HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-11-20 16:35:45
A+ A- Printo artikullin



Papa në audiencën e përgjithshme: Zoti e fal mëkatarin e penduar, Kisha është shërbëtore e misionit të mëshirës



Zoti nuk lodhet kurrë duke falur; përmes misionit të meshtarit të shtrëngon ndër krahë me një përqafim, që të rilind e të ndihmon të ngrihesh përsëri në këmbë. Të rifillosh ecjen, pas rrëzimit. Këtë theksoi me forcë Papa Françesku gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. Katekizmi ishte vijim i atij të së mërkurës së kaluar, kushtuar faljes së mëkateve.

Shpirti Shenjt është burim paqeje, gëzimi. Nga Ai gurron falja e mëkateve. Plagët e Jezusit, kujtoi Papa, janë haraçi, që paguan Zoti, për shëlbimin tonë, për të na ndihmuar të rilindim në një jetë të re, larg mëkatit.
“Shpirti Shenjt na sjell faljen e Hyjit, duke kaluar përmes plagëve të Jezusit. Plagëve, që Ai deshi t’i ruante. Edhe në këtë çast, në qiell, ai ia tregon Atit plagët, përmes të cilave na shfajsoi, na shëlboi. Mëkatet tona falen pikërisht për virtyt të forcës së këtyre plagëve”.
Jezusi u jep Apostujve forcën t’i falin mëkatet. Kishës, shtoi Papa Françesku, iu la në dorëzim pushteti i çelësave, simbol biblik i misionit të ngarkuar nga Jezusi:
Zoti e fal çdo njeri, me mëshirën e tij sovrane, por Ai vetë deshi që ata, të cilët i përkasin Krishtit e Kishës së Tij, ta fitonin faljen me anën e meshtarëve, që i shërbejnë Bashkësisë”.
Përmes misionit apostolik, i krishteri provon mëshirën e Zotit dhe faljen e fajeve. Kisha, shenjte, por njëkohësisht nevojtare për pendesë, shpjegoi Papa, na shoqëron në kthesën tonë të vazhdueshme, gjatë gjithë udhës së jetës:
Kisha nuk është pronare e pushtetit të çelësave: nuk është pronare, por shërbëtore e misionit të mëshirës e ngazëllen, sa herë që mund ta japë këtë dhanti hyjnore”.
Por sot ka shumë njerëz, që nuk arrijnë ta kuptojnë përmasën kishtare të faljes, sepse në botën, ku jetojmë, sundon individualizmi, subjektivizmi. Njerëzit duan të jenë zotër të vetvetes e të botës, ku jetojnë. E edhe të krishterët nuk shpëtojnë nga ndikimi i kësaj mendësie:
Zoti e fal çdo mëkatar të penduar, personalisht, por i krishteri lidhet me Krishtin, e Krishti me Kishën. E ne, të krishterët, kemi një dhuratë më shumë, por edhe një detyrë më shumë: të kalojmë përvuajtërisht përmes misionit kishtar”.
I krishteri nuk duhet të lodhet kurrë duke kërkuar falje. Sakramenti i Rrëfimit është çasti, që na siguron se Zoti na fal:
“Zoti më fal e unë jam krejt i sigurt për këtë në çastin, kur rrëfehem. Jam i sigurt se Zoti më fali. E kjo është mrekullisht e bukur! Sepse na siguron për atë, që e themi gjithnjë: Zoti fal! Nuk lodhet duke falur! E as ne nuk duhet të lodhemi duke shkuar për ta kërkuar këtë falje”.
Ndoshta turpërohemi, kur nisemi drejt rrëfyestores, por kjo ndjenjë nuk duhet të bëhet pengesë e të na largojë nga ai vend, ku pajtohemi me Zotin:
Nënat tona e gjyshet tona na thoshin gjithnjë se është më mirë të skuqesh flakë një herë, sesa të zverdhesh njëmijë herë, apo jo? E ti skuqesh një herë, të falen mëkatet e shkon përpara, me shpirtin e lehtë të njeriut pa njollë”.
Meshtari është mjeti i faljes së mëkateve, njeri që, si ne, ka nevojë për mëshirë. Është mjet i mëshirës, duke dhuruar dashurinë e Hyjit Atë. Të gjithë, tha Papa, jemi mëkatarë:
Edhe meshtarët duhet të rrëfehen, e edhe ipeshkvijtë: jemi mëkatarë të gjithë. Edhe Papa rrëfehet një herë në pesëmbëdhjetë ditë, sepse edhe Papa është mëkatar! E rrëfyesi i dëgjon gjërat që i them, më këshillon e më fal, sepse të gjithë kemi nevojë për këtë ndjesë”.
Ndokush, kujtoi më pas Papa, mund të mendojë se është më mirë të rrëfehesh drejtpërdrejt me Zotin...:
Po, Zoti të dëgjon gjithnjë, por në Sakramentin e Rrëfimit të çon edhe një vëlla, për të të dhuruar faljen, sigurinë se je i falur, në emër të Kishës”.
Shërbimi, që kryen meshtari, si i ngarkuar nga Zoti për të falur mëkatet, është tejet delikat...:
“... e kërkon që zemra e tij të jetë në paqe; që meshtari ta ketë zemrën në paqe, të mos i keqtrajtojë besimtarët, por të jetë i butë, i mëshirshëm; të dijë të mbjellë shpresë ndër zemra e, mbi të gjitha, të jetë i vetëdijshëm se vëllai a motra, gjunjëzuar për të marrë Sakramentin e Pajtimit, kërkon falje dhe e bën këtë, ashtu si bënin njerëzit, kur i luteshin Jezusit t’i shëronte”.
Më pas Ati i Shenjtë vijoi të shpjegonte:
“Meshtari, që nuk e ka këtë gjendje shpirtërore, është e mira që, pa u ndrequr, të mos e mbarështojë këtë sakrament. Besimtarët pendestarë kanë detyrë? Jo, kanë të drejtë. Ne kemi të drejtë, të gjithë besimtarët, që të gjejmë në meshtarët, shërbëtorë të faljes së Zotit”.
Papa Françesku, në përfundim, u drejtoi disa pyetje themelore zemrave të krishtera:
“Të dashur vëllezër, si gjymtyrë të gjalla të Kishës, po ju pyes: a jemi të vetëdijshëm për bukurinë e kësaj dhurate, që na e jep Zoti vetë? A e ndjejmë gëzimin e këtij mjekimi, të kësaj vëmendjeje amtare, që ka Kisha për ne? A dimë ta vlerësojmë me thjeshtësi?”.
Zoti, tha në përfundim Papa, nuk lodhet kurrë duke falur. Zoti na fal, kur pendohemi e bëjmë kthesën, që të çon drejt Tij!





Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama