HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-11-25 16:40:51
A+ A- Printo artikullin



Presidenti Rus Vladimir Putin takon Papën Françesku. (Skedë)



Vizita e sotme e Presidentit rus Vladimir Putin në vatikan është vizita e katërt e tij dhe e gjashta e Kreut të Shtetit rus pas rivendosjes së marrëdhënieve të plota diplomatike ndërmjet Rusisë dhe selisë së Shenjtë më 15 mars 1990, një vit para fundit të Bashkimit Sovjetik.
Vizitën e parë e ka bërë Presidenti Boris Jeltsin më 20 nëntor 1991. Vendin qendror në bisedimet e atëhershme e zuri çështja e lirisë fetare në Rusinë e re. Në të njëjtën kohë, të dyja palët treguan interes për të zhvilluar bashkëpunimin, me qëllimin për të përforcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe evropian, për të rregulluar konfliktet ndërkombëtare dhe për të ndihmuar për zgjidhjen e fenomeneve negative si nacionalizmi, racizmi, ksenofobia, terrorizmi dhe pabarazia sociale e ekonomike. Jeltsin u kthye edhe një herë tjetër më 2 shkurt 1998 për të diskutuar me Gjon Palin II mbi gjendjen politike dhe fetare në Rusi (ku në qershor 1997 kishte hyrë në fuqi ligji i ri i shumëpërfolur “mbi lirinë e ndërgjegjes dhe mbi shoqatat fetare) dhe mbi përgatitjet për Jubileun e Madh të vitit 2000, përveç problemeve lidhur me përforcimin e paqes dhe me tejkalimin e gjendjes së krizës.
Dy vizitat e para në Vatikan Putini i ka bërë më 5 qershor 2000 dhe më 5 nëntor 2003, për të takuar Gjon Palin II, në një periudhë kur marrëdhëniet ndërmjet Kishës Katolike dhe Patriarkatit të Moskës ishin më të ndera. Më 13 mars 2007 u prit nga Papa Benedikti XVI, kur marrëdhëniet ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve ishin më të qeta. Komunikata për shtyp që nxori Salla e Shtypit e Vatikanit pas bisedës i përkufizoi marrëdhëniet dypalëshe si “të përzemërta” dhe vinte në dukje synimin e të dyja palëve për zhvillimin e tyre të mëtejshëm, edhe në rrafshin kulturor. Kjo klimë e përzemërt është vërtetuar edhe gjatë vizitës së pasardhësit të tij Dimitrij Medvjedjevit (sot kryeministër i Federatës Ruse(, më 3 mars 2009.
Të kujtojmë se Papa Françesku ka pasur një kontakt me Presidentin Putin më 4 shtator, kur, me rastin e G-20 së Shën Pjetërburgut i dërgoi një letër, ku u kërkonte të fuqive të mos qëndronin “duarkryq përballë dramave që po përjeton tashmë për një kohë tepër të gjatë popullsia e shtrenjtë siriane”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama