HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-12-06 15:14:14
A+ A- Printo artikullin



Papa Françesku inkurajon teologët të jenë pionierë të dialogut të Kishës me kulturat



Papa priti sot në audiencë anëtarët e Komisionit Teologjik Ndërkombëtar, kryesuar nga kryetari, imzot Müller, në përfundim të Sesionit Plenar. Ky takim, pohoi Ati i Shenjtë, më krijon mundësinë t’ju falënderoj për punën tuaj pesëvjeçare dhe të nënvizoj rëndësinë e shërbimit kishtar të teologëve, për jetën dhe misionin e popullit të Zotit.

Siç pohoni në dokumentin tuaj të fundit, “Teologjia sot”: perspektiva, parime, kritere”, tha në vijim Papa, teologjia është shkencë e dije. E shkenca, për vetë natyrën e saj, përdor të gjitha burimet e arsyes së ndriçuar nga feja, për të depërtuar në inteligjencën e misterit të Zotit, që u dëftua në Jezu Krishtin. E është edhe, e sidomos, dije: kur ulet në bankat e shkollës së Virgjërës Mari, që i ruante gjithë këto gjëra, duke i medituar në zemër të vet (Lk 2,19), teologu kërkon të nxjerrë në dritë unjësinë e planit të dashurisë së Hyjit dhe impenjohet të tregojë se të vërtetat e fesë formojnë një unitet organik plot harmoni. Një detyrë tjetër e teologut, është të dëgjojë me vëmendje, të dallojë e të interpretojë gjuhët, me të cilat flet koha jonë, e të dijë t’i gjykojë të gjitha në dritën e Fjalës së Zotit, që e vërteta e zbuluar të kuptohet më thellë, më mirë e të paraqitet në formë sa më të përshtatshme (Kon. Vat II. Kusht. bar. Gaudim e spes, 44). Teologët, pra, janë pionierë. E kjo ka shumë rëndësi. Përpara, pra, pionierë! Pionierë të dialogut të Kishës me kulturat. E ky dialog i Kishës me kulturat është njëkohësisht kritik e dashamir, plot me dëshirën që Fjala e Zotit të mirëpritet nga njerëzit e çdo kombi, race, populli e gjuhe!” (Vap 7,9).
Tri temat, me të cilat po merreni tani, radhiten pikërisht në këtë perspektivë. Reflektimi juaj mbi lidhjet ndërmjet monoteizmit e dhunës, dëshmon se Zbulesa e Hyjit është vërtet një lajm i mirë për të gjithë njerëzit. Zoti nuk është kurrë kërcënim për njeriun. Besimi në një Zot të vetëm tri herë shenjt, nuk mund të jetë burim dhune e intolerance. Zbulesa përfundimtare e Hyjit në Jezu Krishtin e bën krejtësisht të pamundur përdorimin e dhunës. E kjo, sepse pikërisht falë mospranimit të dhunës, ngadhënjimit mbi të keqen me të mirën, gjakut mbi Kryq, Jezusi i pajtoi njerëzit me Hyjin e me njëri-tjetrin!
Pikërisht ky aspekt, shtoi Papa, është në qendër të vëmendjes në reflektimin tuaj. E kjo synon ta shprehë konkretisht në jetën shoqërore, dashurinë e Hyjit për njeriun, dëftuar në Jezu Krishtin. Marrëdhëniet vëllazërore ndërmjet besimtarëve, autoriteti, parë si shërbim, ndarja e të mirave me të varfërit, të gjitha këto tipare, që karakterizojnë jetën kishtare qysh në zanafillë, mund e duhet të jenë model i gjallë, frymëzues e tërheqës për bashkësitë e ndryshme njerëzore, që nga familja, deri tek shoqëria civile.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama