HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kultura dhe shoqëria >  2013-12-19 11:43:50
A+ A- Printo artikullin



Krishtlindja, në kryevepra proze: Jakob e Vilhelm Grimm: “Yjet e arta” (Emisioni XVII)



Rubrika “Krishtlindja, në kryevepra proze”, vijon të shfletojë vepra të letërsisë botërore, duke u ndaluar sot tek rrëfenjat e mirënjohura të vëllezërve gjermanë Jakob (Hanau, 04.01.1785-Berlin, 20.09.1863) e Vilhelm Grimm (Hanau, 24. 02. 1786-Berlin, 16.12. 1859). Vëllezërit, që kujtohen gjithnjë bashkë, sepse bashkë punuan gjithë jetën, ishin gjuhëtarë e filologë gjermanë. Njihen kryesisht si etër themelues të gjermanistikës. Jashtë vendlindjes, për mbledhjen dhe përpunimin e përrallava të traditës popullore gjermane, në veprat “Përralla” (Kinder- und Hausmärchen, -) dhe “Saga gjermanike” (Deutsche Sagen, -). Ndërmjet përrallave më të njohura në mbarë botën janë ; E Përhitura; Princi e bretkosa; Kësulëkuqja; Borëbardha… Përralla me të cilat u përkundën shumë e shumë fëmijë…
Nga bota e magjike e rrëfimeve, mbledhur nga Vëllezërit Grimm nëpër shtigjet e botës gjermane, zgjodhëm, për emisionin e sotëm, rrëfenjën “Yjet e artë”:

“Ishte fill e vetme në botë. E kishin flakur në rrugë të madhe, duke e përcjellë me fjalët: “Zoti të dhashtë, moj qyqare!”.
E ajo, jetimja e vogël, ia kishte ngulur sytë foshnjorë qiellit. Kishte bashkuar duart e njoma, kishte ngritur kokën lart, lart e, me sytë plot lot, kishte nisur t’i lutej yjeve: “O yje të artë, askush nuk më ndihmon. Më ndihmoni, pra ju!”.
Yjet e shikonin e heshtnin e ajo sillej rrugëve të botës me dorën e shtrirë udhëkryqeve, duke lypur. Sa jeta zgjaste rrugimi në kërkim të një groshi të hollë, lëshuar pa kujdes në shuplakë. Me të ajo e siguronte një kafshatë buke, por gjithnjë të njomur me lot. Shtrinte dorën për lëmoshën e zemrës së mirë. Duke shkelur nëpër dimër, priste kthjelltësinë e verës. Deri tek dimri tjetër. Gjithnjë në endje. Vetëm fillikat. Botë e mbyllur në vetvete. Pa përkëdheli. Pa asnjë rreze dashurie.
Një ditë, nësa po përpinte një copë bukë, që ia kishin falur rrugës, u ndesh me një plak, mes jetës e vdekjes. Me sytë e shtangur, pa shpirt, ngulur plot lakmi mbi copën e bukës, në dorën e vajzës
Kam uri, tha me një fije zëri plaku. Kam uri! Uri, shumë.
Merre babagjysh - ia ktheu vajza, duke zgjatur dorën me gishta të imtë fëmije, ku shtrëngonte copën e vyer të bukës. Merre bukën time. Haje!
Po ti?
Do ta gjej ndokund një kafshatë tjetër.
Oh, rëntë mbi ty shi i artë yjesh, vajzë zemërflori, uroi zemërpërvëluari. E shkoi, duke përtypur me shije bukën, në gojën e tij pa asnjë dhëmb.
Një ditë tjetër, lypësja e vogël po shkonte nga qyteti, në fshatrat për rreth. E ndeshi rrugës një vajzë tjetër, që kërcëllonte dhëmbët nga ngrica dimërore. Ishte në fill të këmishës.
Ngrin? – e pyeti.
Po, gjegji tjera duke u dridhur, nuk kam as fustan....
Merre timin, unë nuk e ndjej shumë të ftohtën, e edhe sikur të ngrij, punë e madhe. Kur ngrin, lëviz, nuk përton.
Ti qenke yll i rënë nga qielli! Oh, sikur të mundja... do t’i shkundja të gjithë yjet e qiellit. Që të binin si shi i artë mbi prehërin tënd - tha vajza.
E u ndanë secila në punë të vet. Jetimja mbeti me një këmishë të hollë, si cipa e vezës, mes zemrës e ngricës. Nata po ndahej nga dita e ajo shpejtoi hapin drejt fshatit, ku ishte një kasolle e braktisur. Aty mendonte ta kalonte natën. Tjera, vrapoi, e veshur me fustanin e saj. E ngrohur. E lume.
Muzgu binte ngadalë e në qiell ndizeshin një nga një yjet e artë. Dukeshin si pika brilanti mbi botën e pasur e të varfër. Lypësja e vogël i shikonte e qeshte, duke kujtuar urimet, që i kishin bërë, kur kishte falur copën e fundit të bukës e fustanin e vetëm, që s’e kishte më në shtat. Nisi të dridhej nga e ftohta. Në ankth, a thua po mbërrij atje shëndosh. Por e ngushëlloi veten, duke menduar se shtëpiza ishte aty, fare pranë. Po e shikonte, tashmë, portën e saj, aq të dëshiruar.
Ah, mendoi sikur yjet të resheshin si ar mbi mua, do t’i mblidhja me grushte e do të ndërtoja shtëpi të mëdha, të ndritshtme, ku do të ftoja shumë, shumë fëmijë të braktisur. Po të binte shi ari nga qielli, do t’i ngushëlloja të gjithë ata, që vuajnë; do t’ua shuaja urinë të pangrënëve, do t’i vishja të zhveshurit, do t’ua terja lotin syve, që lotojnë për një copë bukë, për një iskër dashurie. Veç, pa harruar të vesh edhe veten, sepse tani më ka hyrë e ftohta në palcë.
S’e kishte kryer ende mirë fjalën, kur ajri u mbush plot me jonet e një kënge engjëllore. Pastaj dëgjoi tringëllimin plot harmoni të iskrave prej ari. Ngriti sytë lart, pa e uli të dy gjunjtë mbi dhe, duke shtrirë fundin e këmishës. Yjet shkëputeshin nga qielli e, të shndërruar në ar tringëllues, resheshin me mijëra mbi engjëllushen, që i mblidhte duke qeshur, e lume.
Po, do të bëj, një, jo një, shumë pallate, do të bëj, shumë, të mëdhenj, për t’i mbledhur nga rrugët e akullta, pa dritë e pa dashuri, gjithë njerëzit e braktisur, gjithë ata, që vuajnë.
Qielli reshte ar e tinguj: kori zëëmbël i Parajsës përsëriste refrenin: “E Lumja ti, e Lumja!”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama