HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-11-28 16:10:37
A+ A- Printo artikullin



Papa: Feja nuk është fakt privat. Apostaza dhe përndjekjet nuk mund ta ndërpresin adhurimin e Hyjit



Ka “pushtete të kësobotshme”, të cilët do të kishin dëshirë që feja të ishte “një gjë private”. Por Hyji, që e ka mundur botën, duhet adhuruar deri në fund “me besim e besnikëri”. Papa Françesku e shprehu këtë mendim gjatë homelisë, në meshën e kremtuar në mëngjes, në Shtëpinë e Shën Martës. Të krishterët, që sot përndiqen, tha, janë shenja e provës, që i paraprin fitores përfundimtare të Jezusit.
Në luftën përfundimtare ndërmjet Hyjit dhe të keqes, që paraqet liturgjia e fundvitit gjatë këtyre ditëve, gjendet një mashtrim i madh, të cilin Papa Françesku e quan “tundimi universal”. Është tundimi për të rënë pre e lajkave të atyre që dëshirojnë ta shkapërcejnë Hyjin, duke mundur ata që besojnë në Të. Por, pikërisht ai që beson e ka një lidhje të fortë, tek e cila mund të mbahet: është historia e Jezusit, me provat që duroi në shkretëtirë dhe të tjerat, që duroi gjatë jetës publike, të mbushura me “sharje” e “shpifje”, deri tek fyerja e skajshme, Kryqi, ku, megjithatë, princi i kësaj bote e humb betejën e tij përballë ringjalljes së Princit të paqes. Papa Françesku vë në dukje këto kalesa të jetës së Krishtit, sepse, në pështjellimin fundor të botës, që përshkruan Ungjilli, është në lojë diçka më e rëndësishme sesa drama e fatkeqësive natyrore:
“Kur Jezusi flet për këto fatkeqësi në një vend tjetër, na thotë se do të përdhoset tempulli, do të përdhoset feja e popullit: do të ketë neveri, do të ndodhë shkretimi prej neverisë. Çfarë do të thotë kjo? Do të jetë si ngadhënjimi i princit të kësaj bote: disfata e Hyjit. Duket sikur në atë moment të fundmë të fatkeqësisë, do ta zaptojë këtë botë, do të jetë princi i botës”.
Kulmi i “provës së fundme” do të jetë përdhosja e fesë. Kjo, vëren Papa, është fort mirë e dukshme nga çfarë heq profeti Daniel, në tregimin e leximit të parë: e hodhën në gropën e luanëve, sepse kishte adhuruar Hyjin e jo mbretin. Prandaj, rrënimi i neverisë, thekson Papa, ka një emër të saktë: “ndalimi i adhurimit”:
“Nuk mund të flitet për fenë. Është një gjë private, apo jo?! Për këtë nuk flitet hapur. Shenjat fetare janë zhdukur. Duhet t’u bindemi urdhrave që vijnë nga pushtetet e kësobotshme. Mund të bëjmë shumë gjëra, gjëra të bukura, por jo të adhurojmë Hyjin. Ndalimi i adhurimit. Kjo është qendra e këtij fundi. E kur të arrihet plotësia, ‘kairos-i’ i kësaj sjelljeje pagane, kur të soset kjo kohë, atëherë po, do të vijë Ai: ‘E do të shohin birin e Njeriut duke ardhur mbi re, me fuqi e lavdi të madhe’. Të krishterët që vuajnë kohën e përndjekjes, kohën e ndalimit të adhurimit, janë profecia për atë që do t’u ndodhë të gjithëve”.
Megjithatë, përfundon Papa Françesku, “kur të sosen kohët e paganëve”, atëherë ka ardhur koha për të ngritur kokën, sepse është afër fitorja e Jezu Krishtit:
“Mos të kemi frikë. Vetëm se Ai na kërkon të jemi besnikë e të kemi durim. Besnikë si Danieli, që i ka ndenjur besnik Hyjit dhe e ka adhuruar deri në fund. Dhe durim, sepse as qimet e kokës nuk do të na bien. Kështu ka premtuar Zoti. Gjatë kësaj jave do të na bëjë mirë të mendojmë këtë apostazi të përgjithshme, që quhet ndalimi për të adhuruar, dhe ta pyesim veten: ‘po unë, a e adhuroj Zotin? A e adhuroj unë Jezu Krishtin Zot? Apo gjysmë për gjysmë, bëj lojën e princit të kësaj bote? Të adhurojmë deri në fund, me besim e besnikëri: ky është hiri që duhet të kërkojmë këtë javë”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama