HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kultura dhe shoqëria >  2013-12-23 17:44:46
A+ A- Printo artikullin



Krishtlindja, në kryevepra proze: “Pol Klodel gjen Zotin”(Emisioni XX)



Sonte, në rubrikën “Krishtlindja, në kryevepra proze”, një nga 365 rrëfimet e “Librit të mrekullive”, me autorë të ndryshëm, botuar më 2007, në Milano nga Shtëpia Botuese Paoline. Titullohet “Pol Klodel gjen Zotin”.
Pol Klodel (1868-1955) ishte , e , autor i shumë veprave në prozë e poezi, ndërmjet të cilave, kryevepra, “Lajmërimi i Marisë”, dramë, së cilës i kushtoi një pjesë të mirë të jetës. Vepra, që përshkruan një shtegtim në Tokën Shenjte, është plot me dashurinë e me fenë e atij, që pati thënë: “Kush përpiqet ta realizojë parajsën mbi tokë, s’bën tjetër, veçse t’u përgatisë të tjerëve një ferr të vërtetë” dhe “Shenjtëri do të thotë të bësh vullnetin e Zotit”. E këtë vullnet nisi ta pranonte pikërisht një Natë Krishtlindjeje:

“Oh, shi i mallkuar, që s’ di të pushojë!”.
Sot Pol Klodel është prishaqefas. Mërzitet për vdekje. Parisi nën shi i duket i zbrazët e i shëmtuar.
Ç’ mund të bëjë për t’u qetësuar sadopak? Poli gogësin e merr një libër. Janë poezitë e një poeti të madh: Artur Rembo. Rembo ishte vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç, kur i shkroi poezitë e tij më të bukura. Poli është tetëmbëdhjetë e ëndërron të bëhet edhe ai poet, në gjurmët e Rembosë. Rembo është rebel, mendon se shumica e njerëzve janë të mërzitshëm e të mbrapshtë… “Ka të drejtë”, mendon Poli, i neveritur, ndërsa shikon shiun, që vijon të reshet nga qielli i zymtë.
Ka nevojë të thithë pak ajër të pastër, përndryshe është në rrezik të çmendet duke u sjellë e përsjellë kot nëpër apartamentin e tij. Nuk di si t’ia bëjë: të dalë apo të rrijë. Vendos të dalë. Përshkon, nën shi, gjithë rrugën Sân Zhak, në të cilën banon.
“Do të shkoj deri në breg të Sienës, deri tek Katedralja e Shën Marisë e atje do të ndalem pakëz!”- mendon.
Është pasdite vonë. Mbi Parisin ka rënë nata e rrugët janë përmbytur nga reshjet. Bën ftohtë. Brrrrr…
Si arrin para Katedrales së Parisit, çuditet, kur sheh një turmë të madhe njerëzish, që hyjnë brenda. Papritmas i kujtohet: “Sot është 25 dhjetor. Është Krishtlindje!” – mërmërin me vete. E kishte harruar fare. Nuk është kundër të krishterëve, por i pëlqen të tallet me ta. Me që s’ka ç’të bëjë tjetër, vendos të hyjë në Katedrale, thjeshtë për të parë ç’po ndodh. Është koha e lutjeve të mbrëmjes. Me që sonte është festë e madhe, mbrëmësoret këndohen nga kori i fëmijëve. Për t’i dëgjuar më mirë, Poli afrohet tek elteri e fshihet pas një shtylle më të djathtë. Fillon Magnificat, lutja që këndoi Maria, për të shprehur gëzimin e Ardhjes së Jezusit. Magnificat, Himni që madhëron Zotin, flet për gëzim, shpresë, besim. Të gjitha, në kundërshtim të plotë me humorin e Polit. Por ja që, papritmas, preket thellë në shpirt. Nuk e kupton ç’po i ndodh, por e ndjen veten të lumtur. Nis të mendojë se jeta është e bukur, se Jezusi ka lindur vërtetë ndërmjet njerëzve për t’i shëlbuar.
Më vonë do të shkruante:
“Në një çast të vetëm, zemra ime u prek e besova”.
Atë natë Krishtlindjeje të vitit 1886, Poli takoi Zotin në Katedralen Notre–Dame, fshehur pas shtyllës së dytë, më të djathtë. Mjaft më me mërzitje! Mjaft më prishaqefas! Sapo kthehet në shtëpi, vrapon të gjejë Biblën, që më parë nuk e hapte kurrë. Do të ishte libri i tij më i dashur. E më vonë, kur do të bëhej poet i famshëm, do të shkruante se poezitë dhe veprat e tij teatrale ishin shkruar pikërisht sipas stilit të Biblës.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama