HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-01-05 11:53:22
A+ A- Printo artikullin



Rubrika “Te gurra e besimit”: Ta lëmë dashurinë të flasë; me zemër besohet (XXXIX)



“Ta lëmë dashurinë të flasë: me zemër besohet”. Është tema e Emisionit XXXIX e të fundit të rubrikës “Te Gurra e besimit”

Dashuria dhurohet, pa asnjë synim, falas, na kujton Papa Benedikti. Por kjo nuk do të thotë se veprimtaritë bamirëse duhet t’i lënë mënjanë Krishtin e Zotin. Vihet gjithnjë në lojë njeriu, me korp e me shpirt. Shpesh pikërisht mungesa e Zotit, është rrënja më e thellë e vuajtjes. Kush ushtron bamirësinë në emër të Kishës, nuk përpiqet kurrë t’ia imponojë të tjerëve fenë e saj. E di se dashuria e pastër, e dhuruar falas, është dëshmia më e mirë e Zotit, në të cilin besojmë e i cili na nxit të duam, pa kurrfarë interesi. I krishteri e di mirë kur duhet të flasë për Zotin e kur duhet të heshtë, duke ia lënë fjalën vetëm dashurisë. Ai e di se Zoti është dashuri (cfr Gjn 4,8), e se bëhet i pranishëm pikërisht në çastet kur duhet vetëm të duash, pa menduar për asgjë tjetër.
Ashtu si dashuria, edhe feja është dhuratë. Dëshiroj të flas, na kujton Papa Benedikti, për një udhë që na ndihmon ta kuptojmë në mënyrë më të thellë jo vetëm përmbajtjen e fesë, por njëherësh me të, edhe aktin me të cilin vendosim t’ia besojmë plotësisht vetveten Hyjit, në liri të plotë. Ekziston një unitet i thellë ndërmjet aktit me të cilin besohet, e miratimit tonë. Shën Pali Apostull na krijon mundësinë të hyjmë brenda këtij realiteti, kur shkruan: “Me zemër... besohet... e me gojë dëshmohet feja” (Rm 10,10). Zemra tregon se akti i parë me të cilin arrihet tek feja, është dhuratë e Zotit e ndikim i hirit, që vepron dhe e shndërron njeriun deri në thellësi të shpirtit.
Shembulli i Lidies është shumë domethënës në këtë drejtim. Tregon Shën Luka se Pali, kur ndodhej në Filipi, shkoi të shtunën për t’u kumtuar Ungjillin disa grave; ndërmjet tyre, Lidia. E “Zoti ia hapi zemrën për të pranuar çka thoshte Pali” (Vap 16,14). Kuptimi, që ndryjnë këto fjalë, është shumë i rëndësishëm. Shën Luka na mëson se nuk mjafton t’i pranojmë fjalët, në të cilat duhet të besojmë, nëse pastaj zemra, tempulli i vërtetë i njeriut, nuk hapet nga hiri, që të jep sy, për të parë në thellësi e për të kuptuar se ç’u kumtua, është Fjala e Zotit.
Ta dëshmosh me gojë, do të thotë se feja kërkon dëshmim e impenjim publik. I krishteri nuk mund të mendojë kurrë se të besosh është fakt privat. Fe do të thotë të marrësh vendim për të ndenjur me Zotin, për të jetuar me Të. E kjo, “të rrish me Të”, të ndihmon për të kuptuar arsyet, për të cilat besohet. Feja, pikërisht sepse është akt lirie, kërkon edhe përgjegjësi shoqërore ndaj asaj, në të cilën besohet. Kisha, në ditën e Rrëshajëve, e vë me forcë të veçantë në dukje këtë përmasë publike të besimit e të kumtimit pa frikë të fesë. Është dhuratë e Shpirtit Shenjt, që na përgatit për mision dhe e forcon dëshminë tonë, duke e bërë të lirë e të guximshme.
Vetë dëshmimi i fesë është akt personal e njëkohësisht, komunitar. Subjekti i parë i fesë është Kisha. Në fenë e bashkësisë së krishterë secili merr Pagëzimin, shenjë e frytshme e hyrjes në gjirin e popullit të besimtarëve, për të fituar shëlbimin. Siç pohon Katekizimi i Kishës Katolike: “Unë besoj”, është feja e Kishës, e dëshmuar personalisht nga çdo besimtar, posaçërisht në çastin e Pagëzimit. “Ne besojmë”, është feja e Kishës, e dëshmuar nga ipeshkvijtë, mbledhur në Koncil, ose, më përgjithësisht, në asamblenë liturgjike të besimtarëve.
“Unë besoj!”: është edhe Kisha, Nëna jonë, që i përgjigjet Zotit me fenë e saj. Ajo na mëson të themi: “Unë besoj”, “Ne besojmë” (n.167).
Si mund të vërehet, njohja e përmbajtjes së fesë ka rëndësi themelore për të dhënë miratimin vetjak, domethënë për të hyrë plotësisht, me mendje e me vullnet, në atë, që propozon Kisha. Njohja e fesë na prin për të hyrë në tërësinë e misterit shëlbues, të zbuluar nga Zoti. Kur besohet, pranohet lirisht i gjithë misteri i fesë, sepse garant për të vërtetën e tij është vetë Zoti, që na dëftohet e na lejon ta njohim misterin e dashurisë së tij.Nga ana tjetër, nuk mund të harrojmë se në kontekstin tonë kulturor, shumë njerëz, ndonëse nuk e njohin dhuratën e fesë, janë në kërkim të sinqertë të kuptimit të të vërtetave përfundimtare për jetën e botën. Ky kërkim është një ‘hyrje’ e vërtetë në fe’, sepse i bën njerëzit të vihen për udhë kah misteri i Zotit. E njëjta arsye e njeriut, çon tek kërkesa e natyrshme e “asaj që vlen e mbetet përgjithmonë”. Kjo kërkesë është ftesë e përhershme, e shkruar në mënyrë të pashlyeshme në zemrën njerëzore. Zemra kërkon të vihet përudhë në kërkim të Atij, që nuk do ta kërkonim, në se nuk do të kishte ardhur drejt nesh. Pikërisht për këtë takim na fton feja, duke na i hapur plotësisht zemrat.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama