HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-12-01 13:54:57
A+ A- Printo artikullin



Liturgjia e Fjalës së Zotit - E diela I e Ardhjes



Tek ti e lartoj shpirtin, o Hyji im,
Në ty besoj e mos u turpërofsha!
Mos u tallshin me mua armiqtë e mi
E gjithë sa shpresojnë në ty, mos u pështjellofshin.

Me këto fjalë të psalmistit hapet koha e Ardhjes dhe viti i ri liturgjik. Kisha i fton bijtë e saj ta drejtojnë shikimin kah horizonti i Krishtit. E gjithë feja e njeriut në Hyjin bëhet e dukshme në Birin e tij të bërë njeri. Viti i vjetër liturgjik u mbyll me festën e Krishtit Mbret të Gjithësisë. Leximi i së dielës së kaluar nga Ungjilli sipas Mateut, na ka futur brenda skenës së Kryqit të Krishtit dhe na ka bërë të shohim, nga njëra anë talljen e armiqve të tij me të, por nga ana tjetër edhe besimin e Jezusit dhe premtimin e tij për keqbërësin e penduar: “Sot do të jesh me mua në parajsë!”. Pikërisht kur është në kryq, Krishti i premton lavdinë njeriut të kryqëzuar. Dhimbja, ky mister i mundimshëm, i ngatërruar fort me të keqen, e shtyn njeriun ose të kërruset edhe më shumë mbi mjerimin e vet, ose t’i drejtohet Hyjit me fjalët e psalmistit: “Tek ti e lartoj shpirtin tim, në ty besoj e mos u turpërofsha!”.
Ardhja e parë e Krishtit në tokë na ka treguar se shpresa e njeriut në Hyjin nuk është shpresë e kotë. Hyji është mbështjellë me brishtësinë njerëzore, në trupin e Krishtit të ngjizur e të lindur nga Virgjëra Mari në misterin e Krishtlindjes; në trupin e Krishtit, të varrosur e të ringjallur nga gjiri i tokës në misterin e pashkëve. Edhe njeriu është mbushur me Fjalën e shpëtimit dhe me Shpirtin e jetës, falë misterit të mishërimit të Birit të amshuar, dhe ka njohur besnikërinë e Hyjit, që është lidhur me njeriun dhe me fatin e tij në mënyrë të pazgjidhshme.
Ardhja e parë e Krishtit mbi tokë i ka dhënë njeriut një vështrim të ri, me të cilin historia nuk shikohet vetëm si kujtim i së shkuarës, por si pritje e së ardhmes dhe si thirrje e pareshtur për realizimin e saj. E ardhmja, që shikon i krishteri me sytë e fesë, të cilët i janë hapur në takimin me Krishtin, është e ardhmja e Hyjit, prandaj besimtari e dëshiron atë me gjithë zemër dhe thërret: “Maranatha! Eja, o Hyj!”, megjithëse e di se kjo thirrje është realizuar, se Hyji ka ardhur. Kjo kohë e përgatitjes për kremtimin e Krishtlindjes, na e mpreh vetëdijen se jetojmë mes dy ardhjeve të Krishtit.

Dy ardhjet e Krishtit
(Nga “Katekezat” e Shën Cirilit të Jeruzalemit, ipeshkëv)

Ne shpallim se Krishti do të vijë. Në të vërtetë, ardhja e tij nuk është një e vetme, por ka edhe një të dytë, që do të jetë shumë më e lavdishme se ajo e përparmja. Ardhja e parë qe e shënjuar nga vuajtja, e dyta do të mbartë kurorën e mbretërimit hyjnor. Mund të pohohet se gati gjithmonë tek Zoti ynë Jezu Krishti çdo ngjarje është e dyfishtë. E dyfishtë është lindja: njëra nga Hyji Atë, para të gjitha kohërave; tjetra, lindja njerëzore, nga një virgjër, kur u plotësua koha.
Dy janë edhe zbritjet e tij në Histori. Herën e parë erdhi në mënyrë të fshehtë e të heshtur, siç bie shiu mbi qeth. Herën e dytë do të vijë në të ardhmen, me shkëlqim e qartësi para syve të të gjithëve.
Në ardhjen e tij të parë e mbështollën në shpërgënj dhe e vendosën në një stallë. Në të dytën do të jetë i veshur me dritë, si me mantel. Në ardhjen e parë e pranoi kryqin pa e përjashtuar çnderimin. Në ardhjen tjetër do të ecë i rrethuar nga ushtritë e engjëjve e do të jetë plot lavdi.
Prandaj, mos të ndalemi për të shqyrtuar vetëm ardhjen e parë, por të jetojmë duke pritur të dytën. Meqë, në ardhjen e parë kemi brohoritur: “Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit (Mt 21, 9), të njëjtin lavd do ta shpallim edhe në të dytën. Kështu, duke shkuar drejt takimit me Zotin, së bashku me engjëjt, dhe duke e adhuruar, do të këndojmë: “Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!”.
Shpëtimtari nuk do të vijë për t’iu nënshtruar edhe një herë gjykimit, por për të qenë ai gjykatësi i atyre që e dënuan. Ai, që heshti ndërsa pranonte dënimin, do t’ua kujtojë atyre të paudhëve veprimin që bënë, si e detyruan të pësonte torturën e kryqit, dhe do t’i thotë secilit prej tyre: “Ti veprove ashtu e unë nuk hapa gojë” (Shih Ps 38,10).
Atëherë erdhi me dashurinë mëshiruese për t’i mësuar njerëzit me ëmbëlsi e vendosmëri, por, në fund, të gjithë, duan apo s’duan, kanë për t’iu nënshtruar patjetër pushtetit të tij mbretëror.
Profeti Malakia i paralajmëroi dy ardhjet e Zotit: “E menjëherë do të hyjë në tempullin e tij Zoti, që ju kërkoni” (Ml 3,1). Kjo është ardhja e parë. Pastaj, për sa i përket të dytës, thotë: “Ja engjëlli i besëlidhjes, që ju dëshironi, ja, po vjen... Kush do t’i bëjë ballë ditës së ardhjes së tij? Kush do t’i qëndrojë shfaqjes së tij? Ai është si zjarri i shkritarit, si zbardhuesi i rrobalarësve. Do të zërë vend, për të shkrirë e për të pastruar” (Ml 3,1-3).
Edhe Pali flet për këto dy ardhje, kur i shkruan këto fjalë Titit: “U duk hiri i Hyjit, që u sjell shpëtimin të gjithë njerëzve, që na mëson të heqim dorë nga paudhësia dhe nga dëshirat e kësaj bote dhe të jetojmë të përkorë, me drejtësi e fetarì në këtë botë, duke pritur shpresën e lume dhe shfaqjen e lavdisë së Hyjit tonë të madh e shpëtimtar Jezu Krishtit” (Tt 2,11-13). A e shikon si ka folur për ardhjen e parë duke falënderuar Hyjin? Ndërsa për të dytën lë të kuptojmë se është ajo që presim.
Kjo, pra, është feja që ne shpallim: besimi në Jezu Krishtin, që u ngit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit. Ai do të vijë në lavdi për të gjykuar të gjallët e të vdekurit. E mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Do të vijë, pra, do të vijë Zoti ynë Jezu Krishti, nga qiejt; do të vijë në lavdi, kur t’i vijë fundi botës së krijuar, në ditën e fundit. Atëherë do të marrë fund kjo botë e do të lindë një botë e re.
*** *** ***“Tash shpëtimin e kemi më afër se kur besuam”, thotë Apostulli në letrën drejtuar Romakëve. Shën Pali e lexon historinë si një ecje nëpër natë dhe e shikon shpëtimin e njeriut tek kthimi drejt agimit të amshuar, që është Krishti. Kush ka besuar Krishtin, është pranë ditës së re të shpëtimit: “Nata ka shkuar në të sosur e dita është afruar”.
Në këtë natë të jetës sonë, ku nuk mungojnë vuajtjet dhe dyshimet, ku vezullojnë dritat e rreme, që nuk e kthjellin kurrë horizontin e largët, apo ku mbizotëron errësira e dendur, Krishti na thotë në Ungjillin e sotëm: “Rrini zgjuar!”. Kjo thirrje e Krishtit është thirrja e jetës. Besëlidhja e re përdor shpesh të njëjtën folje “zgjoj/rri zgjuar” edhe për të shprehur ringjalljen e Krishtit. I ringjalluri është ai që rri zgjuar dhe pret agimin; ai që nuk pajtohet me natën. Feja e mban të zgjuar shpirtin e njeriut edhe kur mundi i jetës së përditshme, mërzia apo kokëfortësia e së keqes rrezikon ta mpijë pritjen. Në natën e botës, që shpesh duket e gjatë dhe e pafundme, feja na thotë se “dita është afruar” (Rom 13). Kjo pëshpërimë e fesë ndez brenda nesh dritën e Krishtit dhe na bën bij të dritës. Falë kësaj drite e kuptojmë se punët e përditshme, edhe pse janë të rëndësishme dhe duhen bërë me përkushtim e dashuri, nuk janë burimi i jetës sonë, por mjeti me të cilin e shenjtërojmë jetën, që vjen prej Zotit. Për këtë arsye, ndoshta, në Ungjillin e sotëm, duke folur për ardhjen e tij të dytë, Krishti e përshkruan takimin me të si diçka që ndodh në kontekstin e angazhimit tonë brenda kësaj bote: “Prej dyve, që kanë për t’u gjetur në arë, njëri do të merret e tjetri do të lihet; pre dy grave, që do të bluajnë në mokër, njëra do të merret e tjetra do të lihet” (Mt 24). Feja na bën ta takojmë Krishtin pikërisht aty ku jeta shfaqet në përmasën e saj më të zakonshme, sepse ai vetë, me ardhjen e parë, është bërë i zakonshëm. Nëse ndodh ky takim, në përvujtërinë e gjendjes njerëzore, nevojtare për shpëtim, pra, nëse lajmi i mirë i mishërimit të Hyjit në historinë e njeriut depërton në thellësitë e shpirtit tonë dhe gjejmë Krishtin në jetën e përditshme, atëherë presim me padurim ardhjen e tij të lavdishme, sepse e dimë se edhe ne bëjmë pjesë në lavdinë e tij. Sa më shumë ta njohim e ta duam përvujtërinë e Krishtit, për të cilin na flasin Ungjijtë dhe Kisha, sa më shumë ta duam atë tek njerëzit që vuajnë dhe kanë nevojë për dashurinë e tij të mëshirshme, aq më shumë kemi për ta parë lavdinë e tij brenda mjerimit tonë.

Dy ardhjet e Birit të Hyjit
(Shën Agostini, Komenti i Ungjillit sipas Gjonit, Tr4,1-2)

Herën e parë Krishti erdhi i përvujtë e i fshehur; sa më i fshehur, aq më i përvujtë. Por, popujt, meqë e përçmonin përvujtërinë e Hyjit, për shkak të krenarisë, e kryqëzuan Shpëtimtarin e tyre dhe e bënë gjykatësin e vet.
Pra, ai që erdhi i fshehur herën e parë, sepse erdhi me përvujtëri, a nuk duhet të vijë haptas në lavdinë e vet? Keni dëgjuar Psalmin (49, 3): “Hyji, Hyji ynë do të vijë haptas e nuk do të heshtë”. Ka heshtur për të lejuar që ta gjykonin, por nuk do të heshtë kur të fillojë ai të gjykojë. Psalmisti nuk do të kishte thënë se do të vijë haptas, po të mos kishte ardhur një herë fshehurazi. Nuk do të kishte thënë as se nuk do të heshtë, po të mos kishte heshtur më parë. Në ç’kuptim ka heshtur? Dëgjo çfarë thotë Isaia: E çuan si delen tek thertari dhe, si qengji i heshtur para qethtarit, nuk hapi gojë (Is 53,7).
Por ai do të vijë haptas e nuk do të heshtë. Cila do të jetë kjo mënyrë e hapur? Do t’i prijë zjarri dhe do ta shoqërojë një stuhi e fuqishme (Ps 49,3). Ajo stuhi duhet të fshijë nga hambari kashtën, që tani po shkundet, dhe zjarri do të djegë gjithçka që do të mbartë stuhia. Tani ai hesht për sa i përket gjykimit, po jo për sa i përket urdhërimeve. Nëse Krishti do të heshtte fare, çfarë kuptimi do të kishin këto Ungjij, zëri i apostujve, këndimi i psalmeve, kumtet e profetëve? Të gjitha këto tregojnë se Krishti nuk hesht. Tani ai hesht, sepse nuk ndëshkon; nuk hesht, sepse jep udhëzime. Do të vijë dita e pushtetit të tij të tmerrshëm dhe to të shfaqet para të gjithëve, edhe para atyre që nuk besojnë në të. Por, atëherë qe e nevojshme që, edhe pse i pranishëm, të mbeste i fshehur, aq sa edhe të mund ta përçmonin. Po të mos e kishin përçmuar, nuk do ta kishin kryqëzuar; po të mos e kishin kryqëzuar, nuk do të kishte derdhur gjakun, që qe çmimi i shëlbimit tonë. Për të paguar çmimin e shëlbimit tonë, e kryqëzuan; u përçmua me qëllim që ta kryqëzonin; u shfaq me përvujtëri, me qëllim që ta përçmonin.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama