HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-01-03 17:31:50
A+ A- Printo artikullin



Fides: vriten 22 veprimtarë baritorë në 2013-tën, shumica meshtarë të Amerikës Latine



Nga informacionet e mbledhura prej Agjencisë Fides, në vitin 2013 u vranë në botë 22 veprimtarë baritorë (shumica priftërinj), pothuajse dyfishi, në krahasim me vitin 2012, kur numri i të vrarëve ishte 13. Natën ndërmjet 31 dhjetorit 2013 e 1 janarit 2014, u vra edhe atë Erik Feed, famullitar i Eureka, në Kaliforni: akoma të paqarta, shkaqet e vrasjes. Numri më i madh i vepritmarëve të vrarë regjistrohet Amerikëm Latine: në vend të parë, Kolumbia.Në vitin 2013 u masakruan 19 priftërinj, 1 rregulltare e 2 shekullarë. Parë sipas kontinenteve, në Amerikë u vranë 15 priftërinj (7 në Kolumbi; 4 në Meksikë; 1 në Brazil; 1 në Venezuelë; 1 në Panama e 1 në Haiti);
në Azi u vra 1 prift, në Indi 1 e 1 në Siri; 1 laik në Filipine;
në Evropë u vra 1 prift, në Itali. Siç ndodh prej kohe, lista e Fides nuk ka të bëjë vetëm me misionarët në gjirin e Popujve, në kuptimin e ngushtë te fjalës, po me të gjithë veprimtarët baritorë, të vdekur në mënyrë të dhunshme. Në këtë rast nuk përdoret termi “martir”, por “dëshmitar”, duke ia lënë Kishës gjykimin, që mund të japë për disa prej tyre, edhe për faktin se njoftimet për jetën dhe veprimtarinë e të vrarëve, sidomos për shkaqet dhe rrethanat e vdekjes, janë krejt të paplota.
Në vitin 2013 u hap procesi i lumnimit për 6 misionaret italiane të Motrave të Varfëra të Bergamos, vdekur në Kongo më 1995 nga virusi ebola, duke qëndruar pranë popullsisë, për t’i dhënë ndihmën e nevojshme shëndetësore në çastet më kritike të epidemisë. U quajtën “martire të dashurisë së krishterë”.
Ndërkaq përfundoi faza dioqezane e procesit të lumnimit të Luiza Mistrali Guidoti, anëtare e Shoqatës Femërore të Mjekut Misionar, vrarë më 1979 në Rodezinë e atëhershme, ndërsa shoqëronte për në spital një grua më të lindur.
U hap rruga e lumnimit edhe për atë Mario Vergarën, misionar i Institutit Papnor të Veprave të Jashtme (PIME) dhe katekistit Isidor Ngei Ko Lat, vrarë nga urrejtja për fenë në Mianmar, në vitin 1950.
Më 25 prill u kremtua lumnimi i don Pino Puljisit, që iu kundërvu, me butësinë e tij misionare e me logjikën e fesë, logjikës së mafiozëve, të cilët e kërcënuan dhe e zhdukën, nga urrejtja për fenë.
Ngjall akoma shqetësime fati i shumë veprimtarëve baritorë, të rrëmbyer ose të zhdukur, për të cilët nuk ka prej kohe asnjë lajm, siç janë tre meshtarët kongolezë agostinianë të të Shëlbuemit, rrëmbyer në veri të Kivusë, në Republikën Demokratike të Kongos, në tetor 2012; e një prift kolumbian, zhdukur prej muajsh. Ndërkaq edhe konflikti pa fund në Siri nuk i kursen të krishterët. Prej kohe nuk ka më asnjë lajm nga jezuiti italian, atë Paolo Dall’ Olio, nga dy ipeshkvijtë metropolitë të Halebit, greko-ortodoksi Boulos al-Jazigj dhe siro-ortodoksi Mar Gregorios Johana Ibrahim, po ashtu edhe nga murgeshat ortodokse të manastirit të Shën Teklës. E pikërisht pak orë më parë u lirua atë Georges Vandenbeusch, prift “Fidei Donum”, francez, i rrëmbyer më 13 nëntorin e kaluar në famullinë e tij të Nguetchewe, në Kamerun.
Duke analizuar ato pak lajme, që mund të mblidhen për veprimtarët baritorë, të cilët humbën jetën gjatë vitit 2013, vërejmë se shumica e tyre u mbyt mizorisht gjatë përpjekjeve për vjedhje. Pasqyrohet, kështu, atmosfera e zvetënimit moral, varfërisë ekonomike e kulturore, nga e cila lind dhuna e nënvleftësimi për jetën njerëzore. Të gjithë jetonin në rrethana njerëzore e shoqërore të kësaj natyre, duke çuar përpara misionin e kumtimit të mesazhit ungjillor, pa kryer gjeste të bujshme, por duke e dëshmuar fenë me përvujtërinë e jetës së përditshme.
Siç nënvizon Papa Françesku “në dymijë vjet krishterim, një aradhe pambarim burrash e grash flijuan jetën për t’i qëndruar besnikë Jezu Krishtit e Ungjillit të Tij" (Engjëlli i Tënzot, 23 qershor 2013).
Listave të përkohshme, hartuar nga Agjencia Fides, u duhet shtuar lista e gjatë e shumë e shumë të tjerëve, për të cilët ka mundësi të mos kemi kurrë lajme ose të mos ua dëgjojmë fare emrin, lista e shumë vëllezërve e motrave të krishtera, që persekutohen për shkak të fesë së tyre:
“Mendojmë për shumë vëllezër e motra të krishtera, që persekutohen për shkak të fesë së tyre. Janë shumë. Ndoshta edhe më shumë se në shekujt e parë. Jezusi është me ta. Edhe ne jemi me ta, me lutjen tonë e me dashurinë tonë. E admirojmë guximin e tyre e dëshminë e tyre. Janë vëllezërit e motrat tona që, në të katër anët e botës, vuajnë vetëm e vetëm sepse janë besnikë të Jezu Krishtit. I përshëndesim nga zemra, me dashuri”, na kujton Papa Françesku (Engjëlli i Tënzot, 17 nëntor 2013).




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama