HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-12-15 16:44:29
A+ A- Printo artikullin



“Nuk duhet pasur kurrë frikë nga dashuria”: Papa Françesku në një intervistë dhënë gazetës “La stampa”, nga Krishtlindja, tek temat themelore për Kishën e botën



Për mua, Krishtlindja është shpresë e dashuri”... nis me një reflektim mbi kuptimin e Krishtlindjes, intervista e Papës Françesku, dhënë vatikanistit të gazetës torineze “La Stampa”. Bisedë, që zgjati një orë e gjysëm, gjatë së cilës Ati i Shenjtë preku temën e vuajtjes së fëmijëve, dramën e urisë në botë, marrëdhëniet e Kishës katolike me konfesionet e tjera të krishtera, çështjet e martesës e të familjes, që do të jenë në qendër të vëmendjes në Sinodin e ardhshëm.

Krishtlindja e parë, që kremtohet nën papninë e Françeskut e Ati i Shenjtë shpjegon si duhet jetuar me thjeshtësinë e saj të zakonshme. Është takim me Jezu Krishtin, pohon Papa Françesku, në bisedë me vatikanistin e ‘La Stampa’, Andrea Tornieli. Krishtilindja është takim i Zotit me popullin e vet. E është edhe ngushëllim, mister ngushëllimi. Na flet për dashuri e shpresë, Papa. E kjo ftesë u drejtohet gjithë të krishterëve, që Kisha të mos bëhet e akullt, të mos çorientohet e të mos frenohet nga ideologjitë dhe nga mendësia e botës. Papa Françesku rikthehet, me pak fjalë, tek kritikat dhe stereotipet e atyre, që duan t’i banalizojnë kremtimet e Këshndellave: “Kur mungon aftësia, ose krijohet një situatë njerëzore, që nuk të krijon mundësi ta kuptosh këtë gëzim, atëhere festa jetohet me harenë e botës. Por ndërmjet gëzimit të thellë të zemrës e gëzimit, që të jep bota, ka një ndryshim tepër të thellë”.
Nga reflektimi për Krishtlindjen, intervista dhënë gazetës italiane “La Stampa” i krijon Papës mundësinë të kalojë tek reflektimi mbi 50-vjetorin historik të vizitës së Palit VI në Tokën e Shenjtë. Papa Françesku shpreh dëshirën të shkojë edhe ai, për ta takuar Patrikun e Kostandinopojës, të cilin e quan ‘im vëlla, Bartolomeu’.
Pastaj prek temat e vuajtjes së fëmijëve të pafajshëm, për të cilat nuk ka përgjigje. Mbetet, atëherë, vetëm një mundësi: t’ia besojmë gjithçka Zotit, t’ia ngulim sytë, syve të Tij. E dhimbja e fëmijëve, kujton me keqardhje të thellë, është dukshme sidomos kur janë të uritur, në sa bota e ngopur nuk e ka për gjë të flakë çkujdesshëm në pleh, kafshatën aq të dëshiruar nga tjetri. Pa menduar fare se një ditë prej ditësh mund t’i trokasë edhe atij në portë uria, krah për krah me mjerimin. Prej këndej, Papa i fton të gjithë ta shkundin indiferencën e t’u japin fund shpërdorimeve.
Busulla e Papës është doktrina shoqërore e Kishës, siç e shpjegon ai vetë, duke kujtuar Evangelii Gaudium dhe kritikat, që i janë bërë nga disa mjedise. Papa mendon kryesisht për të varfërit dhe ekonominë, e cila nuk ia del kurrë mbanë t’i përmirësojë kushtet e jetës së skamnorëve, edhe kur një pjesë e botës jeton kohë të arta, të begata. Gazetarit, që e pyet nëse ndjehet i fyer, sepse e kanë quajtur “marksist”, Papa i përgjigjet se kjo nuk e fyen aspak, ndoshta edhe nga që ka njohur shumë marksistë të mirë si njerëz, e prandaj nuk ka sesi të ndjehet i fyer.
Bashkimin e të krishterëve Françesku e shikon si detyrë parësore. Sot, pohon, ekziston ‘ekumenizmi i gjakut’, e më tej shpjegon se në shumë vende, të krishterët vriten pa dallim konfesioni. Gjithsesi, për Papën, bashkimi është hir, që do akoma kohë për t’u arritur.
Lidhur me çështjen e dhënies së sakramenteve të divorcuarve të rimartuar, nuk mban asnjë qëndrim, por kujton Koncistorin e shkurtit dhe Sinodin e jashtëzakonshëm të tetorit 2014, duke nënvizuar se duhet pasur shumë kujdes e maturi, parë jo si prirje paralizuese, por si virtyt i atij, që qeveris.
Pyetjes për marrëdhëniet e drejta ndërmjet Kishës e politikës i përgjigjet duke vënë në dukje se marrëdhëniet kanë të bëjnë me fusha e drejtime të ndryshme, por themelore është që të dyja palët të bashkohen për të ndihmuar popullin.
Politika është e fisme, pohon Papa Françesku, duke cituar Palin VI, është një nga format më të larta të dashurisë. E njollosim, kur e kthejmë në tregti”.
Së fundi, një reflektim për figurën e gruas në Kishë, që duhet vlerësuar e jo klerikalizuar.






Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama