HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-12-24 18:49:26
A+ A- Printo artikullin



Përurohet Shpella e Betlehemit në Sheshin e Shën Pjetrit. Kardinali Sepe: Krishtlindja sjelltë paqe e drejtësi



U përurua sot, në orën 17.00, në Sheshin e Shën Pjetrit, me notat e “O Dielli im” luajtur nga banda muzikore e Vatikanit, Shpella e Betlehemit, dhuratë nga kardinali Kreshencio Sepe për Papën. Në orën 18.00, kardinali Komastri ndezi, në emër të Papës, dritën e paqes.
Në përfundim të kremtimit, lidhja me Betlehemin.
Sivjet Shpella e Betlehemit, e vendosur si zakonisht tek këmbët e Obeliskut, në kornizën e shkëlqyer të Kolonatit berninian, titullohet: “Françesku 1223-Françesku 2013”. Hera e parë që Sheshi i Shën Pjetrit shikon një Shpellë Betlehemi napoletane. E, duke u nisur nga atmosfera e kësaj Shpelle, kardinali i Napolit, Kreshencio Sepe, i drejton botës urimet e dioqezës së tij:

Përgjigje: - Nga njëra anë, uroj një Krishtlindje plot shpresë: ky Zot, që vjen, na sjelltë shpresë, na sjelltë pakëz paqe, na sjelltë, posaçërisht, pakëz drejtësi në këto troje të helmatisura. Duam t’u përcjellim të gjithëve mesazhin të mos dorëzohemi, të e lëshojmë veten në krahët e pesimizmit, pa harruar përgjegjësinë, që kemi të gjithë, përballë realitetit: Kishë, institucione, të gjithë njerëzit vullnetmirë, që të punojnë për t’i hapur jetës një rrugë të re. Të mos e shikojmë, prandaj, shpresën si ëndërr të parealizueshme. E të japim shenja shprese!

Sivjet në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, nisi tashmë të soditet një kompleks artistik dhe arkitektonik, krijuar e realizuar nga artisti napoletan Antonio Kantone, së bashku me bashkëshorten e tij, Maria Kostabile, ndërsa vendosja u koordinua nga skenografi, profesor Antonio Di Tuoro.
Ngjarje e jashtëzakonshme, sepse është hera e parë që artizanati artistik napoletan ka privilegjin të ekspozohet në një vitrinë ndërkombëtare, absolutisht të veçantë, si Sheshi i Shën Pjetrit, ku besimtarët dhe turistët e mbarë botës, do të kenë mundësi t’i admirojnë e t’i vlerësojnë aftësitë e mëdha artistike e gjenialitetin e zejtarëve napoletanë. Napoli, që sot vuan e ndjehet keq për shumë arsye, paraqitet tani para skenës ndërkombëtare me një nga karakteristikat e tij më të shkëlqyera tradicionale artistike. Ideja, që i udhëhoqi artistët Kantone e Kostabile, ishte të vendosnin në Shpellën e Betlehemit shtatore të gjata dy metra, për t’u parë edhe nga larg. Janë 16 figura, realizuar sipas pamjes së barinjve napoletanë, me kokë e gjymtyrë prej terrakote polikrome, sy kristali e veshje pëlhure. Realizojnë kompozime, që të kujtojnë ato të shtatëqindës, përgatitur pikërisht për kishat.
Po ju njohim me personazhet e kësaj skene kaq të posaçme, që mund të soditet nga e gjithë bota njëherësh. Janë Shën Jozefi, Maria e Foshnja Hyjnore; një gajdexhi që i fryn gajdes; Mbretërit Dijetarë, dy figura fshatarësh, njëri nga të cilët, me kapuç; një fisnik lindor; një i varfër, një plakë e një cigane, që rrok krishterimin, para Krishtit Fëmijë; një vogëlushe e shoqëruar nga një i ri dhe një fshatar i vogël.
Vendosen në një kornizë, që të kujton mjediset fshatarake të Kampania Felix e cila, për faj të disave, quhet sot ‘toka e zjarreve’.
Figurat vendosen në mënyrë që në qendër të jetë Foshnja Hyjnore, e rrethuar nga njerëz të popullit, veshur thjesht, në adhurim. Të vetmet figura veshur me salltanet, janë Mbretërit Dijetarë.
Posaçërisht e studiuar, skenografia, projektuar nga profesor Antonio Di Tuoro, i cili është kujdesur që Shpella e Betelehemit të mund të admirohet nga të gjitha këndvështrimet, në 360°.
Një atmosferë e ngrohtë ndehet mbi gjithë Shpellën, falë teknikës së përdorur për ndriçimin, që luan me ditë-hijet, pa u ndjerë fare prania e llampave.
Edhe sivjet Shpella e madhe e Betlehemit, vendosur në zemër të krishterimit, u realizua falë ndihmës së disa bamirësve, duke i kufizuar në kulm shpenzimet në ngarkim të Governatoratit.
Studioja e punimeve artizanale Kantone e Kostabile, me seli në Napoli, vijon traditën napoletane të artit të Shpellave të Betlehemit, duke krijuar, me art, figura, që bëjnë pjesë, pastaj, në koleksione të famshme, në Itali e jashtë saj.





Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama