HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kultura dhe shoqëria >  2013-12-04 12:42:59
A+ A- Printo artikullin



Krishtlindja, në kryevepra proze: “Legjenda e zjarreve” (Emisioni IV)



(Tekste e histori Këshndellash)

Po vijojmë me rubrikën Krishtlindja, në kryevepra proze. Sot, e para nga tri legjenda shqiptare, përcjellë brezni më brezni, mbledhur nga Atë Donat Kurti, françeskan. Atë Donati, që njihet edhe si Grimmi e Anderseni shqiptar, lindi në Shkodër, më 3. 09. 1903, vdiq po aty, më 10 nëntor 1983, pasi kishte botuar veprën monumentale “Prralla Kombëtare” e si kishte bashkëpunuar në mbledhjen dhe botimin e një monumenti tjetër “Kangë kreshnikësh” ("Visaret e kombit ", vll.XI, në bashkëpunim me Atë Bernardin Palajn, botuar më 1937, ribotuar më 2005) përmbledhje e epikës legjendare.
Meshtar, shkrimtar, mbledhës foklori, pedagog, u burgos, u torturua e u flak në një kasollë në rrethinat e qytetit ku, megjithatë, vijoi të shkruante, duke na lënë trashëgim 64 dorëshkrime, me studime letrare, gjuhësore, fetare. Ndërmjte tyre, veprën “Zakone e doke shqiptare”, Botime Françeskane, 2010, 283 faqe, nga e cila zgjodhëm tri legjenda malësore (fq 205-212), kushtuar zakonit të djegies së dullijës, të Buzmit dhe kremtimit të Natës së Plakut Ogurmirë.
Duke shfletuar traditën folklorike veriore të popullit shqiptar, na ranë në sy posaçërisht legjendat kushtuar zjarreve të Krishtlindjes dhe Natës së Vitit të Ri.
Po e nisim me legjendën zadrimore të degëve të dëllinjës...

“Korbakeqi, si e pa se Krishti i vogël, lakuriq mbi kashtë, kishte ftohtë, krrokoi e tha:
“Për ta ngrohur Foshnjën, duhet bërë një zjarr shumë i madh. Merrni, prandaj, dru arre e verri. E ndizeni zjarrin. Kështu, Foshnja do të ngrohet menjëherë”.
Kur i dëgjoi këto fjalë trincka, i dhembi për Krishtin Fëmijë e tha:
“Ai gënjen, korbi i zi gënjen! Gënjen. Ka gënjyer gjithmonë. Po ju mos e dëgjoni! E ç’zjarr mund të bëhet me dru të njoma verri e arre? Krishti i vogël do të verbohej nga tymi e do të niste vajin. Nëse dëshironi ta ngrohni vërtet Krishtin Fëmijë, që lindi sonte në stanet tona, bëni një zjarr bubulak me kripçë e me dëllinjë!”.
Barinjtë për rreth Shpellës e dëgjuan trinckën e korbi rrahu flatrat e zeza si nata, e iku i zemëruar. Kështu mbeti zakon për të djegur, Natën e Krishtlindjes, një degë dëllinje, së bashku me buzmin. Sepse ngroh Foshnjen Hyjnore e tremb korbin e zi!
Buzmi, ju e dini, apo e keni harruar krejt, nga që ndoshta-ndoshta nuk ndizet më në vatrat tona? Buzmi, pra, është një trung arre a bungu, i gjatë e i trashë, mbi të cilin skaliten kryqe të vegjël. E digjet, pastaj, në vatër, në vend të qirit, pse Nata e Kshndellave është aq e madhe, sa nuk mund të lahet me dritë dylli.
E kështu, në natën e ndriçuar me dritë dëllinje e dritë buzmi, natë zjarresh, derë më derë përhapen urimet:
“Kjo natë e madhe na ndihmoftë. E Zoti na dhashtë bereqet!”.
Pastaj, majë më majë dëgjohen jehona e melodisë së Buzmit e thirrjet, që ushtojnë deri në thellësitë e humnerave:
“Ejjjj, po vjen buzmi buzëmbarë, me pemë e me bar, me shtjerra e me edha, me lopë e me viça, me kual e me maza, e me të gjitha të mirat e Zotit!”.
“Po vjen buzmi bujar, me dushk e me bar, me gja e me mall, e me të gjitha të mirat e Zotit. E pastu prû Krishti me nafakë!”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama