HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-12-31 15:21:22
A+ A- Printo artikullin



Intervista e Papës Françesku me Atë Spadaron: Kufij dhe laboratorë



Në kalesën e fundit të intervistës me Atë Spadaron, Papa Françesku fliste për shpirtin krijues, që duhet të ketë jezuiti. Në pjesën e sotme, atë Spadaro i kërkon Papës të sqarojë çfarë nënkupton me krijimtarinë jezuite.

Krijimtaria, pra: për një jezuit kjo është e rëndësishme. Papa Françesku, kur pati pritur jezuitët e revistës Qytetërimi Katolik (Civiltà Cattolica), kishte përmendur tri karakteristika të tjera të rëndësishme për veprimtarinë kulturore të jezuitëve. Kujtimet më kthejnë tek ajo ditë, 14 qershori 2013. Më bie ndërmend se atëherë, gjatë bashkëbisedimit që i parapriu takimit me të gjithë grupin, ma kishte paralajmëruar triadën: dialogu, përzgjedhja, kufijtë. E kishte vënë theksin veçanërisht tek pika e fundit, duke më cituar Palin VI, i cili, në një fjalim të famshëm, kishte thënë për jezuitët: “Kudo në Kishë, edhe në fushat më të vështira e përparimtare, nëpër udhëkryqet e ideologjive, në çështjet sociale, ku ka pasur dhe ka ballafaqime ndërmjet kërkesave të ngutshme të njeriut dhe mesazhit të përhershëm të Ungjillit, atje janë gjendur dhe gjenden jezuitët”.
I kërkoj Papës Françesku disa sqarime: “Na keni kërkuar të jemi të vëmendshëm, që të mos biem në ‘tundimin për t’i bërë më të lehtë kufijtë: duhet të shkojmë drejt kufijve e jo të sjellim kufijtë në shtëpi, për t’i lyer me bojë e për t’i zbutur”. Çfarë kishit në mendje? Çfarë donit të na thoshit me saktësi? Intervistë ishte organizuar me pjesëmarrjen e një grupi të revistave të drejtuara nga Shoqëria e Jezusit: çfarë ftese dëshironi t’u drejtoni atyre? Cilat duhet të jenë përparësitë e tyre?
“Tri fjalët kyçe që i kam drejtuar revistës Civiltà Cattolica mund t’u drejtohen të gjitha revistave të Shoqërisë, ndoshta duke nënvizuar gjëra të ndryshme, në vartësi të natyrës dhe të objektivave të tyre. Kur ngulmoj tek kufijtë, i referohem veçanërisht nevojës së njeriut, që bën kulturë, për të qenë brenda kontekstit në të cilin vepron e mbi të cilin mendon. Rreziku për të jetuar në laborator rri gjithnjë në pritë. Feja jonë nuk është fe-laborator, por fe-ecje, fe historike. Hyji është zbuluar si histori, jo si përmbledhje e të vërtetave abstrakte. Unë u trembem laboratorëve, sepse në laborator merren problemet e sillen në shtëpi, për t’i zbutur, për t’i lyer me bojë, jashtë kontekstit. Nuk duhen sjellë kufijtë në shtëpi, por duhet të jetojmë në pararojë e të jemi të guximshëm”.
E pyes Papën a mund të japë ndonjë shembull nga përvoja e vet personale.
“Kur flitet për probleme sociale, një gjë është të mblidhesh për ta studiuar problemin e drogës në një vilë të mjerimit, e një gjë është të shkosh aty, të jetosh aty, ta kuptosh problemin nga brenda dhe ta studiosh. Atë Arrupe u ka shkruar një letër gjeniale mbi varfërinë Qendrave të hetimit dhe të veprimit social (Centros de Investigacion y Accion Social), në të cilën thotë qartë se nuk mund të flitet për varfëri, nëse nuk e provon, duke hyrë drejtpërdrejt në vendet ku ajo jetohet. Fjala “hyrje” është e rrezikshme, sepse disa rregulltarë e kanë marrë si modë dhe janë bërë dëme të mëdha nga mungesa e përzgjedhjes. Por është vërtet e rëndësishme”.
“E kufijtë janë të shumtë. Të mendojmë murgeshat, që jetojnë nëpër spitale: ato jetojnë nëpër kufij. Unë jam gjallë falë njërës prej tyre. Kur kam pasur problemin me mushkëritë, në spital, mjeku m’i pati dhënë penicilinën dhe streptomicinën me një farë doze. Murgesha që ishte në shërbim e trefishoi, sepse kishte nuhatje, e dinte çfarë duhej bërë, se rrinte gjithë ditën me të sëmurët. Mjeku, që ishte vërtet i zoti, jetonte në laboratorin e vet. Murgesha jetonte në kufi dhe fliste me kufitarët çdo ditë. Të zbusësh kufijtë do të thotë t’i vësh vetes një cak e të flasësh nga një pozitë e largët, të mbyllesh në laborator. Janë gjëra të dobishme, por, për ne, përsiatja duhet të lindë gjithmonë nga përvoja”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama