HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Drejtësia e paqja >  2013-11-27 14:01:02
A+ A- Printo artikullin



Rebelët sirianë nuk do të jenë në Gjenevë. Imzot Zenari: probleme të shumta, por rindizet shpresa



Lufta në Siri vazhdon në dy fronte: në terren, me betejat e atentatet e përditshme dhe në frontin politik. Rebelët bënë të ditur dje se nuk do të marrin pjesë në konferencën “Gjeneva 2”, duke vënë kështu në rrezik ekuilibrin delikat ndërkombëtar, krijuar nga bashkëpunimi i Rusisë me SHBA-të. Uashingtoni e Moska shpallën po dje, edhe datën e kësaj mbledhjeje, e cila duhet të mbahet më 22 janar 2014. Tone triumfi, që u shuan nga forca kryesore e opozitës, e cila nuk pranoi të qëndrojë ballë për ballë me presidentin Bashar al Asad. Nga ana e tij, Irani është treguar i gatshëm të marrë pjesë në konferencë, nëse do të ftohej. Analistët botërorë po e konsiderojnë gjithnjë e më shumë këtë gjendje, një kështjellë ndërtuar në rërë. Të dëgjojmë nuncin apostolik në Damask, imzot Mario Xenari:
Është e vërtetë, ka shumë probleme, shumë çështje për t’u zgjidhur. Më e rëndësishmja ishte data e konferencës. Si të thuash: nisemi nga ajo ditë e kush do, le të vijë. Dua të citoj të dërguarin e veçantë të OKB-së e të Lidhjes Arabe, Lakhdar Brahimi: konferenca nuk është thjesht një ngjarje, që zgjidh gjithçka në pak ditë, është fillimi i një procesi. Është hap i rëndësishëm përpara fakti që këta zotërinj ulen në të njëjtën tryezë bisedimesh, pasi deri tani kanë folur vetëm me bomba e me topa.
Në takimin e tyre në Vatikan, Papa Françesku dhe presidenti rus Putin thanë se bisedimet duhet të përfshijnë edhe grupet etnike e fetare të vendit, duke u njohur atyre një rol të veçantë në shoqëri…
Ky këndvështrim i Selisë së Shenjtë, me të cilin presidenti rus Putin është dakord, ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe. Nuk duhet të harrojmë se përveç grupeve etnike e fetare, ekziston edhe një shumicë njerëzish, që nuk përkrah as njërën e as tjetrën palë, por dëshiron ndryshime të vërteta në vend. Siç tha Lakhdar Brahimi, fillimisht, mund të mos arrijmë të përcaktojmë një listë të saktë pjesëmarrësish, por – theksoi ai – duhet të fillojmë e pastaj, mund të vijnë për të hipur në këtë “tren” të gjithë ata, që kanë të drejtë. Sidomos grupet etno-fetare, pasi nuk duhet harruar se Siria është një mozaik, i përbërë nga këto grupe, të cilat duhet ta thonë fjalën e tyre për të ardhmen e vendit.
Ndërsa diplomacia vazhdon detyrën e saj të vështirë, njerëzit vijojnë të vuajnë. Si është gjendja aktuale në Siri?
Fatkeqësisht, është Krishtlindja e tretë, që përgatitemi ta kremtojmë, ndërsa shtohet numri i viktimave e vuajtja e njerëzve. Duhet të përpiqemi ta ndalim e ta lehtësojmë këtë mjerim. Ndër rezultatet e para të nevojshme, që mund të sjellë konferenca, është trajtimi i çështjes humanitare, për të siguruar ardhjen e ndihmave kudo në Siri. Mendoj se palët në konflikt duhet të fillojnë prej kësaj pike themelore, pasi njerëzit nuk mund të presin më.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama