HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kultura dhe shoqëria >  2013-12-30 13:14:51
A+ A- Printo artikullin



Krishtlindja, në kryevepra proze. “Shën Silvestri” (Emisioni XXVI)



Emisioni XXVI i rubrikës “Krishtlindja, në kryevepra proze” titullohet “Shën Silvestri”. Nuk i kushtohet, pra, ndonjë proze të njohur, por një Shenjti shumë të njohur dhe një lutjeje, prozë poetike për Vitin e Ri, që hap faqen e parë të kalendarit. Emri i Shën Silvestrit është bërë tashmë sinonim i festës së fundit të Vitit, jo sepse ishte njeri gazmor, ashtu si është festa e ndërrimit të viteve, që i mbush njerëzit me shpresa të reja për një kohë të re, por thjesht sepse vdiq më 31 dhjetor të vitit 335 dhe nisi menjëherë të nderohej si shenjti i Romës. Me emrin e tij lidhen ngjarje të rëndësishme për Qytetin e Amshuar e për krishtërimin. Silvestri qe papë në kohën e Perandorit Kostandin, që u njohu të krishterëve lirinë e kultit. Gjatë papnisë së tij, reformoi kalendarin dhe përdori për herë të parë shprehjen e përgjithshme “ditët e javës”, nësa para tij u kushtoheshin perendive pagane. Prej këndej, në festën e tij, prindërit u kujtojnë bijave e bijve:
“Shiko, bija ime e edhe ti, biri im
Po të dhurohen 365 ditë të reja. Kushtoja Perëndisë së vërtetë e ai do të t’i mbushë plot me gëzim!”.
Prej Shën Silvestrit, lutja e mëposhtme, për Natën, kur ndërrohen vitet:

“Nuk dua të më tregosh, o Zot,
sesi do të jetë e nesërmja,
e as nëse ëndrrat
do të mbeten ëndërr
apor do të bëhen jetë.
Në se fara e hedhur
nëpër hullitë e ditëve
do të lulëzojë,
apor do të kalbet pa mbirë?
E ditë e farë do të vdesin
njëherësh me shpresën?
Veç ti e di në se do ta korr
farën që hodha.
Apor në të korra,
korrësi nuk do t’ia dijë
se ç’bëri ai që mbolli?
Po t’i mblatoj, o Zot,
të gjitha thesaret,
që ndryhen në ditët e mia:
gjumin e netëvee dritën e ditëve
kur në sofër ulem bashkë me të mitë,
për të thyer bukën,
për të pirë kupën,
herë me verë
e herë me vrer!
Vetëm një gjë të kërkoj.
Veç për një gjë të lutem:
Zoti im, mos më lësho
kur fryn e shfryn stuhia!
Por edhe atëherë,
kur dielli ndrin mbi ditë
e hëna përmbi netë.
Më ndihmo të bëhem
ashtu si ty të pëlqen.Rrënjët t’i lëshoj mbi Shkëmb!”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama