HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-01-10 13:57:08
A+ A- Printo artikullin



Imzot Foskolos për semestrin e presidencës së Greqisë: shumë vështirësi, po vendi mund t’i kapërcejë



Një ditë pas fillimit të turnit të kryesisë semestrale evropiane, Greqia u zgjua me dy lajme shqetësuese. Statistikat e prodhimit industrial regjistruan një rënie të re prej 4,8% në nëntor, pas 7,9% të tetorit. Veç kësaj, sipas shtypit vendas, autoritetet greke ndeshën në një skandal të ri korrupsioni lidhur me veprimtaritë e “Hellenic Post Bank”.RealAudioMP3
Sipas medias lokale, autoritetet që merren me hetimin e pastrimit të parave dhe gjyqtarët antikorrupsion, zbuluan një boshllëk prej 500 milionë eurosh në llogaritë e institutit bankar si dhe ekzistencën e dhënies së shumë kredive, nga viti 2006 deri në vitin 2011, pa pasur garanci të mjaftueshme dhe me përfitime të paligjshme.Hetuesit, tashmë kanë nxjerrë mandatet e arrestit për rreth 10 persona, mes të cilëve ish-drejtues të “Post Bank” dhe biznesmenë greko-qipriot të akuzuar për vjedhje, parregullsi në kryerjen e detyrave dhe pastrim parash. Sipas medias, numri i personave në kërkim mund të rritet. Skenari vijon të bëhet gjithnjë më shqetësues, por kryeipeshkvi i Athinës, imzot Nikolaos Foskolos, e shikon plot besim semestrin e presidencës së Athinës, besim që e shpreh edhe në intervistën dhënë me këtë rast Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Është presidencë turni, që unë mendoj se qeveria jonë do ta kryejë me sukses, pavarësisht nga vështirësitë, në të cilat jetojmë në këtë periudhë. Më duket se mund të flitet për katër faktorë, që u krijojnë probleme qytetarëve grekë. Korrupsioni i përgjithshëm, fenomen tepër i përhapur; kriza ekonomike, natyrisht edhe kjo pasojë e korrupsionit; çështja e refugjatëve, që arrijnë çdo ditë në Greqi, si nga kufiri me Turqinë, ashtu edhe nga Deti Egje, ku ka me qindra ishuj. E problem tjetër, jo i lehtë, është edhe ai i drogës. Greqia është porta juglindore e Evropës së Bashkuar dhe e Evropës në përgjithësi. Prej këndej këtu ndjehet fort trafiku i drogës, e edhe ai i njerëzve.

Pyetje: - E si do të mundet Greqia, me gjithë këto probleme që kujtuat, t’u prijë Vendeve të Evropës, gjashtë muajt e ardhshëm?

Përgjigje: - Shpresojmë se do të kemi edhe ndihmën e vendeve të tjera. Kemi probleme të përbashkëta me ato të Italisë, për shembull. Fenomeni i Lampeduzës, këtu është i përditshëm në ishuj të ndryshëm. Shpresojmë në solidaritetin e shteteve evropiane, posaçërisht të shteteve të jugut evropian.

Pyetje: - Si po punon Kisha për zgjidhjen e problemeve të refugjatëve?

Përgjigje: - Kisha katolike në Greqi është pakicë. Jemi vetëm 0.5%, në gjirin e një popullsie prej 11.295.002 banorësh (2010). E megjithatë, të gjithë vrapojnë drejt Kishës katolike. Kemi tri qendra për refugjatët në Athinë, dy shtëpi të motrave të Nënë Terezës. Në njërën nga këto shtëpi, çdo ditë ushqehen më se 250 vetë. Në tjetrën, që është më e vogël, banojnë rreth 30 nëna, me fëmijët e tyre. Pastaj është edhe Karitasi i Athinës, që ushqen ditë për ditë 250 vetë të tjerë. Por duhet të kujtoj se edhe Kisha ortodokse zhvillon një veprimtari të organizuar në favor të refugjatëve, e jo vetëm të tyre. Tani ka shumë grekë, që shkojnë të marrin një pjatë gjellë, sepse varfëria po përhapet gjithnjë më shumë në gjirin e popullatës vendase, posaçërisht në qytetet e mëdha. Njerëzit e ndjejnë veten si në gjendjen e pas luftës: nuk ka punë, nuk ka bukë, nuk ka para….

Pyetje: - Ish-kryeministri socialist grek, Simitis, me sa më kujtohet, pati pohuar se vendi rrezikohet të dalë nga eurozona. Ekziston akoma ky rrezik?

Përgjigje: - Mendoj se jo. Dalja e Greqisë nga Bashkimi Evropian dhe nga euro, do të shkaktonte një lloj reaksioni zinxhir, që do t’i vinte në rrezik edhe vendet e tjera. Është e vërtetë se nuk i dihet si mund të shkojnë punët, sepse këtu vihen në lojë interesa ndërkombëtare, lufta ndërmjet dollarit e euros, si dhe faktorë të tjerë, që mund të ndikojnë fuqimisht mbi këtë vendim. Po unë nuk besoj se Bashkimi Evropian do ta lërë Greqinë jashtë euros.

Pyetje: - Sa e vetëdijshme është popullsia greke për këtë fillim semestri evropian?

Përgjigje: - Mendoj se një pjesë e mirë e popullsisë nuk interesohet fare për këtë, sepse ka probleme të tjera, më shqetësuese. Njerëzit kërkojnë ditë për ditë një kafshatë bukë, shqetësohen për përballimin e shpenzimeve… E pastaj, në këtë periudhë, taksat janë tejet të larta e parashikohet edhe një rritje tjetër për 2014-tën. Kjo ndjehet fort edhe në Kishën tonë, sepse si Kishë katolike, nuk marrim asgjë nga shteti e taksat tashmë e kalojnë 50%-in e burimeve

Pyetje: - Turizmi, për Greqinë, ka qenë gjithnjë burim begatie…

Përgjigje: - Po, e vijon të jetë. E ne shpresojmë se këtë vit numri i turistëve do të shtohet: është e vetmja industri e Greqisë!




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama