HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-12-13 18:29:23
A+ A- Printo artikullin



Rubrika “Te gurra e besimit”: Shën Toma, prijës në dialogun ndërmjet fesë e arsyes (Emisioni XXXVI)



Në emisionin XXXVI të rubrikës “Te Gurra e besimit”, roli i Shën Tomës, si prijës në rrugën e lidhjes së fesë me arsyen. Në punën e tij teologjike, Shën Toma e mendoi dhe e konkretizoi këtë lidhje. Feja forcon, plotëson e ndriçon pasurinë e së vërtetës, që fiton arsyeja njerëzore. Besimi i Shën Tomës tek këto dy mjete të njohjes, fesë e arsyes, mund të rinisej nga bindja se të dyja burojnë nga gurra e vetme e të gjitha të vërtetave, nga Logos, Fjala Hyjnore, që vepron si në caqet e krijimit, ashtu edhe në ato të shpërblimit.
Njëheresh me përkimin ndërmjet arsyes e fesë, duhet pranuar, nga ana tjetër, edhe se ata mbështeten në ecuri të ndryshme njohëse. Arsyeja e pranon një të vërtetë, falë qartësisë së saj, të tërthortë ose të drejtpëdrejt; ndërsa feja e pranon një të vërtetë mbi bazën e pushtetit të Fjalës së Zotit, që zbulohet. Shkruan Shën Toma në fillim të veprës së tij Summa Theologiae: “Kriteri që ndjekin shkencat është e dyfishtë; disa nisen nga parimet e njohura përmes dritës natyrore të arsyes, si matematika, gjeometria e të ngjashmet me to; të tjerat nisen nga parime, që njihen përmes një shkence më të lartë. Ashtu si perspektiva niset nga parime të njohura përmes gjeometrisë e muzika, nga parime të njohura përmes matematikës. E në këtë mënyrë, doktrina e shenjtë(domethënë teologjia) është shkencë, sepse niset nga parime të njohura përmes dritës së një shkence më të lartë, domethënë, shkencës së Zotit e të Shenjtorëve (I,q. 1,a.2)”.
Ky dallim u siguron pavarësinë si shkencave shoqërore, ashtu edhe atyre teologjike. Po kjo nuk nënkupton ndarjen, përkundrazi, bashkëpunimin reciprok, me përfitim për të dyja palët. Feja e mbron arsyen nga çdo tundim mosbesimi në aftësitë e veta, e nxit të hapë horizonte gjithnjë më të gjera, ta mbajë gjallë kërkimin e bazave e, kur vetë arsyeja zbatohet në sferën e mbinatyrshme të lidhjes ndërmjet Hyjit e njeriut, e pasuron punën e saj. Sipas Shën Tomës, arsyeja njerëzore mundet, pa dyshim, të arrijë në pohimin e ekzistencës së një Zoti të vetëm, por vetëm feja, që pranon Zbulesën hyjnore, është në gjendje ta thithë misterin e Dashurisë së një Zoti të vetëm në tri Vetje.
Nga ana tjetër, nuk është vetëm feja, ajo që e ndihmon arsyen. Edhe arsyeja, me mjetet e veta, mund të realizojë diçka të rëndësishme për fenë, duke i bërë një shërbim të trefishtë, të cilin Shën Toma e përmbledh në Hyrjen e komentit të tij për veprën ‘De Trinitate” të Boecios: “Të tregojë themelet e fesë, të shpjegojë, përmes similitudave, të vërtetën e fesë, të hedhë poshtë vërejtjet që bëhen kundër fesë”(q. 2.2,a.2). E gjithë historia e teologjisë, në fund të fundit, s’është tjetër, veçse ushtrim i këtij impenjimi të inteligjencës, që tregon qartësinë e fesë, rrjedhshmërinë e harmoninë e saj të brendshme, aftësinë për të arsyetuar e për të nxitur të mirën e njeriut.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama