HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-11-20 15:29:06
A+ A- Printo artikullin



Papa falënderon bashkësitë klaustrale: nesër, vizita në Manastirin e Benediktineve Kamaldoleze të Aventinit



Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa kujtoi se nesër, 21 nëntor, në kujtimin liturgjik të Paraqitjes së Zojës në Tempull, Kisha kremton Ditën pro Orantibus, kushtuar kujtimit të bashkësive rregulltare të klauzurës. Është rast i përshtatshëm, theksoi Papa. Na nxit ta falënderojmë Zotin për dhuratën e njerëzve që, në manastire e vetmitore, i kushtohen plotësisht Zotit në lutje, në heshtje aktive, e edhe për dëshminë e tyre. Të mos harrojmë t’u japim gjithë ndihmën tonë shpirtërore e materiale, që të mund ta kryejnë me sukses këtë mision kaq të rëndësishëm.

Me rastin e kësaj Dite e në Vitin e Fesë, që tashmë i afrohet me shpejtësi fundit, Papa do të shkojë për vizitë në manastirin e Shën Andout Abat, mbi kodrën e famshme romake të Aventinit, ku jetojnë në lutje, murgeshat Benediktine kamaldoleze. Papën do ta presë Abatesha, motër Mikela Porcellato. Më pas do të hyjë në Kishë, ku do të takohet me 21 murgeshat e bashkësisë. Do të gjunjëzohet në lutje me murgeshat e do të këndojë, me ta, lutjet mbrëmësore, sipas rregullës kamaldoleze. Në përfundim të lutjes, Ati i Shenjtë do të ndalet, vetëm, në gjirin e bashkësisë, për një bisedim privat. Një përkim i lum: më 21 nëntor është përvjetori i hyrjes së motrës Nazarena Crotta në këtë manastir. E mbyllur në klauzurë më 21 nëntor 1945, ia kushtoi gjithë jetën lutjes e pendesës. Ushqehej vetëm me bukë e ujë. Flinte mbi një arkë, në një qeli, ku e vetmja stoli ishte Kryqi. Kështu jetoi e prej këtu u nis të takonte Jezusin, në këmbët e të cilit u lut gjithë jetën për mbarë njerëzimin. Shkoi, po dëshmia mbeti ndërmjet mureve të heshtura, e gjallë dhe e fuqishme, për të na kujtuar lutjet e heshtura të murgeshave të klauzurës në qelitë e mbyllura, për fat të keq, nganjëherë të harruara bote.
Murgeshat do t’i dorëzojnë Atit të Shenjtë Letrat e motër Nazarenës, shkruar për atin e saj shpirtëror, përplot me aromën e fesë së vërtetë, që ushqeu shpirtin e kësaj gruaje të shkrirë gjithë jetën në lutje drejtuar Jezusit për Kishën e për ne të gjithë. Rikthimi i Papës në Vatikan parashikohet rreth orës 18.00.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama