HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Bamirësi dhe solidaritet >  2013-11-28 16:11:03
A+ A- Printo artikullin



Malajzi: OKB i bën thirrje qeverisë për emrin “Allah” në emër të lirisë fetare



Qeveria malajziane duhet ta lejojë përdorimin e fjalës “Allah” në faqet e së përjavshmes katolike “Herlad”, në emër të lirisë së fjalës dhe të fesë, pohon një ekip vëzhguesish të Kombeve të Bashkuara, duke u shprehur mbi përplasjen që ka çuar në gjykatë qeverinë e Malajzisë dhe Kishën katolike. Siç raporton një shënim që OKB-ja i ka dërguar agjencisë “Fides”, Frank La Rue, raportuesi i posaçëm i Kombeve te Bashkuara për lirinë e fjalës, ka thënë: “Ministria e punëve të brendshme duhet të marrë masa të menjëhershme për të garantuar të drejtën për lirinë e mendimit dhe të fjalës të gazetës “Herald” dhe duhet të tërhiqet pa kushte nga gjyqi i hapur mbi këtë temë”. Sipas komunikatës së komisarit të lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, rasti i gjyqit “mund të ketë ndikim të rëndë tek pakicat fetare në Malajzi”, pra mund të kufizojë lirinë e fjalës e të fesë: “Liria e fesë apo e besimit është një e drejtë e të gjitha qenieve njerëzore dhe jo një e drejtë që ta jep shteti”, theksoi raportuesi i posaçëm i Kombeve të Bashkuara mbi lirinë fetare Heiner Bielfeldt. “Nuk mund të jetë detyrë shtetërore modelimi i traditave fetare, sikurse shteti nuk mund të mëtojë të jetë autoriteti detyrues për interpretimin e themeleve të fesë, apo për përkufizimin e dogmave fetare”, sqaron Bielfeldt. Sipas ekspertes së Kombeve të Bashkuara për çështjet e pakicave Rita Izsak, ndalimi që i është bërë Herald-it “cenon lirinë e bashkësisë së krishterë vendore për ushtrimin e fesë” dhe është shqetësues, sepse “mund të ndikojë negativisht tek marrëdhëniet ndërfetare në vend. Diskriminimi për arsye fetare apo për shkak të bindjeve personale përbën cenim të të drejtave themelore të njeriut. Në këtë rast është i qartë cenimi i të drejtave te një bashkësie fetare, që është pakicë”. Muajin e kaluar Gjykata e Apelit e Kuala Lumpurit përmbysi një vendim të shkallës së dytë dhe pohoi se vendimi i Ministrisë së Brendshme për ndalimin e përdorimit të fjalës “Allah” në gazetën katolike është i ligjshëm. Sipas saj kjo fjalë nuk është “pjesë plotësuese e ushtrimit të fesë së krishterë”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama