HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-11-19 12:17:07
A+ A- Printo artikullin



Papa: Zoti na mësoftë të respektojmë gjyshërit. Në kujtesën e tyre është e ardhmja e një populli



Një popull, që nuk respekton gjyshërit, është pa kujtesë, prandaj, pa të ardhme. Këto qenë fjalët e Papës Françesku në homelinë e meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë komentoi faqen biblike, që flet për Eleazarin e moshuar, i cili zgjodhi vdekjen me martirizim, në vend që të pranonte ndihmën e miqve për të ikur. Nuk deshi ta tradhtonte Zotin e deshi t’u dëshmonte të rinjve se nuk mund të jetohet në hipokrizi. Para dy rrugëve, njëra – mohimi i Hyjit e, tjetra – martirizimi, Eleazari zgjodhi të dytën, duke i qëndruar besnik fesë së vet e duke refuzuar mëshirën e rreme të miqve, që e shtynin drejt gënjeshtrës:
“Koherenca e këtij njeriu, koherenca e fesë së tij, por edhe përgjegjësia për të lënë një trashëgimi të fisme, një trashëgimi të vërtetë. Ne jetojmë një një kohë kur të moshuarit nuk vlerësohen aspak. Është fjalë e shëmtuar, por shpesh ata hidhen në pleh. Sepse bezdisin. Të moshuarit janë ata, që mbartin mbi supe historinë, doktrinën, fenë e na e lënë trashëgim. Janë ata që, si vera e vjetër, kanë brenda forcën për të na lënë një trashëgimi të fisme”.
E këtu, Papa Françesku kujtoi një histori nga fëmijëria e tij. Protagoniste është familja – një nënë, një baba e shumë fëmijë – por edhe gjyshi, i cili ndotej gjithnjë me supë, kur hanin bashkë në tryezë. I bezdisur nga kjo, babai i familjes i blen një tryezë të veçantë, ku e izolon prindin e vet. Një ditë, kthehet në shtëpi dhe sheh të birin, që luante me një copë dru. “Çfarë po bën?” – e pyeti. “Një tryezë” – iu përgjigj djali. “Pse?”. “Për ty baba, kur të bëhesh plak si gjyshi”:
“Kjo histori më ka bërë shumë mirë, gjithë jetën. Gjyshërit janë thesar i vërtetë. Letra drejtuar Hebrejve, në kapitullin XIII, thotë: ‘Mos i harroni eprorët tuaj, të cilët e shpallën Fjalën e Hyjit: vëreni mbarimin e jetës së tyre e ndiqni fenë e tyre’. Kujtimi i paraardhësve sjell imitimin e fesë së tyre. Është e vërtetë se pleqëria është e keqe nganjëherë… Për sëmundjet e gjithçka tjetër, por urtia e gjyshërve është trashëgimia jonë. Një popull, që nuk kujdeset për gjyshërit, një popull që nuk i respekton, nuk ka të ardhme, sepse nuk ka kujtesë, e ka humbur atë”.
Duhet të mendojmë, vazhdoi Papa Françesku, për sa e sa të moshuar, që janë në azilet e pleqve e sa e sa të tjerë, të braktisur nga të vetët. Por ata janë thesari i shoqërisë, nguli këmbë Ati i Shenjtë:
“Të lutemi për gjyshërit, për gjyshet, që shpesh kanë pasur një rol heroik në transmetimin e fesë, në kohë persekutimi. Kur babai e nëna nuk ishin në shtëpi, kur kishin ide pak si të çuditshme, që u mësonte politika e kohës, qenë gjyshet ato, që e transmetuan fenë. Urdhërimi i katërt(‘ndero prindërit, nëse do të jetosh shumë mbi dhe’, sh.r): i vetmi, që premton diçka si këmbim. Është urdhërimi i mëshirës. Të jemi të mëshirshëm me paraardhësit. T’u lutemi sot shenjtorëve të moshuar – Simeonit, Anës, Polikarpit dhe Eleazarit – e shumë të tjerëve: t’u kërkojmë hirin për t’u kujdesur, për t’i dëgjuar e për t’i nderuar paraardhësit tanë, gjyshërit”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama