HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-11-21 17:19:31
A+ A- Printo artikullin



Shën Andou Abat



Jeta e shën Andout Abat njihet sidomos përmes librit “Vita Antonii”, publikuar në vitin 357, vepër hagjiografike, që i atribuohet Athanasit, ipeshkvit të Aleksandrisë, i cili e njohu Andoun dhe e ndihmoi në luftën kundër arianizmit. Vepra, e përkthyer në gjuhë të ndryshme, u bë popullore sa në Lindje, aq edhe në Perëndim, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në afirmimin e idealeve të jetës murgare. Tradita, natyrisht legjendare, e bën Andoun hero të një beteje kundër djallit. Disa episode legjendare nga jeta e tij u përdorën në tregimet mesjetare të jetës së shenjtorëve, ku shquhet libri i famshëm “Legenda Aurea” e Jacopo-s nga Varagine.
Shën Andou u lind në Koma të Egjiptit (Kumansi i sotëm) rreth vitit 251, bir bujqish të pasur të krishterë. Mbeti jetim para se të mbushte moshën 20 vjeçare, me një pasuri mjaft të madhe për të administruar e me një motër të vogël për t’u kujdesur.Ndjeu shpejt se duhej të ndiqte këshillën ungjillore “Nëse do të jesh i përsosur, shko, shit çka ke, faljua skamnorëve” (Mt 19,21). Kështu, pasi ua dha pasurinë të varfërve e pasi e la të motrën në një bashkësi femërore, ndoqi jetën e tij e u bashkua me vetmitarë të tjerë, që luteshin, në kushtet e varfërisë e të pastrisë, në rrethinat e qytetit.
Më vonë, shën Andou shkoi drejt Detit të Kuq, në malin Pispir, ku ishte një fortesë romake e braktisur, me një burim uji. Ishte viti 285. Shën Andou qëndroi në atë vend për 20 vjet, dukeu ushqyer vetëm me bukën, të cilën ia çonin dy herë në vit. Në këtë vend, ai vazhdoi të kërkojë spastrimin e plotë të shpirtit, megjithëse, sipas legjendës, djalli e tundonte dhe e torturonte vazhdimisht.
Me kohë, shumë të tjerë deshën të bashkoheshin me të dhe shembën muret e fortinos, duke e nxjerrë shën Andoun nga streha e tij. Atëherë, shenjti iu përkushtua të vuajturve, duke i shëruar e duke i liruar nga djalli, siç thotë tradita. Grupi i ndjekësve të Shën Andout u nda në dy bashkësi, njëra në lindje e tjetra në perëndim të lumit Nili. Këta etër të shkretëtirës jetonin në shpella e streha natyrore, por gjithnjë, nën udhëheqjen e një eremiti më të moshuar e me shën Andoun si prijës shpirtëror.
Shën Andou kontribuoi në përhapjen e anakoretizmit(jetë në vetmi) si plotësim e shtesë i çenobitizmit(jetë në bashkësi). Edhe shën Hilarioni shkoi tek shën Andou, në vitin 307, për të marrë prej tij këshilla si të themelonte një bashkësi murgare në Gaza të Palestinës, ku u ndërtua kuvendi i parë i krishterimit. Në vitin 311, gjatë persekutimit të Perandorin Maksimin Daia, shën Andou u kthye në Aleksandri për të mbështetur e për të ngushëlluar të krishterët e persekutuar. Ai vetë nuk u persekutua. Vitet e fundit të jetës i kaloi në shkretëtirën e Tebaides, ku vdiq mbi moshën 100 vjeç, më 17 janar 357, duke u lutur e duke kultivuar kopshtin e vogël, që i jepte për të ngrënë. U varros nga dishepujt e vet në një vend të fshehtë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama