HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Bamirësi dhe solidaritet >  2013-11-20 15:30:08
A+ A- Printo artikullin



Një grup xhihadist libanez merr përsipër atentatin në Beirut



Atentati i djeshëm kundër ambasadës iraniane në Beirut, ku mbeten 23 të vrarë, është organizuar nga një grup xhihadist libanez që ka lidhje me Al Kaedën dhe quhet ”Brigadat e Abdullah Azamit. Atentati, që përveç të vdekurve la edhe 146 të plagosur, është organizuar për shkak të përfshirjes libaneze në luftën civile që po rrënon Sirinë. Bashkësia ndërkombëtare e dënon njëzëri këtë masakër.
Bejruti duket së është kthyer në vitet e tmerrshme të luftës civile. Pallatet u shqyen nga shpërthimet, rrugët u mbushën me trupa pa jetë e shumë makina u ndezën flakë. Sulmi i dy atentatorëve kundër selisë diplomatike iraniane ishte i fuqishëm. Janë përdorur të paktën 100 kile tritol. Të paktën gjashtë ndërtesa janë dëmtuar rëndë. Atentati u krye në një kohë kur në Sirinë e afërt forcat qeveritare, me mbështetjen e Teheranit dhe të ushtarakëve të Hezbollahut, i kanë shumëfishuar mësymjet kundër kryengritësve. Ishte e lehtë të merreshin me mend organizatorët, aq më tepër nëse mbajmë parasysh se reagimi i parë erdhi nga televizioni shtetëror i Damaskut, që menjëherë tregoi me gisht Arabinë Saudite dhe Katarin. Kryeministri libanez Maxhib Mikati u ka bërë thirrje për qetësi të gjitha forcave në vend, atyre pro dhe kundër Damaskut, dhe ka pohuar se ndonjë fuqi e huaj ka dashur të “përdorë Vendin e Cedrave si kuti poste” për të dërguar një mesazh. Ky mesazh e ka zhytur edhe një herë Libanin në terror dhe ka provokuar reagimin e egër të bashkësisë ndërkombëtare, që e ka dënuar njëzëri këtë ngjarje.
Radio Vatikani ka kontaktuar Patriarkun e Antiokisë së Maronitëve, Kardinalin Béchara Boutros Rai, i cili dënoi këtë gjest të përgjakshëm dhe bëri një analizë të gjendjes në rajon:
E dimë se konteksti është gjithnjë ai i luftës në Siri, ku shtetet sunite luftojnë kundër shteteve shiite nëpërmjet sirianëve, mercenarëve dhe grupeve fundamentaliste. Pastaj gjendemi brenda kontekstit të konfliktit të bujshëm e të madh ndërmjet sunitëve dhe shiitëve në botën arabe mesdhetare, konflikt që mbart edhe përfshirje ndërkombëtare. Pra në luftën e Sirisë marrin pjesë të dyja palët.
Cila është rrugëdalja, nëse mbajmë parasysh se bashkësia ndërkombëtare po lëviz në rrafshin diplomatik?
Bëjmë thirrje që Konferenca e paqes “Gjeneva 2” të mund të sjellë ndonjë të mirë. Bashkohemi me zërin e Atit të Shenjtë, që bën thirrje për të gjetur një zgjidhje paqësore në Siri e Irak e mbi të gjitha për të gjetur një zgjidhje për mirëkuptimin ndërmjet sunitëve e shiitëve, sepse kjo është rrënja e të gjitha problemeve, përveç konfliktit izraelo -palestinez. Nëpërmjet Radio Vatikanit shprehim dënimin tonë, por edhe shpresën, duke iu drejtuar bashkësisë ndërkombëtare me thirrjen për t’i dhënë fund vdekjeve të përditshme të shumë njerëzve të varfër: janë viktima të pafajshme. Duhet të mbizotërojnë zgjidhjet diplomatike.
Kur këto gjëra ndodhin në Liban, çështja bëhet edhe më e dhimbshme, sepse ky vend është fshikulluar për vite të tëra nga lufta e përgjakshme civile…
Fatkeqësisht Libani paguan për të gjithë. Paguan rrjedhojat e konfliktit të pafundmë izraelo-palestinez, paguan konfliktin e madh rajonal, që është bërë tashmë ndërkombëtar, ndërmjet shiitëve e sunitëve, paguan rrjedhojat e luftës në Siri. Libani është i përçarë nga pikëpamja politike: është i bllokuar. Ka gjashtë muaj që nuk mund të formohet një qeveri. Kemi një milion e gjysmë refugjatë palestinezë. Libani i shkretë, që është si derë e hapur për të gjithë, për mirëkuptimin dhe harmoninë, po paguan për konfliktet e të gjithë të tjerëve. Edhe për këtë kërkojmë ndërmjetësimin e vendeve mike, veçanërisht atë të selisë së Shenjtë, për ta shpëtuar këtë vend, të cilin të gjithë arabët e shohin si domosdoshmëri, si një lloj mushkërie. Por, pavarësisht nga ky fakt, tani është duke vuajtur pasoja të rënda.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama