HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-12-29 12:45:36
A+ A- Printo artikullin



Liturgja e Fjalës së Zotit - Familja e Shenjtë e Nazaretit



Këtë të diel Kisha kremton festën e Familjes së Shenjë, ku lind e rritet Fjala e Mishëruar. Teksti që vijon është pjesë e një homelie të Shën Gregorit të Nisës për lindjen e Krishtit, duke komentuar librin e Këngës së Këngëve.
Vijon edhe teksti i fjalimit të mbajtur nga Papa Pali VI në shtëpinë e Nazaretit dhe komenti i Ungjillit të kësaj të diele nga Shën Gjon Gojarti

Nga “Homelitë mbi Këngën e Këngëve” të shën Gregorit të Nisës, ipeshkëv

Foshnja Jezus, që sot lindi për ne, rritet, tek ata që e pranojnë, në dije, moshë e hir, por jo gjithkund njësoj: nuk është njësoj në të gjithë, por i përshtatet mundësisë dhe aftësisë së secilit, në atë masë në të cilën pranohet: shfaqet si fëmijë, i ri, i rritur. Është si vilja në hardhi: nuk është gjithmonë njësoj, por ndryshon me ndryshimin e stinëve: bulon, lulëzon, formohet fryti, piqet, bëhet verë. Vreshti, në frytin ende të papjekur dhe të gatshëm për verën, e mbart qysh në fillim premtimin, por pret stinën e duhur. Megjithatë, nuk mund të thuhet se vilja nuk është tërheqëse. Nuk lumturon shijen, por lumturon nuhatjen. Duke pritur të vjelat, me anë të shpresës, ngushëllon zemrën. Feja e fortë dhe e sigurte e hirit të shpresuar është qysh në fillim një kënaqësi për atë që pret me durim. Edhe vilja e Qipros , (për të cilin flet Kënga e Këngëve): e premton verën, edhe pse nuk është bërë ende verë. Me anë të lules (lulja është shpresa) jep garancinë e hirit të ardhshëm. Ai që, me dëshirë, e pranon plotësisht ligjin e Zotit dhe ditë e natë e mediton në zemër, rritet si pema e begatë, e riguar nga damarët e ujit të gjallë, dhe, kur të vijë koha, jep fryte. Për këtë arsye, vreshta e Dhëndrrit, rrënjët e të cilës shtrihen thellë në oazin pjellor të Engadit, domethënë në meditimin e thellë, të riguar e të ushqyer nga Shkrimi i Shenjtë, prodhon këtë vile të gjerbër e të lulëzuar, që është shpirti me shikimin e ngulur tek ai që e mbolli dhe e rriti. Sa e bukur është kjo rritje, fryti i së cilës përthyen bukurinë e Dhëndrrit! Ai është, në fakt, drita e vërtetë dhe drejtësia e vërtetë, siç lexohet në librin e Urtisë dhe në pjesë të tjera të Shkrimit të Shenjtë. Kur një njeri arrin plotësinë e qenies së vet me anë të veprave, sheh, në “vilen” e shpirtit të vet, vetë dhëndrin, sepse kundron dritën e së vërtetës në shkëlqimin dhe pastërtinë e jetës së vet. Prandaj ajo hardhi e pllenuar thotë: e imja është vilja që lulëzon e bulon. Kjo është vilja e varur pezull në drurin në të cili gjaku bëhet ushqim e shpëtim për ata që pinë dhe ngazëllehen në Krishtin Jezus, Zotin tonë, të vetmit të cilit i takon lavdia e pushtetit në shekuj të shekujve. Amen.

Fjalimi i mbajtur nga Papa Pali VI në Nazaret më 5 janar 1964

Shtëpia e Nazaretit është shkolla ku kemi filluar ta kuptojmë jetën e Jezusit, domethënë shkolla e Ungjillit. Këtu mësohet si të shikojmë me vëmendje, të dëgjojmë, të përsiasim, të hyjmë sa më thellë në kuptimin e mistershëm të shfaqjes kaq të thjeshtë të Birit të Hyjit, kaq të përvuajtur e të bukur. Ndoshta mësojmë, gati pa e vënë re as vetë, edhe ta imitojmë atë. Këtu mësojmë metodën që na e bën të mundur ta njohim kush është Krishti. Këtu zbulojmë nevojën për të vrojtuar rrethanat e banimit të tij mes nesh: vendet, kohët, zakonet, gjuhën, ritet e shenjta, pra gjithçka që përdori Jezusi për t’iu shfaqur botës. Këtu gjithçka ka tingullin e vet, gjithçka domethënien e vet. Këtu, në këtë shkollë, mësojmë pse duhet të mbajmë një disiplinë shpirtërore nëse dëshirojmë të ndjekim doktrinën e Ungjillit dhe të bëhemi dishepuj të Krishtit. Oh! Sa mirë do të ishte të bëheshim fëmijë e të uleshim në shkollën e përvuajtur e sublime të Nazaretit! Sa shumë do të dëshironim të rifillonim, pranë Marisë, të mësonim dijen e vërtetë të jetës dhe urtinë eprore të të vërtetave hyjnore! Por jemi këtu kalimthi, prandaj na duhet të zhvishemi nga dëshira për të vijuar ta njohim, në këtë shtëpi, formimin që nuk mbaron kurrë dhe që duhet për të kuptuar Ungjillin. Megjithatë, nuk do të largohemi prej këndej pa mbledhur, si tinëz, disa porosi të shkurtra nga shtëpia e Nazaretit. Para së gjithash ajo na mëson heshtjen. Oh, sikur të rilindte në ne vlerësimi për heshtjen, atmosfera e admirueshme dhe e domosdoshme për shpirtin, në një kohë kur jemi të shushatur nga shumë rrëmuja, zhurma dhe zëra bujëmëdha, në jetën e trazuar e të dallgëzuar të kohës sonë. O heshtje e Nazaretit, na mëso të jemi të qëndrueshëm në mendime të mira, të kujdesshëm për jetën shpirtërore, të gatshëm për të dëgjuar mirë frymëzimet e Hyjit dhe porositë e mësuesve të vërtetë. Na mëso sa të rëndësishme dhe të domosdoshme janë puna, studimi, përsiatja, jeta shpirtërore, lutja,, që vetëm Hyji i shikon, në fshehtësi. Këtu e kuptojmë si jetohet në familje. Të na e kujtojë Nazareti çfarë është familja, çfarë është bashkësia e dashurisë, bukuria e saj, e përkorë dhe e thjeshtë; karakteri i saj, i shenjtë dhe i padhunueshëm; të na bëjë të shohim sa i ëmbël dhe i pazëvendësueshëm është edukimi në familje, të na mësojë funksionin e saj të natyrshëm brenda rendit shoqëror. Në fund, të nxëmë mësimin e punës. Oh, banesë e Nazaretit, shtëpi e Birit të zdrukthëtarit! Këtu duam të mësojmë të kremtojmë ligjin e rreptë, sigurisht, por të sigurt të shëlbimit nga mundet njerëzore; këtu të fisnikërojmë dinjitetin e punës, që ta ndiejnë të gjithë; të kujtojmë, nën këtë çati, se puna nuk mund të jetë qëllim në vetvete, por e fiton lirinë dhe shkëlqimin falë shtysës drejt qëllimit fisnik e jo falë asaj që quhet vlerë ekonomike; këtu dëshirojmë të përshëndesim punëtorët e të gjithë botës dhe t’u tregojmë modelin e madh, vëllain e tyre të madh, profetin e të gjitha çështjeve të drejta që kanë të bëjnë me ta, Krishtin, Zotin tonë.

Nga “Komenti i Ungjillit sipas Mateut” i Shën Gjon Gojartit
Ne duhet t’i presim tundimet dhe rreziqet që në ditët e para të jetës sonë. Shikoni si i ndodhi kjo gjë Krishtit, që në fillim, që në djep. Ai sapo kishte lindur, por egërsia e tiranit ishte lëshuar tashmë me tërbim kundër tij dhe e detyroi të ikte në një vend të huaj. Kjo sjellje e Hyjit ju tregon se, kur të keni nderin për t’u angazhuar në ndonjë shërbesë a shërbim shpirtëror dhe e shihni veten të rrethuar nga një pafundësi rreziqesh e të detyruar të duroni fatkeqësi të kobshme, nuk duhet të trazoheni, as të thoni me vete: “Për çfarë arsyeje më keqtrajtojnë kështu, mua, që prisja kurorën, lëvdatat, lavdinë, shpërblimet shkëlqimtare, sepse kam bërë vullnetin e Hyjit?” Le t’ju shtyjë, pra, ky shembull, për t’i duruar me qëndrueshmëri fatkeqësinë dhe le t’ju bëjë të vetëdijshëm se, zakonisht, ky është fati i njerëzve të përshpirtshëm: të kenë, si shoqe të pandashme, provat dhe ngushticat. Vëreni çfarë i ndodhi jo vetëm Nënës së Jezusit, por edhe mbretërve dijetarë. Ata kthehen mbrapa fshehurazi, si të ishin ikanakë, dhe Virgjëra, që nuk e kishte zakon të dilte nga shtëpia, detyrohet të bëjë një udhë fort të gjatë e të lodhshme, për shkak të asaj lindjeje shpirtërore të jashtëzakonshme e befasuese.
Admirojeni edhe një herë ngjarjen e mrekullueshme! Palestina e përndjek Jezu Krishtin dhe Egjipti e pranon dhe e shpëton nga përndjekësit e vet.
Engjëlli nuk i shfaq Marisë, por Jozefit, e i tha: “Çohu e merr fëmijën e nënën e tij”. Nuk i tha më, siç i kishte thënë më parë, “merr gruan tënde”, por “merr nënën e tij”, sepse tahmë, pas lindjes, Jozefi nuk kishte më asnjë dyshim dhe besonte në mënyrë të patundur në vërtetësinë e misterit. Engjëlli i flet, prandaj, me lirshmëri më të madhe, pa e quajtur Jezusin “birin e tij” dhe Marinë “gruan e tij”, por duke thënë: “Merre fëmijën e nënën e tij dhe ik në Egjipt”. Dhe i shpjegon arsyet e ikjes, kur shton: “Sepse Herodi po e kërkon fëmijën, për ta vrarë”. Jozefi, kur i dëgjoi këto fjalë, nuk mbeti me përshtypje negative. Nuk i tha engjëllit se ajo arratisje i dukej enigmatike, meqë para pak kohësh engjëlli i kishte thënë se foshnja do të shëlbonte popullin e vet, ndërsa tani dukej se nuk ishte io aftë as të shpëtonte veten. Ajo arratisje, ai udhëtim e ajo endje e gjatë, a nuk ishin në kundërshtim me premtimin që vetë engjëlli i kishte bërë? Por Jozefi nuk tha asgjë nga këto, sepse ishte burrë me fe. Nuk u tregua as kureshtar, për të ditur kohën e kthimit, meqë engjëlli nuk ia kishte saktësuar fare, pasi i kishte thënë në mënyrë të papërcaktuar: “Rri atje deri kur të them unë”. Përkundrazi, Jozefi shfaq zell të madh: dëgjon, bindet (Mt 2,24) dhe duron me gëzim të gjitha provat.
Hyji, në mirësinë e vet, përzien, në këto rrethana, gëzimin me dhimbjen. Kështu vepron ai, zakonisht, me të gjithë shenjtërit. Nuk i lë gjithmonë në rrezik ose gjithmonë të sigurt, por e rendit jetën e njerëzve të drejtë si një sendërgjim, ku ndërthuren gëzimi me dhimbjen. Pikërisht kështu sillet me Jozefin. Ju lutem vëreni dhe mendoni. Jozefi vëren se Maria është shtatzënë dhe menjëherë bëhet i zymtë dhe e zë ankthi, sepse dyshon se Virgjëra ka thyer kurorën, por engjëlli ndërhyn menjëherë, shuan çdo dyshim dhe e liron nga çdo frikë. Pastaj lind fëmija dhe Jozefi është jashtë mase i lumtur, por gëzimin e tij e ndjek menjëherë një dhimbje e re, sepse e sheh se tërë qyteti i tërbuar dhe mbreti plot furi kërkojnë foshnjën me çdo mjet. Këtë dhimbje e zbut gëzimi që ai provon kur sheh yllin dhe mbretërit në adhurim, por, edhe një herë, gëzimi shndërrohet në ankthe e frikë, kur engjëlli i thotë se “Herodi është duke kërkuar foshnjën, për ta vrarë” dhe e urdhëron të arratiset e të emigrojë. Është e sigurt se Jezusi atëherë sillej në mënyrë krejtësisht njerëzore.
Nuk kishte ardhur koha për të bërë mrekulli. Po të kishte filluar të bënte mrekulli kaq herët, askush nuk do të kishte besuar se ishte njeri. Për këtë arsye ai nuk vjen në bot në mënyrë të beftë: në fillum u ngjiz si njeri, pastaj rri nëntë muaj në barkun e Marisë, lind, ushqehet me qumështin e nënës, jeton për shumë kohë një jetë të zakonshme, duke pritur për t’u bërë burrë i pjekur me kalimin e viteve, në mënyrë që kjo sjellje e tija t’i bindë të gjithë për të besuar në vërtetësinë e mishërimit të tij...
Pastaj engjëlli i urdhëron, pasi të kthehen nga Egjipti, të shkojnë në qytetin tyre. Edhe kjo ndodh sipas një shestimi të mirëcaktuar, domethënë “deri kur të përmbushet ajo që ishte thënë me anë të profetëve: do të quhet Nazarenas, thotë Ungjilli (Mt 2,23). Apostujt e quanin Krishtin “nazarenas” pikërisht sepse profetët e kishin parashikuar kështu (Is 11,1). Ky fakt, atëherë, a e bënte më të errët e të vështirë për t’u kuptuar profecinë në lidhje me Betlehemin? Aspak. Përkundrazi, ky fakt duhej të nxiste kureshtjen e tyre, për të kërkuar më shumë çfarë kishin thënë për të profecitë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama