HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-11-21 15:55:28
A+ A- Printo artikullin



Papa me Patriarkët e Kishave Lindore Katolike: jepini përparësi bashkëpunimit dhe kolegjialitetit



Sot paradite Papa takoi në Vatikan Patriarkët e Kishave Lindore Katolike dhe Arqipeshkvinjtë e Lartë. Në fillim Papa iu trejtua të pranishmëve me këto fjalë: “Ju pres me gëzim e frymë vëllazërore në këtë takim, në të cilin për herë të parë kam rastin të rri me Etërit dhe Kryetarët e Kishave Lindore Katolike. Përmes fytyrave tuaja shoh Kishat tuaja dhe dëshiroj, para së gjithash, t’ju siguroj për afërsinë dhe lutjet e mia për grigjën që Zoti Jezus i ka besuar secilit prej jush. Thërras në ndihmë Shpirtin e Shenjtë, që të na tregojë gjithçka duhet të mësojmë e të zbatojmë së bashku, për t’i shërbyer besnikërisht Zotit, Kishës së tij dhe mbarë njerëzimit”.
“Kjo mbledhje më jep mundësinë të shpreh vlerësimin e lartë për pasurinë shpirtërore të Lindjes së krishterë dhe më sjell ndër mend çfarë ka thënë fort i dashuri Benedikti XVI rreth figurës së Kryetarit të një Kishe, në Thirrjen post-sinodale Kisha në Lindjen e Mesme: ju jeni – thoshte Benedikti – ‘rojtarët syçelë të bashkësisë dhe shërbëtorët e bashkimit kishtar” (n.40). Ky bashkim, që jeni të thirrur të realizoni në Kishat tuaja, duke iu përgjigjur dhuratës së Shpirtit të Shenjtë, shprehet në mënyrë të natyrshme dhe të plotë në ‘bashkimin e pamungueshëm me Ipeshkvin e Romës’ (po aty), i cili është i themeluar në bashkësinë kishtare, që keni marrë kur jeni zgjedhur. Përfshirja në bashkësinë e tërë Trupit të Krishtit na bën të vetëdijshëm se kemi për detyrë të përforcojmë bashkimin dhe solidaritetin në gjirin e sinodeve të ndryshme patriarkale, “duke privilegjuar gjithnjë bashkërendimin mbi çështje, që kanë rëndësi të madhe për Kishën, në perspektivën e veprimit kolegjial e përbashkues”.
Pastaj Papa Françesku shtoi: “Që dëshmia jonë të jetë e besueshme, jemi të thirrur të kërkojmë gjithmonë ‘drejtësinë, përshpirtërinë, fenë, dashurinë, durimin dhe butësinë’ (po aty.; shih 1Tm 6,11); jemi të thirrur të jetojmë me thjeshtësi, sipas shembullit të Krishtit, që është varfëruar për të na bërë të pasur me varfërinë e tij (shih 2Kor 8,9): jemi të thirrur të jemi të zellshëm e të palodhur dhe të ushtrojmë dashurinë vëllazërore e atërore, që presin prej nesh ipeshkvinjtë, meshtarët e besimtarët, veçanërisht nëse janë të vetmuar e të mënjanuar. Kam në mendje, mbi të gjitha, meshtarët tanë, që kanë nevojë për mirëkuptim e mbështetje edhe personale. Ata kanë të drejtë të marrin prej nesh shembullin e mirë për gjërat që kanë të bëjnë më Hyjin, sikurse edhe në çdo veprimtari tjetër kishtare. Na kërkojnë të mos fshehim asgjë në administrimin e të mirave e të jemi të kujdesshëm ndaj çdo dobësie dhe nevoje. “
Papa përfundoi duke thënë: “Me ndihmën e Hyjit dhe të Nënës së Tij të Shenjtë, e dimë se është e mundur t’i përgjigjemi kësaj thirrjeje. Ju kërkoj të luteni për mua. Dhe tani mund të dëgjoj me vëmendje atë që doni të më komunikoni dhe ju shpreh që tani mirënjohjen time.”




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama