HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kultura dhe shoqëria >  2013-12-19 14:05:19
A+ A- Printo artikullin



Vepër e mirëpritur dhe me vlera: koment i Visar Zhitit mbi librin e Engjëll Koliqit



Dje, më 18 dhjetor, në Tiranë, në Akademinë e Shkencave u promovua libri i Engjëll Koliqit, “Miku i madh i Shqiptarëve”, kushtuar të Lumit Gjon Pali II, Papë. Botimi është i Shtëpisë “Rugova Art – DRITA”. Ky vëllim përmban 261 faqe.
Ja dy kumtesa nga promovimi i djeshëm….

Vepër e miëpritur dhe me vlera
Një vepër e mirëpritur dhe me vlera, e duhur dhe me rëndësi, shpalosëse dhe përmbledhëse njëkohësisht, një jetë dhe një vegim, një arritje e madhe botërore dhe një pasqyrë për të - kështu do të doja të thoshim për librin e ri “Miku i madh i shqiptarëve” të studiuesit dhe krijuesit Engjëll Koliqi.
Personazhi i tij, Papa Gjon Pali II, Karol Vojtila, është një nga personalitetet më të mëdhenj të kohërave, që bashkë me heronj të tjerë, i dhanë fytyrë tjetër shekullit XX, atë që dëshirohej, për të qënë nga ana e duhur e historisë, nga liritë dhe të drejtat e kombeve dhe njerëzve, nga morali kolektiv dhe mirësitë mbarënjerëzore, nga kujtesa gjenerale me vizione të së ardhmes, kundër dhunës dhe tiranive të ngritura në sistem, kundër mureve që ndajnë njerëzit midis tyre dhe njeriun me Zotin, duke u ngritur kështu në lartësitë e shenjtërisë.
Është një punë e madhe, e hatashme, më përkushtim e meçuri, që pa luftë dhe lumenj gjaku të rrëzoje perandorinë komuniste, e cila erdhi me revolucione të tmerrshme dhe shtua me luftë botërore. Në këtë bëmë të dëshurar nga popujt, për të cilën u sakrifikua shumë, është dhe dora e shenjtë e Papa Gjon Palit II.
Papa Vojtila e nisi duke na dhënë porosinë: “Mos kini frikë!”, e hodhi këtë thirrje në atdheun e tij, kur bënte pjesë në gjysmën e botës të shteteve të nënshtruar nën socializmin real ose “perandorisë të së keqes”, ndërsa kur ajo ra, patjetër dhe me ndihmesën e tij hyjnore, po ky Papë do të na porosiste përsëri: “Nuk e duam një demokraci pa virtyte”.
Njeriu duhet të jetë njerëzor, prandaj është lindur dhe shoqéria duhet të jetë njerëzore, prandaj jemi bashkë.
Libri “Miku i madh i shqiptarëve” është, po aq sa biografik, edhe rrëfim i bëmave dhe i arritjeve, i sakrificave dhe i urtësisë sublime, kronikë dhe kronologji e jetës së Papa Vojtilës, i udhëtimeve brenda dhe jashtë vetes, me frymën e Tij pannjerëzore dhe të perëndishme, i një dashurie aktive, në veprim.
Autori gjithsesi është përqëndruar dhe në hulumtimin e asaj ane aq të rëndësishme për ne, në lidhjet e Papa Vojtilës me popullin shqiptar, marrëdhëniet me shtetin e tyre dhe me atë që do të shpallej si shteti më i ri në botë, të dyja të një kombi, pra me Shqipërinë dhe Kosovën, me krerët e shquar e të përbashkët, së pari me Nënë Terezën, me të cilën ka bashkëpunuar, ia dha mundësitë, pasi ia kuptoi flatrat, që më pas do ta lumturonte po vetë.
Po kështu autori na ritregon për vizitën historike të Shenjtërisë së Tij, Papa Gjon Pali II në Tiranë dhe Shkodër, rënien e Tij më gjunjë dhe puthjen e tokës tonë sapo zbriti nga qielli, ishte e fundmja rënie më gjunjë e Papa Vojtilës mbi tokë, pritjen madhështore, takimet me njerëzit, besimtarët, me Presidentin Berisha, vlerësimet që i bën Shenjtéria e Tij kishës shqiptare, martirizimit të saj, për besimin që ngjall, po kështu dhe takimet me Presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugova, lutjet për një Kosovë të lirë, takimet me shërbesarë, por dhe me ata të Radio-Vatikanit, seksioni shqip, që në ditët më të vështira, morëm prej tyre shpresë fshehurazi, teksa denonconin të keqen e deri dhe tek dhuratat që Dom Lush Gjergji i ka dhënë Papës, “Mesharin” tonë apo librin e tij për Nënë Terezën në gjuhën polake.
Polonia është vendi i Vojtilës dhe libri që po përurojmë tani na shtjellon nga fëminia e tij atje, në atë vend heroik e me kulturë, nga rinia, kur e nisi si poet, aktor, teksa zbuloi brenda vetes dhe filozofin e shkencëtarin, të cilat s’duhet të jenë e nuk janë në kundërshtim me njeriun e fesë, e deri tek thirrja: Habemus Papa! (Kemi Papë!)
Habemus shpresë, besim, kemi përvojën e të kaluarërs dhe vizionet e së ardhmes, kemi ëndrrën dhe botën, kemi vdekjen dhe lindjen dhe rilindjen e shenjtë, kemi veten të shumëzuar në miliarda e miliarda të tjerë.
Kulme dhe kumte kuptimplotë e të gjithkohshëm gjejmë në këtë libër, ndër të tjera në vijim dua të kujtoj vajtjen e Papa Vojtila në qelinë e atentatorit, të vrasésit të tij, Ali Alça. Me dorën që tërhoqi këmbëzën e revolverit, ai i rrëmben dorën Papës dhe ia puth fort si një ndjesë e pendim i thellë, mësim për mijëra e mijéra duar që kanë tërhequr me gishtin si kthetér këmbëzën e armëve në plotonet e pushkatimeve të llahtarshme dhe të atyre që kanë përdorur armë té padukshme në pushkatime të padukshme ideologjike, kulturore, në vrasjet e përditëshme, gjithnjë e nga pak, deri sa sollën rrënim shpirtéror dhe mendor.
Por njeriu është caktuar të ngrihet dhe të triumfojë.
Bashkë. Me tjetrin. Ta kuptojmë dhe ta duam. Në diversitet dhe tolerancë, e gjitha si pasuri e përbashkët përvojash e vlerash të gjithmonta.
Ja, në libër, mes fotove të shumta, Papa Vojtila me Kur’anin në dorë, duke e puthur Librin e Shenjtë, gjest emocionues e domethënës, aq kollaj i kuptueshëm për shqiptarët, të shquar për bashkëjetesën ndërfetare.
Dhe ky Papë, që kur Shqipëria ishte nën diktaturë, në bregun përballë lutej për të me lot në sy. Eshtë fakt se shqiptarët kanë zgjedhur në rrugëtimin e tyre anën e duhur të historisë, pavarësisht se pësimet kanë qënë të rënda dhe ndëshkuese, por që meritojnë gjithsesi shpërblim.
Pra me të drejtë monografia e parë për Papa Gjon Palit II, e shkruar nga një shqiptar, titullohet “Miku i madh i shqiptarëve”, siç u cilësua nga pritësit e tij në Shqipëri. Dhe është rastësi e bukur, nëse mund ta quajmë kështu, që autori i librit ka emrin ungjillor Engjëll dhe mbiemrin Koliqi, si të kardinalit të parë shqiptar, që kaloi një kalvar të tmerrshëm nëpër burgjet e komunizmit, por që nga ky Papë u përzgjodh dhe shelbua.
Libri ndërkaq është dhe një homazh i përbashkët i shqiptarëve, mirënjohje dhe vlerësim për një mik të madh e të përbotshëm, nderim ndaj së mirës, që duke dalë në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, e bën dhe më të vyer duke i dhënë dhe simbolikë të dyfishtë.
Libri ka vlera të qëndrueshme dhe shërben për informacionin, datat, bëmat e një jete të madhe të një njeriu të madh dhe për kumtet dhe porositë që përçon, për falje dhe kujtesë, për mirëkuptim dhe ringritje, për paqe dhe një jetë me kuptim dhe me besim, me virtyte njerézore e të perëndishme.
Pavarësia, identiteti ashtu si liria, mëçuria dhe mirësitë kuptohen dhe mbrohen nga njerëz të pavarur, të lirë, të mënçur dhe të mirë dhe me identitet dhe njerëzit e tillë u përkasin popujve të tillë.
Çdo popull është njeri, çdo njeri është popull.

Visar Zhiti




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama