HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-11-28 13:37:58
A+ A- Printo artikullin



Drita e fesë



Jemi në kapitullin e tretë të enciklikës Drita e fesë, që flet përçimin e fesë. Kemi parë, të enjten e kaluar, se dy mënyra themelore, me të cilat përçohet e plotë dhe e pandërprerë e vërteta e besimit të krishterë, janë dëshmia e gjallë e besimtarëve në Krishtin dhe sakramentet, duke filluar nga Pagëzimi e duke u mbështetur tek Pagëzimi.
Sot flasim për dy argumente të tjera të qenësishme për përçimin e fesë: lutja dhe Dekalogu (Dhjetë Urdhërimet). E para është lutja e Zotit. Me fjalët e Atynës, Krishti na e ka bërë të mundur të përjetojmë të njëjtën përvojë shpirtërore që përjeton Ai. Besimtari, kur lutet, hyn në lutjen e Krishtit. Dhjetë Urdhërimet, nga ana tjetër, janë rruga që duhet të përshkojmë. Disa herë, në këtë enciklikë, feja përshkruhet si rrugëtim. Për të shmangur keqkuptimin e vështrimit të Dhjetë Urdhërimeve vetëm nga pikëpamja ligjore, Papa shkruan: “Dekalogu nuk është një përmbledhje urdhëresash mohuese, por një tërësi udhëzimesh konkrete, për të dalë nga ‘uni’ i vetëreferencës, i mbyllur në vetvete, dhe për të hyrë në dialog me Hyjin, duke e lejuar mëshirën e tij të na përqafojë” (n. 46). E para është dashuria e Hyjit. Ai e ka nxjerrë popullin e vet nga skllavëria e Egjiptit e tani populli i përgjigjet dashurisë së tij, duke ecur udhës që Ai i tregon. Në këtë udhë Jezusi ka ndezur dritën e madhe të Lumnive me Fjalimin mbi Mal (Mt 5-7). Ja pra katër elementet themelore të përçimit të fesë: 1) shpallja (dëshmimi) e saj nga dëshmitarët e gjallë brez pas brezi; 2) kremtimi i sakramenteve; 3) lutja; 4) ecja në Urdhërimet e Hyjit. “Katekeza e Kishës është strukturuar tradicionalisht përreth tyre, përfshirë Katekizmi i Kishës Katolike, mjet themelor për veprimin përbashkues me të cilin Kisha tejçon përmbajtjen e plotë të fesë” (n. 46).
Një argument i pashmangshëm, në kontekstin e përsiatjes mbi përçimin e fesë, është ai i njësisë së fesë. Njësia (bashkimi) i Kishës është e lidhur ngusht me njësinë e fesë. Papa nënvizon se sot mund të jetë e lehtë të bashkohemi, për të kryer një veprimtari të caktuar, ose edhe për të përballuar një fat, a për të realizuar një synim të përbashkët, por, kur vijmë tek çështja e së vërtetës, kemi frikë se pranimi i një të vërtete të përbashkët na heq lirinë e mendimit dhe pavarësinë vetjake. Por, shkruan Papa, “përvoja e dashurisë na thotë se pikërisht në dashuri është e mundur të hapemi ndaj një vështrimi të përbashkët, me anë të saj mësojmë ta shohim realitetin me sytë e tjetrit dhe kjo nuk na varfëron, por e pasuron shikimin tonë” (47).
Në dashuri, pra, është e mundur të kemi një shikim të përbashkët të Krishtit, që është e vërteta. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse, siç thoshte Leoni i Madh, “nëse feja nuk është një, nuk është fe”.
Papa përmend arsyet e njësisë së fesë. Ajo është një, sepse Hyji, që njohim dhe shpallim, është një. Feja është një e vetme, sepse një i vetëm është Zoti ynë Jezu Krishti, një është jeta e tij dhe historia e tij konkrete. Në këtë pikë është e rëndësishme të përftojmë një doktrinë të shëndoshë rreth tij, sepse doktrinat e gabuara dëmtojnë rëndë njësinë e fesë. Konkretësia e Krishtit, e jetës dhe e historisë së tij, përmban plotësinë e së vërtetës. E vërteta që sjell Krishti nuk është përjashta personit të tij dhe nuk arrihet duke kapërcyer përtej mishit e gjakut të tij, me synimin për të kapur një doktrinë, që do të ishte e rezervuar për pak të aftë, që mund ta arrijnë atë ndriçim. Pra, nuk ka një fe të njerëzve të thjeshtë, që ndalen tek thjeshtësia e mistereve të jetës tokësore të Krishtit, dhe një fe të njerëzve të mençur, që marrin shndritjen intelektuale rreth mistereve të thella. Kjo do të ishte herezia e gnosticizmit, të cilën Kisha e hershme e dënoi pa mëdyshje.
Sikurse Hyji është një dhe Zoti ynë është një, një është edhe Kisha: “Në shërbim të njësisë së fesë dhe të përçimit të saj të tërësishëm, Zoti i ka dhënë Kishës dhuratën e vijimësisë apostolike” (n. 49). Vijimësia apostolike garantohet nëpërmjet ipeshkvinjve dhe mbi të gjitha “mbështetet mbi besnikërinë e dëshmitarëve, që Zoti ka zgjedhur për këtë detyrë” (n. 49). Njësia e fesë ruhet e plotë dhe e besueshme në Mësuesinë (Magjisterin) e Kishës: “Mësuesia flet gjithmonë për bindjen ndaj Fjalës zanafillore, mbi të cilën mbështetet feja, dhe që është e besueshme, sepse i beson Fjalës që dëgjon, ruan dhe shtjellon” (n. 49). Kisha e ka marrë fenë si një realitet të njësishëm e të patëmetë dhe të tillë e përçon në botë dhe në histori.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama