HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kultura dhe shoqëria >  2014-01-03 14:19:45
A+ A- Printo artikullin



Krishtlindja, në kryevepra proze. Jorge Bucay: Tregimi i Krishtlindjes (Emisioni XXX)



Në emisionin XXX të rubrikës “Krishtlindja, në kryevepra proze”, Jorge Bucay, me “Tregimin e Krishtlindjes.RealAudioMP3
Jorge Bucay (Buenos Ájres, 1949) është psikolog, dramaturg e shkrimtar argjentinas. Librat e tij të shumtë, përkthyer në më se 17 gjuhë, njihen tashmë në të katër anët e botës. Po kujtojmë vetëm disa: “Letra për Klaudien”; “Kandidati”; “Më lërë të të tregoj”; “Udha e takimit”; “Tregomë: histori për të mësuar si të njihemi”, etj. etj. Këtë tregim të shkurtër, shumë simbolik, e zgjodhëm posaçërisht për ju, të dashur dëgjues, për t’ju dhënë, dhanti për Krishtlindje, një nga 108 dhuratat, që Prishila, personazh i tregimit, i dhuroi babit të saj të dashur.

Në një shtëpi pak a shumë të varfër, të një vendi pak a shumë të vogël, gati pa emër, jetonte një familje: burrë e grua, me dy fëmijë. Huani, djali i madh, 24 vjeç, gati avokat e Prishila, 4 vjeçe.
Në prag të Krishtlindjes, babai bleu një rrotull karte ngjyrë argjendi për të mbështjellë dhuratat. Para se t’i vinte pranë Bredhit të thjeshtë, zbukuruar që në ditët e para të dhjetorit, në hyrje të shtëpisë.
Natën e 23 dhjetorit, burri vendosi t’i mbështillte dhuratat, më shumë simbolike, sesa të çmuara, për natën e Krishtlindjes. Po sa keq mbeti, kur pa tubin e kartonit bosh. Zhveshur krejt nga karta e kushtueshme ngjyrë argjendi.
Nuk kishte më para për të blerë një rrotull të re. I zemëruar në kulm, nësa afrohej mesnata, babai i mblodhi pjesëtarët e familjes për t’i pyetur një për një. Po nuk kishte nisur akoma, kur Prishila e vogël iu afrua kokulur e pranoi se ishte ajo, që e kishte përdorur kartën.
- A nuk mendove fare se karta ishte shumë e kushtueshme e se tët eti iu desh të punonte disa ditë për ta blerë? Mund të na thuash për ç’ budallallëk e përdore?
Vajza doli me vrap e u rikthye me një paketë, sa një kuti këpucësh, mbështjellë me shtresa të ndryshme karte të argjendë, tani e papërdorshme, plot rrudha e pala.
- A nuk të ka porositur jot ëmë të mos i prekësh sendet e të rriturve për lojërat e tua? Si të shkoi nëpër mend ta mbështjellësh një kuti, me pesë metra kartë argjendi?
- Është dhurata ime, baba - tha Prishila- për ta vendosur poshtë Bredhit.
- A mund ta dimë për kë është kjo dhuratë kaq e çmuar, sa të prishej për të pesë metra kartë e agjendtë?
- E për kë mund të jetë? Është për ty, baba.
Burri, i zemëruar keqas, u zbut menjëherë e i kërkoi falje për britmat. Siç u ndodh të gjithëve, si mori dhuratën, deshi ta dinte ç’kishte brenda e i kërkoi së bijës leje ta hapte.
Një të imtë, e tërbimi u rikthye në fytyrën e tij.
- Kur i dhuron dikujt një kuti, mendohet se diçka duhet ta ketë brenda. E zhubulove gjithë atë kartë, për të mbështjellë një kuti boshe?
Atëherë vogëlushja, me sy të enjtur nga lotët, tha:
- Kutia nuk është bosh, babi, unë kam fryrë aty brenda njëqind e tetë puthje për ty.
Babai e mori në krahë fëmijën dhe iu lut përsëri ta falte për verbërinë e për injorancën e tij. Nuk kishte pasur sy për t’i parë gjithato puthje. Po pastaj i pa. E thonë se e ruajti kutinë nën krevat e, sa herë ndjehej keq, e hapte e merrte prej saj një puthje nga e bija. Dallonte, kështu çka ishte vërtet e çmuar, nga marrëzitë e përditshme, që shpesh i gjejmë edhe nën Bredhin e Krishtlindjes!






Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama