HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kultura dhe shoqëria >  2013-12-31 14:48:00
A+ A- Printo artikullin



Viti i Ri: histori, data, zakone, urime



Viti i Ri a Kryeviti, është dita e parë e Vitit. Në botën moderne kremtohet më 1 janar, sipas Kalendarit gregorian, në përdorim për qëllime civile në mbarë botën. Në shumicën e shteteve, është ditë feste. Për popullsitë, që ndjekin Kalendarin julian, për shembull disa Kisha ortodokse, me synime ngushtësisht fetare, fundi i vitit kremtohet në ditën, që përkon me 14 janarin e Kalendarit gregorian.

Historia
Zakoni për ta kremtuar Vitin e Ri vjen në kohët tona nga thellësia e shekujve e, pikërisht, nga festa pagane e hyjnisë romake Giano. Në shekullin VII paganët e Fiandreve, ndjekës të druidëve, e kishin zakon ta kremtonin me festa të bujshme, kalimin në vitin e ri; ky kult pagan u dënua nga Shën Eligji (vdekur rreth vitit 660), që e qortoi ashpër popullin e Fiandrës, duke e porositur: “Në kryevit, askush nuk duhet të bëjë mbrapshti qesharake, si endja rrugëve me maska mëzetësh a drerësh, me shaka e lojëra, e nuk duhet të rrijë gjithë natën duke ngrënë e duke pirë, e as të bëjë dhurata të kota e t’i japë liri të tepruara vetes. Asnjë i krishterë nuk duhet t’u besojë fallxhoreve duke shikuar zjarret, e as të kërkojë fatin skutash, sepse është vepër djallëzore”. Të duket sikur zëri i Shenjtit vijon të ushtojë në kohë, me të njëjtën porosi...
Në Mesjetë, shumë vende evropiane përdornin Kalendarin julian, por kishte ende një mori datash të ndryshme, që shënonin fillimin e një viti të ri. Për shembull, nga shekulli XII e deri në vitin 1752, në Angli e në Irlandë, kryeviti kremtohej më 25 mars (dita e Mishërimit të Zotit, ndjekur edhe nga Piza e Firence), ndërsa në Spanjë, deri në fillimet e gjashtëqindës, vitet shndërroheshin më 25 dhjetor, Ditë e Lindjes së Krishtit. Në Francë, deri më 1564, Viti i Ri festohej ditën e Ngjalljes së Zotit; në Venedik (deri në rënien e Republikës detare, më 1797), më 1 mars, ndërsa në viset, që ndiqnin stilin bizantin, kremtohej më 1 shtator dhe quhej latinisht Caput anni-Kryeviti.
Në viset e perandorisë romake datat e fillimit të vitit ndryshonin nga vendi në vend, deri në vitin 1691, kur Papa Inoçenci XII e ndryshoi Kalendarin e paraardhësit, duke vendosur që viti të niste më 1 janar, sipas stilit modern. Përdorimi universal i Kalendarit gregorian ndikoi që data 1 janar, si datë e fillimit të vitit, të bëhej e përgjithshme. Të gjitha përpjekjet për ta ndryshuar përsëri këtë datë, që u vërejtën në disa vende, si në Francë, gjatë Republikës I, me Kalendarin republikan, apo në Itali, me Kalendarin e Vitit I të epokës fashiste, ranë, bashkë me ata, që i caktuan. Mbeti gjithnjë në këmbë Kalendari që ia dhuroi njerëzimit, më 1582, një papë, Gregori XIII prej këndej, me emrin e tij, gregorian.

Tradita moderne
Në shumë vende të botës, dita e parë e vitit quhet edhe Kryeviti! 1 janari shënon fillimin e një periudhe të re, që zakonisht nis një javë pas Krishtlindjes. E gjatë kësaj jave, rikujtohet përmbledhtas gjithë ç’ka ndodhur gjatë vitit të kaluar. Rikujtohen ngjarjet më të rëndësishme, të bukura a tronditëse, kujtohen njerëzit më të shquar të vitit - sivjet Papa Françesku - ndryshimet në jetën e njerëzimit, parashikimet për vitin e ri, ligjet e reja në fuqi e shumë e shumë hollësira, sipas vendit e kuvendit.
Kjo ditë, në shumë vise, është edhe festë fetare. Në Kishën Katolike solemniteti i Nënës së Zotit, për ata, që ndjekin formën e zakonshme të riti romak; Rrethprerja e Jezusit, për ata, që ndjekin ritin ambrozian ose formën e jashtëzakonshme të ritit romak.
Nata ndërmjet 31 dhjetorit e 1 janarit festohet nga shumica e viseve të botës si natë e shndërrimit të viteve. Është natë e pagjumë. Një pjesë e mirë e botës rri zgjuar e përgjon zhdukjen e ngadalshme të një viti, e dukjen e nji tjetri.
Në Itali vërehen një mori zakonesh bestyte, për të mos marrë mësysh. Ndërmjet tyre, veshja me të linjta të kuqe, ose flakja nga dritaret e sendeve të vjetëruara. Natën e festës hahen lentikie, si urim për një vit të pasur.
Në Spanjë e kanë zakon të hanë 12 kokrra rrushi pikërisht në mesnatë, një për çdo tingëllimë të sahatit, që kumton pikërisht orën 12-të.
Në Rusi, pas tingëllimit të 12-tës, hapet porta, që të hyjë viti i ri e nis shkëmbimi i dhuratave.
Në Ekuador, njerëzit dalin nga banesat e organizojnë një lloj karnavali me maska, që përfundon me djegien e figurës kryesore, si tek ne në kremtimin e karnevalit.
Në Japoni, familjet shkojnë në tempuj për të pirë sakè e për të dëgjuar 108 goditje gongu, kumt për arritjen e vitit të ri. Goditjet janë simbol i 108 mëkateve, që bën çdo njeri gjatë vitit, mëkate, të cilat pastrohen nën goditjet e gongut.
Në shumë vende, që ndjekin Kalendarin gregorian, ndërmjet të cilëve SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Italia e vende të tjera, Viti i Ri kremtohet edhe si festë civile. Izraeli është i vetmi vend që, ndonëse e përdor Kalendarin gregorian, nuk e kremton Vitin e Ri si festë publike. E kjo, sepse Viti i Ri lindi si festë e krishterë e edhe pse shumica e vendeve, që e kremtojnë, janë të krishtera. Nuk mungojnë, megjithatë, izraelitët, që e kremtojnë privatisht.
Viti i Ri kinez kremtohet në përkim me hënën e re, ndërmjet 21 janarit e 19 shkurtit.
Kështu kremtohet edhe në Vietnam.
Viti i ri islamik, festohet ditën e parë të muajit Muharram e mund të përkojë me çfarëdo lloj periudhe të Kalendarit gregorian, sepse viti hënor i Kalendarit islamik është 11 ditë më i shkurtër se viti diellor i Kalendarit gregorian.
Viti i ri tibetian bie ndërmjet janarit e marsit.
Në Iran përkon me ekuinoksin pranveror (21 mars),
Në Tailandë, Kamboxhia, Birmani e Bengal viti i ri quhet Songran e festohet ndërmjet 13 e 15 prillit, me rastin e ndryshimit të pozicionit të diellit në unazën e zodiakut.
Rosh haShana, Viti i ri hebraik kremtohet zakonisht në shtator.
Viti i ri i hinduistëve, dy ditë para Divalit, festës së dritës, në gjysmën e nëntorit.

Kur akrepat e orës shënojnë mesnatën, zakonisht shpërthejnë fishekzjarret, që mbushin me dritë qiellin, gjurmë të ndritshme të ditës së parë të vitit të ri, ende në fasha. Njëherësh, edhe tapat e shisheve të verës e nisin edhe ëndrra e reja për vitin e ri. Shoqëruar me një mori urimesh: Për shumë mot! Pritsh të mirë mot! Gëzuar Vitin e Ri! Mot më mirë”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama