HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-12-14 16:46:27
A+ A- Printo artikullin



Liturgjia e Fjalës së Zotit, e diela III e Ardhjes



E diela III e Ardhjes njihet si e diela e gëzimit, sepse kremtimi i eukaristisë fillon me një antifonë të shkëputur nga Letra drejtuar Filipianëve: “Gëzohuni gjithmonë në Zotin, po jua përsëris, gëzohuni! Zoti është afër”. Afërsia e Zotit me njerëzit është burimi i gëzimit. Krishti, me anë të misterit të mishërimit, sjell Hyjin pranë njerëzve, bashkon njeriun me Hyjin. Gëzimi, atëherë, bëhet karakteristika thelbësore e të krishterit. Gjendja shpirtërore e besimtarit nuk luhatet sipas ngjarjeve të kohës, sepse sido që të zhvillohen ngjarjet përreth tij, mbetet e paluhatshme siguria e fesë: Zoti është afër.
Për gëzimin e krishterë, si fryti më i prekshëm i fesë dhe mjeti më bindës për përhapjen e saj, ka folur shumë Benedikti XVI gjatë shërbesës papnore. Mbi gëzimin e Ungjillit flet edhe thirrja apostolike e Papës Françesku, nga ku shkëputëm këto fragmente:
Gëzimi i Ungjillit e mbush zemrën dhe tërë jetën e atyre që takohen me Jezusin. Ata që shpëtohen prej Tij, lirohen nga mëkati, nga trishtimi, nga zbrazëtia shpirtërore, nga izolimi. Me Jezu Krishtin lind e rilind përherë gëzimi. (n.1)... Ungjilli, ku shkëlqen lavdiplotë Kryqi i Krishtit, na fton me ngulm të gëzojmë. ..Mesazhi i tij është gurra e gëzimit (n.5). Ka të krishterë që duket sikur jetojnë me stilin e Kreshmëve, pa Pashkë. Megjithatë, e di se gëzimi nuk përjetohet njësoj në të gjitha etapat dhe rrethanat e jetës, që nganjëherë janë shumë të ashpra. Përshtatet dhe shndërrohet dhe gjithmonë mbetet të paktën si spirale drite, që lind nga bindja personale se jemi pafundësisht të dashur, pavarësisht nga gjithçka. I kuptoj njerëzit që janë të prirë kah trishtimi për shkak të vështirësive të mëdha që duhet të pësojnë, por pak nga pak duhet lejuar të rizgjohet gëzimi i fesë, si një besim i fshehtë, por i sigurte, edhe në mes të ngushticave më të këqija: “Mbeta larg paqes, harrova mirëqenien... Këtë dua t’i kujtoj zemrës sime, e për këtë dua të rifitoj shpresën. Hiret e Zotit nuk kanë mbaruar, nuk është shteruar mëshira e tij. Ripërtërihet çdo mëngjes dhe e madhe është besnikëria e tij... Është mirë të presim në heshtje shpëtimin e Zotit” (Vaj 3,17.21-23.26) (n.6)
Të presim në heshtje shpëtimin e Zotit. Është koha e Ardhjes. Krishti vjen për të sjellë shpëtimin.
*** *** ***

Etërit e Kishës e kanë lexuar emrin e Jezu Krishtit si përshkrimin e natyrëve dhe të misionit të tij. Ja çfarë shkruan Shën Ireneu i Lionit në një tekst që tingëllon me notat e kohës së ardhjes.

Dy emrat e Fjalës së bërë njeri: Jezusi dhe Krishti
(Ireneu i Lionit, Epideixis, 53-55.57)

Që Krishti, i cili ishte pranë Atit dhe ishte Fjala e Atit, u desh të mishërohej, të bëhej njeri, t’i nënshtrohej të lindurit, të lindte nga një virgjër e të jetonte mes njerëzve dhe kështu Ati i të gjitha gjërave të kryente mishërimin e tij, këtë na e thotë Isaia me fjalët që vijojnë: Zoti vetë do të të japë një shenjë: virgjëra do të ngjizet e do të lindë një djalë, që do të quhet Emanuel; ai do të hajë bukë e mjaltë, deri kur të mësojë të dëbojë të keqen e të zgjedhë të mirën (Is 7,14-16). Isaia ka treguar se do të lindte nga një virgjër dhe ka shpjeguar se do të ishte me të vërtetë njeri, kur thotë se do të hante, kur e thërret “bir” dhe kur thotë se do t’i vihet një emër (kjo është gjë e zakonshme me fëmijët), dhe ai ka ky emra në gjuhën hebraike: Mesi, domethënë Krisht, ose i vajosur, dhe Jezus, domethënë Shpëtimtar. Këto dy emra janë emrat e veprimeve të ndryshme që ka bërë këtu në tokë. Në të vërtetë ai mori emrin Krisht, sepse Ati i ka vajosur dhe praruar të gjitha gjërat nëpërmjet tij...
Mori emrin shpëtimtar, sepse qe shkaku i shpëtimit për ata që, në kohën e tij, ai i shpëtoi nga çdo lloj sëmundjeje dhe nga vdekja në atë moment; dhe sepse, për ata që do të besojnë në të më vonë, ai është dhuruesi i shpëtimit të ardhshëm e të amshuar.
Ja pra pse quhet shpëtimtar. Për sa i përket emrit Emanuel, ai përkthehet: Hyji me ne, ose, si shprehje urimi e formuluar nga profeti: Hyji qoftë me ne! Sipas shpjegimit të dytë, ai është interpretimi dhe zbulimi i lajmit të mirë, sepse: Ja – thotë –, virgjëra do të ngjizë e do të lindë një djalë (Is 7,14) dhe ai, që është Hyj, është caktuar për të ndenjur me ne. Po i njëjti profet thotë më tej: Një fëmijë u lind për ne, na u dha një djalë (Is 7,14) dhe quhet Këshilltar i mrekullueshëm, Hyj i fuqishëm (Is 9,5).
Ai e quan Këshilltar të mrekullueshëm, si për Atin, ashtu edhe për ne. Për Atin shpjegohet me faktin se Ati me atë i ka bërë të gjitha gjërat, siç thuhet në fillimin e librit të Moisiut, që mban titullin Zanafilla: E Hyji tha: ta bëjmë njeriun në shëmbëllimin dhe përngjasimin tonë (Zan 1,26); e këtu, në fakt, Ati flet për Birin, Këshilltar i mrekullueshëm i Atit. Por edhe për ne ai është Këshilltar, na jep këshilla – ai flet pa na detyruar si Hyj, edhe pse është njësoj Hyj i fortë (Is 9,6) –, na këshillon të heqim dorë nga mosdija dhe të marrim njohurinë, të shkëputemi nga gabimi, për t’u drejtuar kah e vërteta, të zbojmë korruptimin, për të zotëruar pakorruptueshmërinë.
Pastaj, në cilën tokë e tek cilët njerëz duhej të lindte e të shfaqej, edhe kjo gjë është bërë e ditur që më parë. Me terma të ngjashëm shprehet Moisiu në këtë pjesë të Zanafillës: Nuk do të hiqet skeptri nga Juda, as shkopi i udhëheqjes nga këmbët e tij, sepse do të vijë ai të cilit i takon dhe të cilit popujt e kanë për detyrë t’i binden; ai i lan rrobat me verë dhe në gjakun e rrushit mbipetkun (Zan 49,10-11). Mirëpo Juda, Biri i Jakobit, është kreu i fisit të judejve. Pikërisht prej tij e kanë marre emrin ata. Në të vërtetë atyre nuk u ka munguar as princi, as kreu, deri tek ardhja e Krishtit; por, pas ardhjes së tij, i ka hequr shigjetat nga kordha, toka e judejve i është nënshtruar pushtetit të romakëve e nuk patën më princër apo mbretër nga fisi i tyre, sepse kishte ardhur ai, për të cilin është ruajtur në qiej mbretëria, ai që e ka larë petkun në verë e në gjak mbipetkun. Petku dhe mbipetku i tij janë ata që besojnë në të, të cilët ai i ka pastruar, duke na shpëtuar me anë të gjakut të vet. Gjaku i tij quhet gjaku i rrushit, sepse, meqë nuk është njeri kushdo qoftë ai që mund të bëjë gjakun e rrushit, por e bën Hyji, për lumturimin e atyre që e pinë, ashtu edhe trupin dhe gjakun e tij nuk i ka bërë njeriu, por Hyji. Pra, vetë Zoti ia ka dhënë shenjën virgjërës, domethënë Emanuelin e lindur nga Virgjëra, që i lumturon ata që e pinë, domethënë ata që marrin Shpirtin e tij, që është lumturi e amshuar. Ja pse ai është edhe pritja e popujve, atyre që shpresojnë në të, sepse prej tij presim rithemelimin e mbretërisë.
*** *** ***

Në Ungjillin e kësaj të diele Gjon Pagëzuesi është në burg dhe prej andej dëshiron të dijë nëse Jezusi është Mesia. Jezusi, pasi tregon shenjat e mesianitetit të vet, flet për Gjonin si njeriun më të madh që ka lindur një grua. Shën Agostini flet për Gjonin e Jezusin në një fjalim, nga ku kemi marrë fragmentin që vijon.

Gjoni është zëri, Krishti është Fjala
Fragment nga «Fjalimet» e shën Agostinit, ipeshkëv (Fjal. 293, 3; Pl 1328-1329)

Gjoni është zëri. Ndërsa për Zotin, shkrimi thotë: “Në fillim ishte Fjala” (Gj 1,1). Gjoni është zëri, që kalon, Krishti është Fjala e amshuar, që ishte në fillim. Nëse i heq fjalën zërit, çfarë mbetet? Aty ku nuk ka një përmbajtje të kuptueshme, çfarë mbetet është thjesht një tingull i vagët. Zëri pa fjalën prek dëgjimin, por nuk e ndreq zemrën.
Në lidhje me këtë, të shohim çfarë ndodh gjatë procesit të komunikimit të mendimit. Kur e mendoj atë që duhet të them, në zemër çel menjëherë fjala. Nëse dua të flas me ty, kërkoj në ç’mënyrë mund ta bëj të hyjë tek ti atë fjalë që gjendet brenda meje. I jap zë kështu, me anë të zërit, të flas ty. Tingulli i zërit mbart tek ti përmbajtjen intelektuale të fjalës dhe, pasi të të ketë zbuluar domethënien, zhduket. Por fjala, që ka mbartur tingulli tek ti, është në zemrën tënde, madje pa u larguar nga zemra ime.
A nuk të duket, pra, se tingulli vetë, që ishte mbartës i fjalës, të thotë: “Ai duhet të rritet e unë duhet të zvogëlohem”? (Gj 3,30). Tingulli i zërit ka ushtuar për t’i shërbyer të kuptuarit e pastaj është larguar, si të thoshte: “Ky gëzim i imi u plotësua” (Gj 3,29). Ta mbajmë fort fjalën, të mos e bjerrim fjalën e ngjizur në zemër.
A dëshiron të vërtetosh si kalon zëri e mbetet hyjnia e Fjalës? Ku është tani pagëzimi i Gjonit? E dha e pastaj u largua. Por pagëzimi i Jezusit vijon të jepet. Të gjithë besojmë në Krishtin, shpresojmë në Krishtin, për të shpëtuar: ky është kuptimi që përçoi zëri.
Meqë është e vështirë të ndahet fjala nga zëri, u mendua se Gjoni vetë qe Krishti. U besua se zëri ishte Fjala; por zëri, për të mos e dëmtuar fjalën, e njohu mirë veten, prandaj tha: Nuk jam unë Krishti, as Elia, as profeti”. Iu përgjigjën: Po ti, atëherë, kush je? Unë jam, tha zëri i atij që bërtet në shkretëtirë: Përgatiteni udhën e Zotit (Gj 1,20-23). Zëri i atij që bërtet në shkretëtirë, zëri i atij që e thyen heshtjen.
Përgatiteni rrugën” do të thotë: Unë tingëlloj, për të futur në zemra Atë, por ai nuk denjon të vijë atje ku dua ta shtie, nëse nuk ia bëni gati udhën. Çfarë do të thotë: “Përgatitjani udhën!”, përveçse: “Lypni si duhet!”? Çfarë do të thotë: “Përgatitjani udhën!”, përveçse: “jini me zemër të përvuajtur!”? Merrni shembull nga Pagëzuesi, i cili, kur menduan se ishte Krishti, tha se nuk është ai që mendojnë të tjerët. Ruhet fort dhe nuk e shfrytëzon gabimin e të tjerëve, për të nxjerrë në pah veten. E pra, po të kishte thënë se ishte Krishti, do t’i kishin besuar kollaj, sepse kështu besonin për të, që para se të fliste. Ai nuk e tha, sepse pranoi mirëfilli çfarë ishte. Saktësoi dallimet e duhura. Mbeti i përvuajtur. Pa drejt ku gjendet shpëtimi. E kuptoi se nuk është, veçse një dritëz, dhe pati frikë se mund të shuhej nga era e krenarisë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama