HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kultura dhe shoqëria >  2013-12-25 18:37:45
A+ A- Printo artikullin



Krishtlindja, në kryevepra proze: David Maria Turoldo “Kjo është Krishtlindje e re” (Emisioni XXII)



I ftuar në rubrikën “Krishtlindja, në kryevepra proze” sot është David Maria Turoldo (në shekull Jozef) (Koderno, 22.09.1916-Milano, 6.02.1992), rregulltar e poet i njohur italian, i Urdhërit të Shërbëtorëve të Marisë. Kritika e shikon si një nga përfaqësuesit më të denjë të shndërrimeve të katolicizmit në gjysmën e dytë të ‘900-tës. Prej këndej, u quajt “ndërgjegjja e shqetë e Kishës”. I nënti i dhjetë fëmijëve të familjes, 9 vjeç hyri në Kuvendin e Servitëve, ku mori emrin vëllau David. I doktoruar në filozofi, në Universitetin Katolik të Milanos, u bë vetë mësimdhënës i filozofisë e i letërsisë në Universitete të mirënjohura italiane. Po ai kishte një qëllim të vetëm në jetë: të realizonte vetveten me moton e krishterë: “Të jesh në botë, pa qenë i botës: të jesh në sistem, pa qenë i sistemit”. Prej këndej nuk deshi të radhitej në asnjë parti, as në Demokracinë e Krishterë, që ishte më pranë Kishës. Herë me vendosmëri, herë me ashpërsi, por gjithnjë dialektikisht, trajtoi problemet më të mprehta të realitetit, duke krijuar një mori veprash, kryesisht poetike, si “Të fundmet këngë”; “Edhe Zoti është i palum”; “Në portën e së mirës e të së keqes” etj etj. Zgjodhëm për emisionin XXI, syzimin “Kjo është Krishtlindje e re”:

“Po, po, është shkruar edhe tepër për Krishtlindjen! Tepër shkrime, me pak e aspak poezi! Mishërimi shndërrohet në zdërhallje vitrinash. Po kush guxon ta kundërshtojë mendësinë e botës? T’i kundërvihet kotësisë? Tepër i guximshëm njeriu, që vijon betejën në sheshe të rrezikshme mejdani. Shenjë e kohëve të reja, ndoshta? Prandaj shpesh na pushton trishtimi... E si mos të të pushtojë, kur shikon një rini të tërë të krishterë, që nuk dëshiron më të preket nga Krishtlindja! Një mori njerëzish, që nuk duan të hyjnë më në zemër të tjetrit, si hyn blerimi në sy. Duan të ecin nëpër terr. Vetëm. Të shkelin në bukë. E të pështyjnë në Dritë. Rrëmbehen nga shtjella e gjithëfarë erërash, në kërkim të viseve pa dimër.
Të varfër, pastaj, me zë të vogël, pa jetë. Që nuk i tërheq më pakoja me dhurata... Provojeni të përgatisni drekën e famshme të festës për të pastrehët... natyrisht, endacaku është gati të përfitojë e të shtrohet në sofrat e begata të Ditës së madhe. Po edhe njeriu më i vobektë e di se nuk duhet ngrënë vetëm një herë në vit. Ditën e lindjes së Krishtit. Viti ka 365 ditë. E Krishtlindja, vetëm një. Edhe më i humburi, që endet rrugëve, tashmë i njeh shifrat e turpit. Të gjithë e dinë se çdo vit në botë vdesin nga uria më se një milion njerëz.
Atëherë? Sa Krishtlindje ke kremtuar vërtet në jetën tënde?
Pesëdhjetë? Gjashtëdhjetë? Apo shtatëdhjetë? Nësa bota ka kremtuar deri më sot më se 2000. Po para syve të Zotit, njëmijë vjet janë porsi dita që perëndoi.
Rëndësi ka që çdo vit të mund të thuash: “Ja, kjo është vërtet Krishtlindje e re”.





Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama