HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-12-10 15:24:33
A+ A- Printo artikullin



Vizita ad Limina e ipeshkvinjve Hollandezë: ka rënë sasia, por jo cilësia e besimtarëve



Ipeshkvinjtë e Vendeve të Ulëta filluan dje vizitën ad Limina. Në çdo takim, vëmendja kryesore i kushtohet sfidave të Kishës holandeze, në një vend ku më se 50% e popullsisë thotë se është ateiste. Radio Vatikani intervistoi kryetarin e ipeshkvinjve holandezë, kardinalin Willem Jacobus Eijk, i cili dje u takua me Papën Françesku dhe diskutoi rreth shekullarizimit të theksuar të vendit, mbi rënien e numrit të besimtarëve, të thirrjeve dhe të ushtrimit të fesë:
Ka dy lloje shifrash. Kemi Institutin statistik zyrtar të Kishës, Kaski, të dhënat e të cilit bazohen mbi arkivat e famullive, që thotë se 24-25% e popullsisë holandeze është katolike. Pastaj kemi shifrat e Zyrës Statistike Kombëtare, që janë shumë më të ulëta: në 2010 gati 16% e popullsisë holandeze ka deklaruar se është katolike dhe mendohet se në 2020 do të zbresë në pak a shumë 10%. Në po atë vit parashikohet që Islami të bëhet feja e dytë në Holandë, ndërsa protestantët do të jenë vetëm 4 ose 5%. Kisha protestante në Vendet e Ulëta ka filluar ta njohë procesin e shekullarizimit qysh në gjysmën e parë të shekullit të shkuar, ndërsa për Kishën katolike kjo ka ngjarë qysh prej viteve gjashtëdhjetë. Megjithatë, menjëherë pas luftës janë parë probleme edhe ndër katolikë: filloi të ndërpritej lidhja me doktrinën dhe feja nuk prekte më jetën e përditshme.
Si jeni duke u përballur ju me këtë problem. Ju folët për një Kishë në “rindërtim”...
Fatkeqësisht tani duhet t’i kushtojmë shumë kohë e vëmendje rindërtimit dhe riorganizimit të Kishës. Për shembull, në kryedioqezën time kemi shkrirë famullitë, që, nga 326, janë bërë 49 shumë të mëdha. Tek të gjitha këto famulli kam caktuar një kishë si qendër e Eukaristisë. Sot mungojnë priftërinjtë për të kremtuar meshë në çdo Kishë, prandaj e kemi qendërzuar kremtimin eukaristik në një të vetëm. Fatkeqësisht na është dashur të mbyllim shumë kisha. Parashikojmë se para vitit 2020 do të mbyllen një e treta e kishave aktuale. Mungojnë katolikët, që e ushtrojnë besimin, dhe mungojnë mjetet financiare. Kisha në Holandë varet nga ndihmesa vullnetare e besimtarëve, që janë bujarë, por numri i tyre është gjithnjë më i vogël. Megjithatë, shpesh them se, edhe pse bie sasia e besimtarëve, cilësia e besimtarëve është në rritje: besimtarët, që qëndrojnë në Kishë, kanë një marrëdhënie personale me Krishtin, luten dhe interesohen për fenë, e marrin me seriozitet dhe kjo është për ne shenjë shprese.
Asambleja e ardhshme e Jashtëzakonshme e Sinodit të Ipeshkvinjve në Romë do t’i kushtohet temës së sfidave të familjes në kontekstin e ungjillëzimit: si e kanë pritur ipeshkvinjtë këtë lajm dhe dokumentin përgatitor, që u paraqit më 5 nëntor?
Ua kemi shpërndarë pyetësorin të gjithë meshtarëve, diakonëve dhe veprimtarëve baritorë laikë, të cilëve u kemi kërkuar të diskutojnë në këshillat famullitare, të informohen drejtpërsëdrejti e të mos i botojnë përgjigjet, por t’ua japin ipeshkvinjve, që t’ia përcjellin Sinodit. Duhet thënë se në Holandë ka shumë çifte gay, çifte që bashkëjetojnë, dhe kemi gjithnjë e më pak martesa fetare katolike. Bëhet fjalë për një rënie të fortë, e cila tregon qartë se puna baritore me familjen duhet të jetë përparësi në vendin tonë.
Ka një prirje të përgjithshme për ta mënjanuar Kishën dhe fenë nga debati publik, veçanërisht kur flitet për tema etike, si eutanazia, aborti, familja. Çfarë përpjekjesh bën Kisha për ta ngritur zërin mbi këto tema? Sa është e pranishme në media?
Shteti thotë se është i themeluar mbi vlera asnjanëse, të pranueshme për të gjithë, porse edhe vlerat e ashtuquajtura “asnjanëse” të shtetit nuk janë të tilla aspak, sepse në të vërtetë edhe ato themelohen mbi një farë filozofie. Kisha Katolike holandeze nuk pranon të frikësohet. E kemi shprehur disa herë pikëpamjen tonë katolike mbi çështje të ndryshme, mbi të gjitha për sa i përket legjislacionit mbi eutanazinë. Në 2002 kemi botuar në anglisht një sërë deklaratash tonat rreth temës. Edhe unë kam shkruar shumë artikuj shkencorë, edhe në gazetat kombëtare. Pra, përpiqemi ta ngremë zërin sa më shumë dhe zëri i Kishës dëgjohet.
Me imigrimin shoqëria holandeze është bërë shumëkulturëshe dhe shumëfetare, ku prania myslimane është gjithnjë në rritje: si janë marrëdhëniet me këtë bashkësi?
Ish ipeshkvi i Amsterdam-Haarlemit është referenti ynë për dialogun ndërfetar dhe udhëheq një komision ad hoc, që ka kontakte të rregullta edhe me myslimanët. Por, problemi është se në rrafshin mysliman nuk ka një përfaqësues të vetëm: çdo xhami dhe bashkësi është e pavarur dhe ka rryma të ndryshme të Islamit. Në vendin tonë është më e thjeshtë të mbajmë lidhje me Kishat protestante, apo me bashkësinë hebraike, që e kanë një strukturë dhe një përfaqësim.
Edhe Kisha holandeze u godit nga skandali i pedofilisë. Në 2011 kemi parë Raportin e Komisionit Deetman. Çfarë është bërë që atëherë?
Para botimit të Raportit Deetman mediat ishin shumë kritike. Këto kritika u zhdukën menjëherë pas botimit të Raportit, dokument i plotë, i sinqertë, me të gjitha detajet, edhe ato më të dhimbshmet. Vëmendja jonë parësore tani iu kushtohet viktimave, diçka që është lënë pas dore në të kaluarën.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama