizontale nëpërmjet ndriçimit me llampa LED. Po kështu u realizua me Spotë ndriçimi i tre shkallëve që lidhnin galeritë. Ky ndriçim solli që ky monument të bëhet i vizitueshëm, të vlerësohet shumë mirë zgjidhja e tij arkitektonike konstruktive e veçantë edhe në orët e mbrëmjes .Duke përfunduar falënderoj të gjithe njerëzit që u përkujdesën për t'u realizuar ky ndriçim modest i monumentit, i cili bëri një rivlerësim të veprës antike inxhinjerike edhe në mbrëmje.

*Ing.restaurator Genci SAMIMI

(er.nu/Milosao/BalkanWeb)




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama