HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-12-19 15:36:13
A+ A- Printo artikullin



Gëzimi i Ungjillit - përmbledhje (I)



Fillojmë sot leximin e përmbledhjes së thirrjes apostolike Evangelii Gaudium të Papës Françesku, drejtuar mbarë Kishës më 24 nëntor 2013.Thirrja apostolike lindi si përgjigje e Papës ndaj kërkesës së etërve të Sinodit për ungjillëzimin e ri, që u mbajt vitin e kaluar në Vatikan, dhe paraqet porositë e Atit të Shenjtë për të gjithë Kishën, në misionin e saj të shpalljes së Ungjillit në botën bashkëkohore.
Thirrja apostolike e Papës Françesku u drejtohet të gjithë të krishterëve, të cilët kanë misionin t’i shpallin botës lajmin e gëzueshëm të shpëtimit. Ajo fillon me kumtimin e gëzimit, që mbjell në zemrën e njeriut takimi me Krishtin. Njeriu, në botën aktuale, rrezikon të pushtohet nga trishtimi individualist, që lind nga kërkimi i shfrenuar i të mirave materiale dhe i kënaqësive të tjera, por edhe nga izolimi i ndërgjegjes. Ky rrezik nuk kërcënon vetëm jobesimtarët: “Edhe besimtarët janë pranë këtij rreziku të sigurt e të përhershëm. Shumë vetë bien pre e tij dhe shndërrohen në njerëz të mërzitur, të pakënaqur, pa jetë” (n.2).
Papa i fton të krishterët ta lejojnë Krishtin t’i takojë përsëri. Kthimi tek Ai e ripërtërin gëzimin: “Sa mirë na bën të kthehemi tek Ai, pasi kemi humbur!” (n.3). Ai na pret gjithmonë dhe “kthehet për të na ngarkuar mbi shpatulla çdo herë” (n.3). Dashuria e tij e patrandshme na e bën të mundur ta rifitojmë dinjitetin, sa herë që ta kemi humbur. Ajo është themeli i dinjitetit tonë. Historia e shëlbimit është historia e kësaj dashurie, për këtë arsye tregimi i saj në Bibël, qysh në Besëlidhjen e Vjetër, është plot me kumtime të gëzueshme. Një përmbledhje dhe shprehje e fuqishme e gëzimit, që ngjall pritja e Mesisë, gjendet në librin e Isaisë: “Profeti Isaia i drejtohet Mesisë, duke e përshëndetur me galdim” (n. 4. Is 9,2; 12,6; 40,9; 49,13).
Ky gëzim gjendet kudo në faqet e Ungjillit, që nga lajmërimi i ngjizjes së Jezusit deri tek lajmërimi i ringjalljes së tij, prandaj, “Pse të mos hyjmë edhe ne në këtë lumë gëzimi?” (n.5). Papa Françesku e qorton stilin vetëm kreshmor të jetës së krishterë, a thua se nuk kemi edhe pashkët e ringjalljes, por është i vetëdijshëm edhe për rrethanat e jetës, shpesh herë shumë të vështira, në të cilat errësohet gëzimi: “I kuptoj njerëzit, që priren kah trishtimi, për shkak të vështirësive të rënda që duhet të durojnë, por pak nga pak duhet të lejojmë që të fillojë të zgjohet gëzimi i fesë, si një besim i fshehtë, por i qëndrueshëm, edhe në mes të ngushticave më të këqija” (n.6). Por nganjëherë gjejmë arsye të pamjaftueshme për t’u trishtuar, ndërkohë që mund të gëzohemi edhe me pak, siç kujton Papa nga përvoja e tij e gjatë mes njerëzve: “Mund të them se gëzimet më të bukura e të vetvetishme, që kam parë gjatë jetës sime, janë gëzimet e njerëzve shumë të varfër, që kanë pak gjëra ku të kapen. Kujtoj edhe gëzimin e pastër të atyre që, edhe në kulmin e angazhimeve të mëdha profesionale, kanë ditur të ruajnë në zemër besimin, bujarinë dhe thjeshtësinë” (n.7).
Ky gëzim buron, pra, në takimin me Krishtin. Ai na çliron nga vetvetja dhe na lejon të jemi jo vetëm njerëzorë, por edhe më shumë, sepse në miqësinë me Të “e lejojmë Hyjin të na çojë përtej vetvetes, për të mbërritur qenien tonë më të vërtetë” (n.8).
Gëzimi është një e mirë dhe e mira përhapet për vetë natyrën e saj, prandaj gëzimi i krishterë është ajo forcë, brenda nesh, që na shtyn drejt të tjerëve, për t’u përçuar atyre lajmin e hareshëm, me hare. “Ungjillëzuesi – thotë Papa – nuk duhet të ketë vazhdimisht një pamje prej funerali” (n.10).
Përmbajtja e lajmit të gëzueshëm është gjithmonë e njëjtë e gjithmonë e re: Krishti – Ungjilli i amshuar (Vep 14,6): “Ai mundet gjithmonë, me risinë e tij, ta ripërtërijë jetën tonë dhe bashkësinë tonë, edhe pse kjo po përjeton kohë të errëta dhe dobësimin kishtar. Parashtrimi i krishterë nuk vjetrohet kurrë” (n.11). Krishti mund të thyejë edhe skemat e mërzitshme, brenda të cilave nganjëherë e mbyllim, dhe kjo ndodh sa herë kthehemi tek freskia e Ungjillit.
Kthimi tek burimi i lajmit të mirë na bën të gjejmë rrugët e reja të ungjillëzimit, por duhet të kujtojmë se “e reja e vërtetë është ajo që vetë Hyji, në mënyrë të mistershme, dëshiron të prodhojë, ajo që Ai frymëzon, ajo që Ai ngacmon, ajo që Ai drejton dhe shoqëron në njëmijë mënyra” (n.12). Kërkimi dhe gjetja e rrugëve të reja nuk nënkupton shkëputjen nga tradita e Kishës, prandaj në rrahjen e këtyre rrugëve duhet të mbartim kujtesën e trashëguar, sikurse apostujt mbartën kujtesën e Krishtit.
Papa Kujton Sinodin e Ipeshkvijve, që u mbajt më 7-28 tetor 2012 me temë Ungjillëzimi i ri për përçimin e fesë së krishterë dhe thotë se i përgjigjet me kënaqësi kërkesës së etërve sinodalë për të shkruar këtë thirrje apostolike. Për realizimin e ungjillëzimit të ri, sipas përfundimeve të sinodit, duhen mbajtur parasysh tre rrafshe: ai i baritores së zakonshme brenda bashkësisë së gjallë kishtare; ai i baritores me të pagëzuarit, që nuk marrin më pjesë në jetën e Kishës dhe ai i shpalljes së Ungjillit për të gjithë. Ati i Shenjtë thotë se këto tema, që kanë të bëjnë me Kishën dhe botën, nuk synon t’i trajtojë në mënyrë përfundimtare dhe të plotë, duke u mbështetur në magjisterin (mësuesinë zyrtare) e tij papnor, sepse “nuk është e përshtatshme që Papa të zëvëndësojë episkopatet vendore në shqyrtimin e të gjitha problematikave që dalin në trojet e tyre” (n.16).





Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama