HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-11-29 19:17:57
A+ A- Printo artikullin



Papa Françesku: viti 2015 do t’i kushtohet jetës rregulltare



Papa Françesku u takua sot paradite në Vatikan, me pjesëmarrësit e Asamblesë së 82-të të Bashkimit të Eprorëve të Përgjithshëm, mbajtur këto ditë në Romë. Në një komunikatë të organizmit kishtar shpjegohet se takimi zgjati tri orë, gjatë të cilave Ati i Shenjtë nuk mbajti ndonjë fjalim të përgatitur më parë, por iu përgjigj pyetjeve të rregulltarëve. Në përfundim të audiencës, lajm i rëndësishëm i Papës: viti 2015 do t’i kushtohet jetës rregulltare.
120 eproreve të pranishme, Papa Françesku iu sqaroi se pavarësisht se të gjithë të krishterëve u kërkohet të jetojnë sipas mësimeve të Krishtit, rregulltarët janë të thirrur ta ndjekin Zotin në mënyrë të veçantë. “Janë burra e gra, që mund ta zgjojnë botën – nënvizoi Ati i Shenjtë. Jeta e shuguruar është profeci”. Zoti, vazhdoi më pas Papa, “na kërkon të dalim nga çerdhja jonë e të shkojmë në të katër anët e botës, duke mos rënë pre e tundimeve për ta shtruar atë”, por duke imituar Krishtin.
I pyetur për gjendjen e thirrjeve, Ati i Shenjtë vuri në dukje se frytet më të shumta shihen në Kishat e reja. Kjo na nxit ta rishikojmë inkulturimin e çdo karizme. Janë bërë gabime, që nuk duhet të përsëriten, si në rastin e Mateo Riçit, i cili kumtoi Ungjillin në Kinë, duke iu përshtatur kulturës së vendit, por Kisha e atëhershme nuk e kuptoi menjëherë. Dialogu ndërkulturor, theksoi Papa Françesku, duhet të na nxisë të caktojmë në qeverisjen e Instituteve rregulltare njerëz nga kultura të ndryshme, që e shprehin me mënyra të ndryshme thirrjen për jetën e shuguruar.
Në takimin me eprorët rregulltarë, Papa Françesku nguli këmbë në formimin e murgeshave, që, sipas tij, duhet bazuar në katër shtylla themelore: formimi shpirtëror, intelektual, komunitar dhe apostolik. Pa dyshim, vazhdoi Ati i Shenjtë, duhet shmangur çdo formë hipokrizie e klerikalizmi, falë dialogut të sinqertë për çdo aspekt të jetës. “Formimi – tha Papa – është vepër artizani, jo polici”, me synim formimin e rregulltarëve me zemër të butë e jo të thartë si uthulla. Jemi të gjithë mëkatarë, por nuk duhet të jemi të korruptuar, vijoi Ati i Shenjtë.
Përsa i përket vëllazërimit, Papa theksoi se ai ka një forcë të jashtëzakonshme tërheqëse. Presupozon pranimin e ndryshimeve e të konflikteve. Nganjëherë është e vështirë të jetohet, por duhet të veprojmë si ata, që duan të zgjidhin një problem me vëllanë: duhet ta përkëdhelim konfliktin.
Pyetjet e fundit kishin të bënin me misionin e rregulltarëve. Pasi sqaroi se rregulltarët nuk janë material ndihmës në dioqezë, por dhuratë për pasurimin e Kishës, Ati i Shenjtë i nxiti institutet e jetës së shuguruar ta përcaktojnë misionin mbi bazën e thirrjes. Gjithsesi, i dha përparësi situatave, ku ka njerëz të përjashtuar nga shoqëria, për çfarëdolloj arsyeje. Pastaj, sfida kulturore dhe edukative, në shkolla e në universitete. Papa përmendi tri qëllime për edukimin katolik: “Të transmetojë njohuri, të përçojë mënyra veprimi, të mësojë vlera. Përmes tyre, transmetohet feja. Edukatori – nënvizoi Ati i Shenjtë – duhet të jetë në lartësinë e njerëzve që edukon e ta pyesë veten si t’ia kumtojë Jezusin një brezi në ndryshim të vazhdueshëm”. Së fundi, Papa Françesku falenderoi rregulltarët për shërbimin e tyre në favor të Ungjillit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama