HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-12-23 17:44:06
A+ A- Printo artikullin



Mesazhi i Krishtlindjes së imzot Dodë Gjergjit



Të dashur dëgjues, dje, ju njohëm me mesazhin e Krishtlindjes së kryeipeshkvit të Tivarit, imzot Zef Gashi, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shën Cirilit e Metodit. Sot, ju ftojmë të dëgjoni mesazhin e Krishtlindjes së kryeipeshkvit të Kosovës, imzot Dodë Gjergjit…RealAudioMP3

Fort të dashur vëllezër e motra,
Vitin që shkoi, të gjithë festonin Jubileun njëshekullor të lindjes së Shqipërisë, ndërsa ne të krishterët vazhduam me atmosferën e festës edhe këtë vit, me kremtimin e Vitit të Fesë. Brenda këtij viti, kemi kremtuar disa ngjarje të mëdha, të cilat na kanë rritur gëzimin dhe na kanë mundësuar të shijojmë bukurinë e të qenit të krishterë: celebrimin e 1700 vjetorit të Ediktit të Millanos dhe 10 vjetorin e lumturimit të Nënë Terezës, festa këto që na bashkuam në Katedrale, në Prishtinë.
Tani, po përgatitemi për të kremtuar në fe lindjen e Zotit tonë Jezu Krishtit, në Betlehemin e Judesë, festë kjo, e cila na rimbushë me gëzim, na dhuron paqe të brendshme, liri të shpirtit, ndezë flakë shpresën dhe rimbushë jetët tona me dashuri.
Fjala që u bë njeri (krh. Gj 1.14), Zoti, për dashurinë që ka ndaj nesh dhe për shpëtimin tonë zbriti prej qiellit, në Të ka pushuar “shpirti i Zotit, shpirti i urtisë e i dijes, shpirti i këshillave dhe i forcës, shpirti i kuptimit. (Iz 11 2-3) Me fuqinë e këtij Shpirti, ai e përballoi jetën njerëzore pa mëkat, edhe pse e tërë e keqja përpiqej ta sprovonte. Ne, njerëzit mëkatuam, sepse e dënuam dhe e vramë, e Ai, na shpërbleu dhe me dashuri na e fali mëkatet, na bëri t’bijë në shpirt, na shpalli Ungjillin që të lartësojmë veten tonë në vlerat hyjnore, na mësoi ta jetojmë lirinë e shpirtit që s’mund ta robërojë askush dhe në Të, ne të pikëlluarve na mbushi me gëzimin e tij të shenjtë.
Ai, përveç se na zbuloi dashurinë e Zotit, u bë ndër ne shembull shenjtërie, besnikërie, qëndrese, dhembshurie, butësie, përvujtërie, durese njerëzore me zell të shenjt. E megjithatë, jo të gjithë e duan, jo të gjithë e kërkojnë, jo të gjithë e pranojnë këtë dhuratë. Madje, as nuk i besojnë të gjithë, por kjo s’ka rëndësi. E rëndësishme është që Ai ka lindur për të gjithë, ka vdekur për të gjithë, na mëson t’i duam të gjithë njerëzit pa dallim dhe me ngjalljen e Tij, të gjithëve na i ofron shpëtimin, fenë, shpresën dhe dashurinë. Me pak fjalë, Krishti është i pranishëm ne jetën e secilit njeri, sepse ai rri te dera e zemrave të mbyllura, duke trokitur që ta pranojnë brenda, ose, duke kërkuar që të dalë nga aty në zemrën e tjetrit. Sot, kemi shumë njerëz zemërbyllur, si te ata që kanë frikë nga përgjegjësitë e dashurisë së Zotit, si te ata që e keqpërdorin Zotin për të arsyetuar egoizmin, zemërngushtësinë dhe urrejtjen.
Ne, që i besojmë Krishtit, duhet të jemi zemërçelur, si ndaj Zotit, ashtu edhe ndaj të afërmit, sepse vetëm kështu mund të festojmë me gëzim dhe të këndojmë hareshëm këngën e engjëjve: Lavdi Hyjit në më të lartin qiell e paqe njerëzve mbi tokë. Ky entuziazëm festiv do të jetë më i madh pas përvojës së Vitit të Fesë.
Në këto kohë, që kur po gëzojmë “liri e demokraci”, pothuaj dhe jemi përmalluar për dashurinë, për kujdesin njerëzor, për miqësitë, për ngrohtësinë familjare dhe për idealet sublime- pasuri këto, që na mundësonin të ngriteshim mbi kufijtë e “lirisë së burgosur” dhe të zbritnim nën “të drejtat e shtypura”, për të mbërri te zemrat e njëri-tjetrit. Sot, na ka kapluar dëshpërimi, pranë të mirave të shumta e mundësive të vogla për t’i pas ato, pranë një shteti të së drejtës ku ka “gjygj e lig” por, vështirë vihet te drejtësia, pranë një shoqërie ku të fortit kanë mundësi, punësim, pasuri, të drejta dhe liri, kurse të tjerët janë të detyruar të jetojnë fatin e varfërisë së tyre. E varfëria shumëdimensionale po e përbuzë dinjitetin njerëzor të shumë vëllezërve dhe motrave tona.
Si është e mundur që kur ka kaq shumë liri dhe të drejta, te jemi të mbërthyer brenda mureve të egoizmit dhe të urrejtjes, e të kemi zbrite nën dinjitetin njerëzor për të ikë nga përgjegjësia e dashurisë për njëri-tjetrin? Kjo gjë na ndodhë për shkak se Zotin e duam, por, nuk e lejojmë të na ndryshoj zemrat; lirinë e duam, por, s’kemi mësuar akoma se liria dhe të drejtat arrihen me dashuri dhe respekt ndaj tjetrit; jetojmë në paqe por, na mungojnë hiret dhe virtytet. E kur mungojnë këto: paqja dhe liria s’kanë kuptim. Dashuria dhe jeta e virtytshme e mirëpërdorë skamjen dhe padrejtësinë më mirë se egoizmi dhe jeta e shfrenuar lirinë dhe paqen. Megjithatë, nuk duhet të dëshpërohemi, sepse jeta jonë është n’dorë t’Zotit, por, duhet t’i bashkëndajmë këto gjëra që ta vetëdijesojmë sa ma shumë njëri-tjetrin për përgjegjësitë e përbashkëta që kemi për mirëpërdorimin e pasurive, në shërbim të një të ardhme më të mirë për të gjithë ne.
Motra dhe vëllezër fort të dashur, si gjithmonë, ju siguroj se jeni pjesë e lutjeve të mia dhe ju ftoj të më bëni pjesë të lutjeve tuaja, që s’bashku t’i lutemi Foshnjës së Betlehemit, që ta ushqejë “botën e uritur për Zotin”(N.Tereza), ta pasurojë njeriun e varfër në shpirt, ta bëjë të lumtur zemrën e të pikëlluarve dhe ta mbushë me shpresë njeriun e dëshpëruar. “Në këtë mënyrë, Kisha mund të hapë zemrën e vet për gjithë njerëzit dhe mund të vazhdojë të jetë kontribuuese e vyer në shërimin e plagëve të reja të shkaktuara nga mungesa e dashurisë dhe jeta e pavirtytshme ” (Krh. Por.2012).
Duke ju dëshiruar gjithë njerëzve vullnetmirë paqe, dashuri, gëzim familjar, mirëqenie, shëndet dhe jetë të gjatë, ju uroj festën e Krishtlindjes dhe ju përcjellë bekimet e mia për një vit të begatshëm!
Ipeshkëvi Juaj
+Dodë Gjergji




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama