HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-11-21 16:25:41
A+ A- Printo artikullin



Murgeshat kamaldoleze



Murgeshat kamaldoleze ndjekin Rregullën e Shën Benediktit, por kanë Kushtetuta të tyre, që bazohen në Traditën e Kamaldolit, themeluar nga Shën Romualdi, benedektin dhe eremit, në vitin 1027. Ato jetojnë në kuvende “sui juris”, që varen nga ipeshkvi dioqezan, sipas së drejtës së zakonshme (shih kan.615), ose nga Eprori i Përgjithshëm i Kongregatës Kamaldoleze të Urdhërit të Shën Benediktit, nëse bëjnë pjesë në të, sipas kushteve të përcaktuara nga Kushtetutat.
Në kuvend, çdo murgeshë, në bashkim dashurie me simotrat dhe e udhëhequr nga bindja ndaj Rregullës dhe frymës së Traditës Kamaldoleze, e realizon thirrjen e saj me një jetë, që karakterizohet nga thjeshtësia, vetmia dhe vëllazërimi.
Elementi që e dallon Traditën Kamaldoleze është uniteti i familjes murgare në pasurinë e saj të trifishtë: çenobi, pra jeta e përbashkët – vetmia – evangelium paganorum (shpallja e Ungjillit).

Origjina e monakizmit femëror kamaldolez
Murgeshat kamaldoleze përbëjne një faqe të bukur në historinë e Kongregatës Kamaldoleze. Që në hapat e para të Kongregatës, Shën Romualdi – ati i rreptë i eremitëve – pati ndjekës jo vetëm mes meshkujve, por edhe mes femrave. Plot me zell apostolik, Shën Romualdi pati si qëllim të vetëm t’i fitonte shpirtrat për Krishtin, me fjalën dhe shembullin e vet. Ai nuk u tërhoq nga shoqëria për të ikur prej saj, por për qëllime më fisnike e më të larta, siç dëshmon vepra e tij aktive dhe e frytshme.
Shën Pier Damiani, në biografinë e tij për shenjtorin, shkruan se kur shën Romualdi vendosi të ndërtojë një kuvend për murgesha “ancillarum Dei” në një vend të quajtur Valbuona, hasi shumë kundërshtime nga disa prej dishepujve të vet, ndërsa të tjerëve u pëlqente plani. Kur kundërshtarët shkuan para Shën Romualdit për t’i paraqitur arsyet e tyre, djalli, protagonisti i kundërshtive dhe armik i atij plani, filloi të përpëlitej e të bërtiste. Kur murgjërit po ktheheshin në qelat e tyre, filloi një erë e furishme e një stuhi e madhe, të cilën, njëri prej murgjërve e ndaloi menjëherë me shenjën e kryqit. E gjithë kjo duhet të ketë ndodhur në vitin 1023, por edhe para kësaj ngjarjeje, Shën Romualdi kishte themeluar, ndoshta në vitin 1006, një kuvend murgeshash. I Lumi Rudolf, epror i Kamaldolit, deshi ta imitonte mësuesin e tij në këtë dhe u impenjua për t’i udhëhequr në udhën e shenjtërisë gratë e kohës së vet.
Ati kamaldolez, don Parisio Ciampelli, vëren se dy kuvendet e sipërpërmendura, megjithëse i përkasin Kongregatës Kamaldoleze, për faktin se janë themeluar para ekzistencës së një rregulle të shkruar për eremitët, nuk mund të quhen mirëfilli të tillë, ashtu si shumë të tjerë, të reformuar nga Shën Romualdi, ndër të cilët kuvendi i lashtë i Bagno-s në Romanjë të Italisë, ku jetoi dhe vdiq shenjtërisht e Lumja Gjovana. Në të kaluarën, një numër kuvendesh kamaldolezë ishin të ndarë më dysh, një pjesë u rezervohej murgeshave e tjetra, murgjërve. Në krye të tyre mund të ishte një abateshë, ose një epror mashkull.

Shërbimet
Forma më tradicionale e pranisë së murgjërve dhe murgeshave në botë është “mikpritja”, që sipas Rregullës, duhet jo vetëm të sigurojë strehimin dhe ushqimin për ata, që vizitojnë bashkësinë, por edhe kujdesin për shpirtin e vizitorëve, në bashkimin e dashurisë e në takimin me Fjalën e Zotit.
Në kuvendin e Shën Andout abat në Romë, ndodhet një mensë për të varfërit, e hapur nga e hëna deri të shtunën, nga ora 13.30 deri më 14.30.
Praktikimi i vërtetë i varfërisë ungjillore në nivelin individual dhe komunitar është, në kohën tonë, një nga dëshmitë më të frytshme, që pret bota nga ndjekësit e Krishtit. Për të qenë në harmoni me këto kërkesa të kumtimit të Ungjillit, nxitur nga Shpirti Shenjt, me forcë të re në zemër të Kishës e të gjithë njerëzve, bashkësitë murgare, në përkim me impenjimin për të kërkuar Zotin e për t’u dhënë shpresë të krishterëve, duhet të mos kenë e as të mos grumbullojnë pasuri e kapitale të panevojshme për nevojat e tyre të vërteta.
Në kapitullin 33 të Rregullës sqarohet mirë lloji i marrëdhënieve që çdo murg ka me pasurinë, duke nënvizuar se gjithçka duhet të jetë e përbashkët, si në kohën e krishterimit të parë: “Në bashkësinë e besimtarëve mbretëronte një përkim i plotë. Askush nuk e quante të vetën çkado që kishte, por ndër ta gjithçka ishte e përbashkët” (Vap 4,32). Ja pra, që varfëria bëhet shërbim pa interes: kur nuk e zotëron me egoizëm diçka ke më shumë mundësi ta rivlerësosh vetë objektin, të falenderosh për dhuratat e marra nga të tjerët, nga ç’ofron bashkësia, duke lejuar kështu shkëmbimin e vërtetë – “rrethin e dhuratave” ndërmjet njerëzve. Vënia e pasurisë në bashkim me të tjerët është vepër bamirësie e vërtetë ndërmjet njerëzve.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama