HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-12-25 10:50:07
A+ A- Printo artikullin



Papa Françesku: Homelia në Meshën e Natës së Krishtlindjes(Tekst i plotë)



“Populli, që shtegtonte në terrina, pa një dritë të madhe”(Is 9,1).Kjo profeci e Izaisë vijon të na prekë, posaçërisht kur e dëgjojnë në Liturgjinë e Natës së Krishtlindjes. E nuk është thjesht fakt ngashëryes, sentimental: na prek, sepse na kujton realitetin e thellë të vetë qenies sonë. Na tregon kush jemi: jemi popull në shtegtim, e rreth nesh – e edhe brenda nesh – ka terr e dritë. E në këtë natë, ndërsa shpirti i errësirës mbështjell botën, përsëritet ngjarja, që vijon të na çudisë e të na mrekullojë: populli në shtegtim shikon një dritë të madhe. Dritë, që na nxit të reflektojmë mbi këtë mister: mister i të ecurit e i të shikuarit.
Me ecë. Folja na bën të mendojmë për rrjedhën e historisë, për atë shtegtim të gjatë, që është historia e shëlbimit, duke nisur nga Abrahami, ati ynë në fe, të cilin Zoti, një ditë, e thirri e i tha të nisej, të dilte nga vendi i tij, për të shkuar kah toka, që Ai vetë do t’ia tregonte. Që asokohe ne, si besimtarë, jemi njerëz në shtegtim kah toka e premtuar. Kjo histori shoqërohet gjithnjë nga Zoti! Ai e mban besën e lidhur me njeriun dhe me premtimin e Tij. “Zoti është dritë e në të nuk ka kurrfarë hijeje” (1 Gjn 1,5). Ndërsa në anën e popullit, këmbehen çastet e dritës e të errësirës, të besnikërisë e të pabesisë, të bindjes e të mosbindjes, çastet e popullit shtegtar e të popullit ravgues.
Edhe në historinë tonë personale këmbehen çaste të ndritura e të errëta, shndërrohen dritë e hije. Nëse e duam Zotin e duam edhe vëllezërit, ecim në dritë, por nëse e mbyllim zemrën, nëse në shpirtin tonë sundon mburrja, mashtrimi, interesi vetjak, atëherë mbi ne dyndet errësira. E dyndet edhe në ne, brenda nesh, rreth nesh! “Kush e urren vëllain e vet, shkruan Shën Gjoni Apostull, është në errësirë, ecën në errësirë e nuk e di nga ia mban, sepse errësira ia ka verbuar të dy sytë e ballit”. Popull në shtegtim. Popull shtegtar. Që nuk dëshiron të jetë endacak.

2. Në këtë natë, si një tufë rrezesh ndriçuese, shkëlqen kumtimi i Apostullit: “U duk hiri i Hyjit, që u sjell shëlbimin të gjithë njerëzve” (Tt 2, 11).
Hiri, që u duk në botë, është Jezusi, i lindur nga Virgjëra Mari, njeri i vërtetë e Hyj i vërtetë. Erdhi në historinë tonë, nisi të ecë me ne. Erdhi për të na çliruar nga errësira e për të na dhuruar dritë. Në Të u duk hiri, mëshira, dhimbsuria e Atit: Jezusi është dashuria, që u bë njeri. Nuk është vetëm mjeshtër i dijes, nuk është ideal, që duam ta arrijmë e nga i cili e dimë se jemi tepër larg, është vetë kuptimi i jetës dhe i historisë, që ngriti çadrën ndër ne.

3. Barinjtë e panë të parët këtë ‘çadër’, e morën të parët kumtin e lindjes së Jezusit. Qenë të parët, sepse ishin ndër të fundmit, ndër të shtypurit. E qenë të parët, edhe sepse rrinin zgjuar natën, duke ruajtuar grigjët e tyre. Së bashku me ta, ndalemi para Foshnjës, ndalemi në heshtje. Me ta e falënderojmë Zotin, që na dhuroi Jezusin, e me ta e lëmë të na lartohet nga thellësia e zemrës, lavdërimi për besnikërinë e Tij: të bekojmë, o Zot Hyj i Tejetlartë, që u ule kaq shumë për ne. Ti je vetë madhëria e u bëre i vogël; je i pasur, e u bëre i varfër, je i gjithëpushtetshëm, u bëre i ligësht.Në këtë natë, ta jetojmë së bashku gëzimin e Ungjillit: Zoti na do, na do shumë, sa na dhuroi të Birin si vëlla, si dritë në errësirën tonë. Zoti na përsërit: “Mos kini frikë!”(Lk 2,10). E edhe unë po ju përsëris: Mos kini frikë! Ati ynë është i durueshëm, na do, na dhuron Jezusin për të na prirë në shtegtimin drejt tokës së premtuar. Ai është drita, që davarit errësirën. Ai është mëshira: Ati ynë fal gjithnjë. Ai është paqja jonë! Amen.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama