HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-12-12 12:28:45
A+ A- Printo artikullin



Drita e fesë



Sot përfundojmë paraqitjen e enciklikës Drita e fesë. Jemi në kapitullin e katërt, që i kushtohet përmasës publike të fesë së krishterë dhe rolit të saj në jetën e shoqërisë. Në përfundim të kapitullit të katërt dhe të gjithë enciklikës, flitet për misterin e vuajtjes dhe dritën e fesë brenda errësirës së dhimbjes njerëzore: “Të flasësh për fenë, shpesh herë do të thotë të flasësh për provat e dhimbshme, por pikërisht tek këto e sheh Shën Pali kumtimin më bindës të Ungjillit, sepse tek dobësia dhe tek vuajtja del në pah dhe zbulohet fuqia e Hyjit, që e tejkalon dobësinë dhe vuajtjen tonë” (n.56).
Krishti, duke u bërë njeri, e ka përqafuar vuajtjen deri në rrjedhojën e saj më të skajshme, që është vdekja. Feja në Krishtin nuk na i mbyll sytë përballë vuajtjes, as na shtyn të shpresojmë se mund apo duhet ta shmangim atë, por ndez brenda errësirës së vuajtjes dritën e Hyjit, që na udhëheq nëpër këtë errësirë: “I krishteri e di se vuajtja nuk mund të zhduket, por mund të gjejë kuptim, mund të bëhet vepër dashurie, lëshim në duart e Hyjit, që nuk na braktis, dhe, kështu, mund të na rrisë në fe dhe në dashuri” (n.56). Duke marrë pjesë në dhimbjen e botës, i krishteri mëson të ketë vështrimin e Krishtit. Në historinë e Kishës janë të shumtë ata që kanë parë tek të vuajturit ndërmjetësit e dritës. Ndër ta spikasin Shën Françesku i Asizit dhe Nënë Tereza e Kalkutës. Feja e tyre nuk ka mëtuar ta shpjegojë misterin e të keqes e të shpërndajë krejtësisht errësirën e saj, por u ka shërbyer si llambë në shtegun e natës. Shërbimi që feja i bën shoqërisë, për sa i përket misterit të vuajtjes, është shërbimi i shpresës, sepse feja tërheq të ardhmen, që vjen nga Krishti i ringjallur. Ai e ka mundur të keqen, duke kaluar përmes të keqes.
Feja është e lidhur me shpresën dhe të dyja janë të lidhura me dashurinë, sepse kujdesi për të vuajturit është vepër e dashurisë. “E bashkuar me fenë dhe dashurinë, shpresa na projekton drejt një të ardhmeje të sigurt, që gjendet në një perspektivë të ndryshme nga perspektiva e parashtrimeve të rreme të idhujve të botës, dhe na jep një hov të ri dhe një forcë të re në jetën e përditshme” (n. 57).
Enciklika përfundon me paraqitjen e Marisë si ajo që ka besuar, prandaj është e lume (Lk 1,45): “Nëna e Zotit është ikona e përsosur e fesë, siç do të thotë Shën Elizabeta: ‘Lum ajo që ka besuar’” (Lk 1,45). Tek ajo fara e fjalës gjeti tokën e mirë . Kjo tokë është zemra, ku Maria ruajti me kujdes gjithçka bënte Zoti me të. Ajo është shembulli më i mirë se si feja e përfshin njeriun dhe përcakton krejtësisht rrjedhën e jetës: “Mund të themi se në të Lumen Virgjërën Mari vërtetohet se si besimtari përfshihet katërcipërisht në shpalljen e fesë. Maria, falë lidhjes së saj me Jezusin, është e lidhur ngusht me atë çfarë besojmë. Në ngjizjen virgjërore të Marisë kemi një shenjë të qartë të bijësisë hyjnore të Krishtit. Zanafilla e amshuar e Krishtit është në Atin, Ai është Biri në kuptimin e plotë dhe të vetëm; për këtë arsye lind në kohë pa ndërhyrjen e një burri. Duke qenë Biri, Jezusi i sjell botës një fillim të ri dhe një dritë të re, plotësinë e dashurisë besnike të Hyjit, që u dorëzohet njerëzve. Nga ana tjetër, amësia e vërtetë e Marisë i ka siguruar Birit të Hyjit një histori të vërtetë njerëzore, një trup të vërtetë, në të cilin do të vdesë mbi kryq e do të ringjallet nga të vdekurit. Maria do ta shoqërojë deri në kryq (shih Gj 19,25), prej ku amësia e saj do t’i dhurohet çdo nxënësi të Birit të vet. Edhe pas ringjalljes dhe ngjitjes së Jezusit në qiell do të jetë e pranishme në dhomën e darkës së fundit, për të thirrur me apostujt dhuratën e Shpirtit të Shenjtë” (n. 59). Pra, të gjitha misteret e jetës së Krishtit kanë prekur tërë jetën e Marisë, prandaj ajo është ikonë e jetës së krishterë. Prandaj Papa i drejton këtë lutje:
Ndihmoje, o Mari, fenë tonë!
Na e çel dëgjimin e Fjalës, që ta njohim zërin e Hyjit dhe thirrjen e tij.
Zgjo në ne dëshirën për të ndjekur hapat e tij, duke dalë nga toka jonë dhe duke pranuar premtimin e tij.
Na ndihmo të na prekë Ai me dashuri, që ne ta prekim me fe.
Na ndihmo të kemi besim të plotë tek Ai, të besojmë në dashurinë e tij, mbi të gjitha në momentet e vuajtjes dhe të kryqit, kur feja jonë është e thirrur për t’u pjekur.
Mbill në fenë tonë gëzimin e të Ringjallurit.
Na e kujto se kush beson, nuk është kurrë i vetëm.
Na mëso të shohim me sytë e Jezusit, që ai të jetë dritë në udhën tonë. E kjo dritë e fesë u rrittë gjithmonë në ne, deri kur të mbërrijë dita pa muzg, që është vetë Krishti, Biri yt, zoti ynë!




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama