HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-12-25 17:43:40
A+ A- Printo artikullin



Mesazhi i Papës për Krishtlindje: paqe për mbarë botën; ta lëmë Zotin të na prekë me dashurinë e Tij!



Ta lëmë Zotin, që u bë fëmijë, të na i ngrohë zemrat me dashurinë e Tij: është ftesa e Papës Françesku në Mesazhin e parë të Krishtlindjes me rastin e Bekimit “Urbi et Orbi”- “Romës e Botës”, shqiptuar nga lozha qëndrore e Bazilikës së Shën Pjetrit, pas himneve të Vatikanit e të Italisë, luajtur nga Banda e Xhandarmërisë vatikanase dhe Arma e Karabinierëve. Rreth 70 mijë vetë të pranishëm në Shesh.

Ishte një thirrje e ngutshme për paqe, në mbarë botën. Papa bëri të vetën këngën e engjëjve, që iu dukën barinjve në Betlehem natën kur Lindi Jezusi: “Lumni Zotit në më të lartin qiell! E përmbi tokë paqe njerëzve, që Ai i do”(Lk 2,14):
“Një këngë, që bashkon qiell e tokë, duke i drejtuar qiellit nder e lavdi e tokës së njerëzve, urimin e paqes. I ftoj të gjithë të bashkojnë zërat në këtë këngë: kjo këngë i përket çdo burri e çdo gruaje, që rri zgjuar këtë natë, që shpreson në një botë më të mirë, që kujdeset për të tjerët, duke u përpjekur për të kryer përvujtërisht detyrën e tij”.
Lumni Hyjit!
Për këtë, para së gjithash, na bën thirrje Krishtlindja, pohoi Papa, t’i japim lumni Zotit, sepse është i mirë, është besnik, është i mëshirshëm:
“Në këtë ditë uroj që të gjithë ta njohin fytyrën e vërtetë të Hyjit, Atit, që na dhuroi Jezusin. Uroj që të gjithë ta ndjejnë se Zoti është pranë, të rrinë në praninë e Tij, ta duan, ta adhurojnë. E secili nga ne t’i japë lumni Hyjit, posaçërisht me jetë, me një jetë të shkrirë nga dashuria për Të e për vëllezërit”.
Paqe njerëzve!
Paqja e vërtetë, vijoi Ati i Shenjtë, nuk është ekuilibër ndërmjet forcave kundërshtare. Nuk është ‘fasadë’ e bukur, pas së cilës fshihen kontraste e përçarje. Paqja është impenjim i përditshëm. Paqja është edhe Krishtlindje. Çohet përpara, duke u nisur nga dhurata e Zotit, nga hiri që na dha në Jezu Krishtin.
Duke kundruar Foshnjën në shpellë, Foshnjën e paqes, Papa mendon për fëmijët, viktimat më të brishta të luftërave, por mendon edhe për pleqtë, për gratë e keqtrajtuara, për të sëmurët... Luftërat shkatërrojnë e plagosin shumë jetë! E tepër, theksoi Ati i Shenjtë, shkatërroi kohët e fundit konflikti në Siri, duke ndezur urrejtje e hakmarrje.
Vijojmë ta lusim Zotin që t’i kursehen popullit të dashur sirian vuajtje të reja, që palët në konflikt t’i japin fund çdo dhune e të garantojnë hyrjen e ndihmave humanitare. E pamë sa e fuqishme është lutja! E jam i kënaqur që sot bashkojnë zërat në lutjen tonë për paqe në Siri, edhe besimtarët e konfesioneve të ndryshme fetare. Nuk duhet ta humbasim kurrë guximin e lutjes. Guximin për të thënë: O Zot, na e jep paqen për Sirinë e për botën mbarë. Edhe jo besimtarët i ftoj ta dëshirojnë paqen, me dëshirën e tyre që e zgjeron zemrën: Të gjithë, të bashkuar, me lutje o me dëshirë, për paqen!
Mendimi i Papës shkoi, pastaj në Afrikë:
“Jepi, Foshnjë Hyjnore, paqe Republikës Qendroafrikane, shpesh herë e harruar nga njerëzit. Po Ti, o Zot, nuk harron askënd! Çoje paqen edhe në këto troje, të copëtuara nga spiralja e dhunës dhe e mjerimit, ku shumë njerëz nuk kanë strehë, ujë, ushqim, nuk kanë as më të voglën gjë, që duhet për të jetuar. Ndihmoje të pajtohet Sudanin e Jugut, ku tensionet aktuale shkaktuan viktima të shumta e kërcënojnë bashkëjetesën paqësore të këtij Shteti të ri. Ti, Princ i paqes, shndërroji kudo zemrat e njerëzve të dhunshëm, që t’i lëshojnë armët e t’i hapin rrugën dialogut”.
Kujtoi Nigerinë, më pas, të copëtuar nga sulmet e vazhdueshme, që nuk i kursejnë njerëzit e pafajshëm e as të pambrojturit. E i lypi Zotit bekimin për Tokën, që e zgjodhi për të ardhur në botë, duke iu lutur të përfundojnë me sukses bisedimet e paqes ndërmjet izraelitëve e palestinezëve. Më pas, lutja për shërimin e plagëve të Irakut të dashur, të goditur në zemër nga një mori atentatesh! Për të gjithë ata, që persekutohen për shkak të fesë së krishterë, për të shpërngulurit e refugjatët, posaçërisht në Bririn e Afrikës e në lindje të Republikës Demokratike të Kongos. E edhe për emigrantët, në kërkim të një jete dinjitoze, që të gjejnë mikpritje e ndihmë:
“Tragjeditë, që kemi parë këtë vit, me një numër të madh të vdekurish në Lampeduzë, mos ndodhshin kurrë më!”.
Këtë theksoi Papa, për të vijuar lutjen:
“O Foshnjë e Betlehemit! Prekua zemrat atyre, që merren me tregtinë e njerëzve, që ta kuptojnë sesa i rëndë është ky krim kundër njerëzimit; silli sytë e Tu drejt fëmijëve, që rrëmbehen, plagosen e vriten në konflikte të armatosura e drejt atyre, që shndërrohen në ushtarë, duke u rrëmbyer edhe fëmijërinë”.
O Zot i qiellit e i tokës, vijoi të lutet Ati i Shenjtë, shikoje Planetin tonë, të cilin shpesh lakmia e pangopësia e njerëzve e shfrytëzon mbarë e mbrapsht. Ndihmoi e mbroji ata, që janë viktima të fatkeqësive të natyrës, posaçërisht popullin e dashur të Filipineve, dëmtuar rëndë nga tufani i kohëve të fundit.
Së fundi, ftesa për të kujtuar se në këtë botë, në gjirin e njerëzimit të sotëm, lindi Shëlbuesi, Krishti Zot:
“Të ndalemi para Foshnjës së Betlehemit. Ta lëmë zemrën të preket. Kemi frikë se zemra jonë do të preket. Po kemi edhe nevojë të prekemi! Ta lëmë, pra, zemrën të preket, të ngrohet nga dhimbsuria e Zotit; sa nevojë kemi për ledhatimet e Tij! Përkëdheljet e Zotit nuk hapin plagë. Zoti është i madh në dashuri, Atij i qoftë lavd e nder në shekuj të shekujve! Zoti është paqe: t’i kërkojmë të na ndihmojë për ta ndërtuar paqen ditë për ditë, në jetën tonë, në familjet tona, në qytetet e kombet, në botën mbarë. Ta lëmë Zotin të na i prekë zemrat, me mirësinë e Tij!”.







Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama