HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-12-05 11:50:54
A+ A- Printo artikullin



Drita e fesë



Pasi kemi parë, në kapitullin e mëparshëm, rëndësinë e përçimit të tërësishëm të fesë dhe format e tij, të shohim, tani, çfarë shkruan Papa për rolin e fesë brenda shoqërisë njerëzore, brenda “qytetit të njerëzve”.
Titulli i kapitullit IV të enciklikës është marrë nga Letra drejtuar Hebrenjve, ku thuhet: “Hyji përgatit për ta një qytet” (Heb 11,16). Vendosja e Hyjit në themelet e qytetërimit i bën të forta, të qëndrueshme dhe të besueshme marrëdhëniet ndërmjet njerëzve. Hyji, në fakt, është besnik dhe i besueshëm, prandaj, kush e ndërton jetën mbi Hyjin dhe krijon marrëdhënie të themeluara mbi dashurinë, që buron nga takimi me Hyjin, bëhet si Hyji: besnik e i besueshëm. Feja, atëherë, “nuk na largon nga bota dhe nuk është pa lidhje me angazhimin konkret të bashkëkohësve tanë. Pa një dashuri të besueshme, asgjë nuk mund t’i mbajë të bashkuar njerëzit” (n.51). Roli, që luan feja në shoqëri, është ai i çlirimit të marrëdhënieve ndër-njerëzore nga frika dhe nga interesi. Nëse bashkimi ndërmjet njerëzve është i mbështetur mbi interesin apo mbi frikën, mungon gëzimi në shoqëri, ndërsa “feja na jep kuptimin e arkitekturës së marrëdhënieve njerëzore, sepse pikas themelin e tyre të fundmë dhe pikëmbërritjen e tyre përfundimtare në Hyjin” (n.51). Në këtë këndvështrim, feja është e dobishme për të gjithë, jo vetëm për Kishën. Ajo nuk shërben vetëm si shtysë drejt qytetit të përtejmë, por si frymëzuese për ndërtimin e qytetit të Hyjit qysh në këtë tokë: “Duart e fesë lartohen drejt qiellit, por këtë e bëjnë ndërkohë që ndërtojnë, me dashuri, qytetin e ngritur mbi marrëdhëniet, për të cilat dashuria e Hyjit shërben si themel” (n.51).
Rrafshi i parë, ku shfaqet në mënyrën më të qartë forca dhe drita e fesë në marrëdhënie njerëzore, është familja. Papa nënvizon rëndësinë e bashkimit të qëndrueshëm ndërmjet burrit e gruas në martesë. Dashuria e tyre, e aftë për të lindur fëmijë, është shfaqje e mirësisë së Krijuesit. Kjo dashuri mund të qëndrojë përgjithmonë, nëse brenda saj zbulohet një shestim më i madh sesa projektet tona. Ai shestim na bën të aftë t’i dhurojmë njeriut, që duam, që tani tërë të ardhmen. Brenda familjes, feja prek të gjitha fazat e jetës. Prindërit duhet t’i ushtrojnë praktikat e fesë, sepse kështu rritet tek fëmijët ndjenja e Hyjit. Ata duhet gjithashtu t’u rrinë pranë në moshën e rinisë, kur jeta e tyre merr rrjedha të reja, shpesh herë vorbulluese. Duke folur për të rinjtë, Papa përmend edhe rëndësinë që ka fituar Dita Botërore e Rinisë: “Të gjithë e kemi parë si, në Ditën Botërore të Rinisë, të rinjtë shfaqin gëzimin e fesë, angazhimin për të jetuar një jetë gjithnjë më të qëndrueshme e bujare” (n. 53). Duke folur për të rinjtë, Papa dëshiron të theksojë se feja nuk është strehë për njerëz që s’kanë guxim, por forca që hap edhe më shumë horizontet e jetës.
Sikurse është dritë për jetën familjare, feja është dritë edhe për shoqërinë. “Në epokën moderne janë bërë përpjekje për ta ndërtuar vëllazërinë universale ndërmjet njerëzve, duke u mbështetur mbi barazinë mes tyre. Megjithatë, dalë-ngadalë, kemi kuptuar se kjo vëllazëri, pa lidhjen me një Atë të përbashkët, mbi të cilin duhet themeluar, nuk rri më këmbë” (n.54). Historia e fesë është, që në fillim, histori vëllazërimi. Në Krishtin kemi kuptuar në mënyrë përfundimtare se çdo njeri është vëllai ynë dhe drita e fytyrës së Hyjit më vjen përmes dritës sy fytyrës së njerëzve. Ky botëkuptim i krishterë i njeriut ka sjellë një risi, që njerëzimi nuk kishte arritur ta njihte më parë. Bota pagane nuk e ka shikuar gjithësinë si veprën që Hyji ka krijuar për njeriun, por e ka parë njeriun thjesht si një ndër elementet e gjithësisë. Përkundrazi, “në qendër të fesë biblike gjendet dashuria e Hyjit, kujdesi i tij konkret për çdo njeri” (n.54). Ky kujdes arrin kulimin në misterin e mishërimit, të vdekjes dhe të ringjalljes së Jezu Krishtit. Nëse njeriu e humb vendin e vet nga qendra e universit, humb edhe detyrimin e përgjegjësisë së tij morale dhe merr të drejtën për ta shpërdoruar pushtetin, pa kufi. Feja na bën t’i vështrojmë krijesat si gramatikën e dashurisë së Hyjit, si banesën, që na është besuar, për ta ruajtur e për ta mbrojtur, “si një dhuratë, përballë të cilës ndjehemi detyrës” (n.55).
Sikurse na vë në marrëdhënie të harmonishme me universin, feja rivendos harmoninë edhe ndërmjet njerëzve, nëpërmjet faljes: “Po të heqim fenë në Hyjin nga qytetet tona, do të mpaket besimi mes nesh, do të rrimë të bashkuar vetëm nga frika dhe do të kërcënohej gjendja e qëndrueshme” (n.55). Hyji, që është besnik, nuk ka turp të quhet Hyji ynë (Heb 11,16). As ne nuk duhet të kemi turp ta quajmë atë Hyjin tonë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama