HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kultura dhe shoqëria >  2013-12-06 11:45:19
A+ A- Printo artikullin



Ipeshkvi i Cape Town: Ta nderojmë Mandelën, duke luftuar për idealet e tij!



T’ i lavdërojmë, pra njerëzit e shquar, paraardhësit tanë sipas brazave (...), kryetarët e popullit me vendimet e tyre dhe mençurinë e urtisë popullore; mësimet e tyre ishin plot me ligjërime të urta (Sir. 44,1-3).
Me këto fjalë Kisha Katolike në Afrikën e Jugut shpreh mirënjohjen e saj ndaj Tata Mandelës, për vetëmohimin me të cilin iu përkushtua të gjithë popullsive të Afrikës së Jugut dhe për drejtimin dhe frymëzimin me të cilin na ka udhëhequr drejt udhës së pajtimit”, shkruan Arqipeshkvi i Cape Town (Qyteti i Kepit) dhe kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Afrikës së Jugut Stephen Brislin, në mesazhin e ngushëllimit dërguar familjes së udhëheqësit historik të luftës ndaj apartheid-it dhe presidentit të parë të Afrikës së Jugut demokratike, Nelson Mandela, i cili vdiq dje, në moshën 95 vjeçare.
Në mesazhin e ngushëllimit Imz. Brislin nënvizon se Mandela “nuk ka bërë kurrë kompromis me parimet e veta dhe me vizionin e tij për një Afrikë të Jugut të drejtë e demokratike, ku të gjithë të kenë mundësi të barabarta, dhe për këtë flijoi, për një kohë të gjatë, lirinë e vet”.
Udhëheqësi, që ndërroi jetë, kujton Arqipeshkvi, “ndonëse vuajti shumë gjatë jetës, nuk i është përgjigjur kurrë racizmit me racizëm dhe fjalët e tij, gjatë gjykimit për tradhti, na frymëzojnë edhe sot: ‘kam luftuar kundër mbizotërimit të të bardhëve dhe kam luftuar kundër mbizotërimit të të zinjve. Kam përkëdhelur idealin e një shoqërie të lirë dhe demokratike, në të cilën njerëzit jetojnë së bashku, në harmoni dhe me mundësi të barabarta’”.
“Kur Tata u lirua nga burgu më 11 shkurt 1990, vendi ishte në pështjellim dhe derdhej gjak pothuajse çdo ditë. Me anë të urtisë së tij prej udhëheqësi, që u përforcua, kur u zgjodh president në 1994, Mandela e drejtoi vendin në udhën e pajtimit e të paqes, duke i ftuar afrikanojugorët t’i hidhnin në det armët e shkatërrimit. Për këtë do t’i detyrohemi gjithmonë atij”, vijon mesazhi.
“Mënyra më e lartë për ta nderuar jetën e Nelson Mandelës është lufta për idealet që përkëdheli ai: liria, barazia dhe demokracia, dhe mbrojtja e këtyre idealeve nga ata që përpiqen t’i zvetënojnë”, përfundon Imz. Brislin.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama