HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-12-01 14:03:02
A+ A- Printo artikullin



Shenjtorët e javës 2-8 dhjetor



Më 2 dhjetor përkujtohet shën Kromaci i Akuilesë. Jetoi në shekullin IV, mori pjesë në Koncilin e Akuilesë, Italia e sotme verilindore. Aty u shqua për njohuritë e tij teologjike dhe u zgjodh ipeshkëv. Ka lënë shkrime të çmueshme, kryesisht predikime dhe një koment të papërfunduar të Ungjillit sipas Mateut.
Më 3 dhjetor përkujtohet shën Françesk Saveri. I riu fisnik spanjoll studioi teologji në Sorbonë, ku njohu Injacin e Lojolës, me të cilin ndau thirrjen për të themeluar Shoqërinë e Jezusit. I mbështetur në besimin e tij të kulluar në Krishtin, u nis për Amerikën Jugore dhe e shkriu jetën për kumtimin e ungjillit mes popujve të atjeshëm. Ja çfarë shkruante për fenë: Është i madh dallimi ndërmjet atij që beson në Hyjin kur ka gjithçka që i duhet dhe atij që beson në Hyjin pa pasur asgjë dhe duke hequr dorë nga gjithçka që mund të ketë, për të imituar më mirë Krishtin. Si rrjedhojë, ka shumë dallim ndërmjet atyre që kanë fe, shpresë e besim në Hyjin jashtë rrezikut për vdkje dhe atyre që kanë fe, shpresë e besim në Hyjin, kur, për dashuri ndaj tij e për t’i shërbyer atij, i bëjnë ballë lirisht çdo rreziku vdekjeprurës, kur edhe mund ta shmangin.
Më 4 dhjetor përkujtohet shën Barbara, që jetoi dhe u martirizua në shekullin III. Thirret në dihmë kundër rrufeve dhe zjarrit dhe kjo lidhet me martirizimin e saj. I ati, që ishte pagan (dhe krishtërimi ishte fe e jashtëligjshme), kur mori vesh se e bija ishte bërë e krishterë, urdhëroi të gjykohej dhe mori përsipër ta zbatonte vetë dënimin me vrasje, me shpatë. Tradita thotë se, sapo e vrau të bijën, pasi e kishte torturuar për dy ditë me çdo lloj mundimi, e goditi një rrufe. Po në këtë ditë e nderon edhe Kisha Ortodokse.
Më 5 dhjetor përkujtohet shën Saba Arkimandrit. Murgu nga Cezarea e Kapadokisë jetoi në Tokën e Shenjtë mes shekullit IV-V dhe iu kushtua me zell e urti ruajtjes së fesë së vërtetë. Njihet si shenjt edhe nga Kisha Ortodokse.
Më 6 dhjetor përkujtohet shën Nikolla. Ipeshkvi i shenjtë i Mirës (Turqia e sotme), që jetoi mes shekulli III-IV. U bë i famshëm që në lashtësi, me anë të mrekullive të shumta, me të cilat u erdhi në ndihmë atyre që kërkuan ndërmjetësimin e tij. Është i njohur në të gjithë botën, edhe jashtë Kishës. Ndër shqiptarë devocioni ndaj shën Kollit është më i përhapuri bashkë me atë ndaj Shën Andout. Është shumë popullor edhe në të gjitha kishat e traditës Ortodokse.
Më 7 dhjetor përkujtohet shën Ambrozi. Njeri i drejtë, që kërkoi me ngulm drejtësinë dhe asaj i shërbeu si jurist, u zgjodh ipeshkëv i Milanos kundër vullnetit të tij, por, pasi e pranoi këtë shërbesë si vullnetin e Zotit, iu përkushtua plotësisht Ungjillit dhe Kishës. Ja si e kujton zgjedhjen e tij ipeshkvore: “Çfarë qëndrese bëra për të mos u shuguruar! Në fund, pasi e pashë veten të detyruar, kërkova që, të paktën, të ma shtynin shugurimit. Asgjë nuk vlejti kjo kërkesë për një përjashtim. Fitoi detyrimi, që më ngarkuan”.
Predikimet e tij mrekulluan Shën Agostinin, të cilin e pagëzoi në fenë e krishterë pas një kërkimi të gjatë shpirtëror. Ai e shoi etjen tek burimi i kulluar i fjalës së Hyjit, prandaj na porosit edhe ne: “Pi, pra, nga të dyja kupat, nga ajo e Besëlidhjes së Re dhe të Vjetër, sepse tek të dyja pi Krishtin. Shkrimi hyjnor pihet, Shkrimi hyjnor gëlltitet, kur lëngu i fjalës së amshuar zbret në venat e mendjes dhe në energjitë e shpirtit”.
Më 8 dhjetor, këtë vit është e diel. Festa e Zotit i lë vendin festës së Ngjizjes së Papërlyer të Zojës. Kisha ka dashur që, gjatë kohës së Ardhjes, liturgjia të bëjë të pranishme mes popullit të krishterë fuqinë, që e ka ruajtur Virgjërën nga mëkati, për të përgatitur tek ajo mishërimin e Birit të Hyjit. Kremtojmë, në eukaristi, po atë mister të shëlbimit, që na prek të gjithëve, por dobinë e të cilit Maria e ka njohur e para.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama