HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-12-05 11:48:05
A+ A- Printo artikullin



Papa Françesku: nuk shërben për asgjë ta dëgjojmë Fjalën e Zotit, nëse nuk e zbatojmë atë në jetë



Kush thotë fjalë të krishtera pa Krishtin, pra, pa i zbatuar, i bën keq vetes dhe të tjerëve: kështu tha sot Papa Françesku, në homelinë e meshës së mëngjesit, në kapelën e Shën Martës, në Vatikan. Ta dëgjosh Fjalën e Zotit e pastaj ta zbatosh atë, nënvizoi Ati i Shenjtë, është si të ndërtosh një shtëpi mbi shkëmb. Shembëlltyra e sotme e Ungjillit, në të cilën Jezusi kritikon farisejtë, duke u vënë në dukje se vërtet i njohin urdhërimet e Tënzot, por nuk e mbushin jetën me to, i dha shkas Papës të theksojë se nëse nuk praktikohet, krishterimi mbetet vetëm një grumbull me fjalë të bukura. E pa zbatimin në praktikë, këto fjalë jo vetëm nuk na shërbejnë, por na gënjejnë, pasi na duket sikur banojmë në një shtëpi të bukur, duke harruar se s’ka themele. Kjo shtëpi, tha Papa, nuk është e ndërtuar mbi shkëmb:
“Figura e shkëmbit i referohet Zotit. Isaia, në Leximin e Parë, thotë: “Kini shpresë në Zotin gjithherë, sepse Zoti është Qeta e amshueshme!”. Shkëmbi është Jezu Krishti! Shkëmbi është Hyji! Fjala është e fortë, na jep jetë, por mund të ecim përpara, duke fituar para çdo sulmi, vetëm nëse kjo fjalë i ka rrënjët në Jezu Krishtin. Fjala e krishterë, që nuk thith nga rrënjët jetësore, nga jeta e një personi, ajo e Jezu Krishtit, është fjalë vërtet e krishterë, por pa Krishtin! E fjalët e krishtera pa Krishtin ta marrin mendjen, bëjnë keq! Një shkrimtar anglez, dikur, duke folur për herezitë thoshte se herezia është një e vërtetë, një fjalë, që kthehet në marrëzi. Kur fjalët e krishtera thuhen pa Krishtin fillojnë të ecin në udhën e marrëzisë”.
E marrëzia, shpjegoi Papa Françesku, të bën mendjemadh:
“Fjala e krishterë pa Krishtin të çon drejt krenisë, drejt sigurisë në vetvete, kotësisë, drejt pushtetit për pushtet. E Zoti u vë fre këtyre njerëzve. Kjo është konstante e historisë së Shëlbimit. E thotë Ana, nëna e Samuelit; e thotë shën Maria në “Magnificat”: Zoti e ndalon kotësinë, kreninë e këtyre njerëzve, që besojnë se janë shkëmb. Këtyre njerëzve, që vetëm sa shkojnë pas një fjale, por pa Jezu Krishtin: fjala mund të jetë madje e krishterë, por pa Jezu Krishtin, pa marrëdhëniet me Jezu Krishtin, pa lutjen me Jezu Krishtin, pa shërbimin ndaj Krishtit, pa dashurinë ndaj Jezu Krishtit. Këtë na thotë sot Zoti: ta ndërtojmë jetën mbi atë shkëmb, që është Ai vetë”.
Duhet të rrëmojmë thellë në ndërgjegje, vazhdoi Ati i Shenjtë, për të kuptuar si i themi fjalët, me, ose pa Krishtin:
“U referohem fjalëve të krishtera, sepse kur në to nuk është Krishti, na ndajnë, krijojnë përçarje në Kishë. T’i lutemi Zotit të na ndihmojë të jemi të përvuajtur gjithmonë, të themi fjalë të krishtera me Jezu Krishtin, e jo pa Të. Me përvuajtërinë e dishepujve të shëlbuar, të ecim përpara jo me fjalë, që duke menduar se janë të fuqishme, përfundojnë në marrëzinë e kotësisë, në marrëzinë e mendjemadhësisë. Zoti na dhashtë hirin e përvuajtërisë për të thënë fjalë me Jezu Krishtin, me themel në Krishtin!”




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama