HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-12-06 15:14:03
A+ A- Printo artikullin



Papa: të lutemi, deri ‘në bezdi’, që Zoti të na dëgjojë, gjithnjë të sigurtë në ndihmën e Tij



Duhet të lutemi me ngulm, të sigurt se Zoti do ta dëgjojë lutjen tonë. Mbi këtë aspekt reflektoi Papa Françesku në homelinë e Meshës, kremtuar sot paradite në Shtëpinë e Shën Martës. Lutja, pohoi Papa, ka dy aspekte është ‘nevojtare” e njëkohësisht “e sigurt” se Zoti, në kohët e veta e në mënyrat e veta, do ta dëgjojë e do të na e japë hirin, që kërkojmë.

Lutja, kur është vërtet e krishterë, lëkundet ndërmjet nevojës e sigurisë se do të dëgjohet, edhe pse nuk dihet si e kur. E kjo, sepse kush lutet, nuk ka frikë se po e shqetëson Zotin, nga që beson verbërisht në dashurinë e tij prej Ati. Verbërisht, si dy njerëzit pa dritë në sy, për të cilët flet faqja e sotme e Ungjillit. E këta dy bërtasin sa mundin, duke rendur pas Jezusit e duke iu lutur t’i shërojë. Ose si i verbëri i Jerikos, që i lyp dritë Mësuesit, duke bërtitur sa i ha zëri, pa pyetur fare për ata, që mundohen ta bëjnë të heshtë. E kjo, sepse vetë Jezusi, kujtoi Papa Françesku, na mëson të lutemi si miku i paftuar, që lyp bukë në pikë të mesnatës, ose si vejusha, që lyp drejtësi nga gjykatësi e padrejë:
“Nuk e di nëse kjo mund të tingëllojë keq, por të lutesh është njëlloj si ta bezdisësh sadopak Zotin, që të na dëgjojë. Por Zoti na e thotë vetë: si miku në mesnatë e si vejusha te gjykatësi... Për të tërhequr, kështu, sytë e Zotit, që ai të na shohë. E këtë bënë edhe të gërbulurit, që iu afruan e i thanë: ‘Nëse ti do, mund të na shërosh!’. E bënë këtë krejt të sigurt. Kështu na mëson të lutemi vetë Jezusi. Kur lutemi, nganjëherë mendojmë: ‘Epo, unë po ia kujtoj këtë nevojë; po ia kujtoj Zotit një herë, dy ... po nuk e kam gjithë këtë forcë. Lutem deri në një shenjë vendi e pastaj lodhem, harroj të lyp’. Por këta njerëz, që ecin në faqen e Ungjillit, bërtasin e nuk lodhen kurrë. Jezusi na thotë: ‘Lypni!’. E edhe: ‘Trokisni në portë’, e kush troket, bën zhurmë, bezdis, shqetëson”.
Ngulm, deri në kufi të bezdisë, prandaj! Por edhe siguri të patundshme. Të verbërit e Ungjillit vijojnë të jenë shembull. Janë të sigurt, theksoi Papa, se Zoti do t’ua kthejë dritën e syve, po t’ia kërkojnë. Prandaj pyetjes së Jezusit: “A besoni se mund t’ju shëroj”, i përgjigjen: “Po, o Zot, besojmë! Madje jemi të sigurt”:
E lutja i ka këto dy pamje: është nevojtare dhe e sigurt. Lutje nevojtare gjithnjë! Lutja, kur ne lypim ndonjë gjë, është nevojtare: ‘E kam këtë nevojë, dëgjoma zërin, o Zot!’. Por kur është e vërtetë, është edhe e sigurt: ‘Dëgjomë! Unë besoj me gjithë zemër se Ti mund ta bësh, sepse Ti vetë më ke premtuar”.
Ai premtoi: ky është guri i themelit, mbi të cilin ngrihet siguria e lutjes. Me këtë siguri, përsëriti Papa Françesku, ne ia rrëfejmë Zotit nevojët tona, të sigurt se Ai do të na e japë hirin e kërkuar. Të lutesh, vijoi akoma Ati i Shenjtë, do të thotë ta dëgjosh përsëri zërin e Jezusit, që përsërit po atë pyetje, të cilën ua pati bërë dy të verbërve: “Ti, a beson se unë mund ta bëj këtë?”:
“Ai mund ta bëjë! Kur e bën e si e bën, këtë nuk mund ta dimë. Kjo është siguria e lutjes. Nevoja për t’i thënë të vërtetën Zotit. ‘Jam i verbër, o Zot. Kam këtë nevojë. Kam këtë lëngatë. Kam bërë këtë mëkat. Kam këtë dhimbje…’.. Por gjithnjë të vërtetën, ashtu si është. E ai e ndjen nevojën tonë, ndjen se po lypim, krejt të sigurt se do të na jepet. Mendojmë se lutja jonë është nevojtare dhe e sigurt: nevojtare, nga që ia themi të vërtetën vetvetes; e sigurt, nga që besojmë se Zoti mund ta bëjë, atë që i kërkojmë”.





Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama