HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Ekumenizmi >  2014-01-11 17:38:30
A+ A- Printo artikullin



Papa Françesku: përvoja e miqësisë ndihmon për pajtimin ndërmjet Kishave



Papa Françesku priti sot, në Vatikan, Komitetin Katolik për Bashkëpunim Kulturor me Kishat Ortodokse dhe Kishat Ortodokse Lindore, me rastin e 50-vjetorit të themelimit, me dëshirën e Palit VI. Në audiencë Papa nënvizoi se përvoja e miqësisë dhe e ndihmës, nxit shpejtimin e hapit në udhën e pajtimit ndërmjet Kishave.RealAudioMP3

Koncili II i Vatikanit nuk kishte përfunduar ende, kur Pali VI themeloi Komitetin Katolik për Bashkëpunim me Kishat Ortodokse. Ati i Shenjtë u rikthye me kujtesë pikërisht 50 vjet më parë kur, edhe me këtë nismë të pashembullt, Papa Montini fuqizonte impenjimin ekumenik:
“Udha e pajtimit dhe e vëllazërimit të përtërirë ndërmjet Kishave, vulosur mrekullisht nga takimi i parë historik i Papës Pali VI me Patrikun Ekumenik Atenagora, kishte nevojë edhe për përvojë miqësie e ndihme, që duhet të lindte nga njohja reciproke e përfaqësuesve të Kishave të ndryshme e, në veçanti, e të rinjve, që kishin nisur rrugën e shërbimit kishtar”.
Sot, ashtu si 50 vjet më parë, Komiteti u jep bursa studimi rregulltarëve e laikëve, ardhur nga Kishat Ortodokse e Kishat Ortodokse Lindore, që dëshirojnë të kryejnë studimet teologjike pranë institucioneve akademike të Kishës Katolike, duke mbështetur edhe projekte të tjera bashkëpunimi ekumenik.
Papa u shprehu mirënjohjen bamirësve si dhe vetë Këshillit drejtues të Komitetit dhe i inkurajoi ta vijojnë misionin. Një përshëndetje e veçantë, të gjithë atyre, që po kryejnë studimet teologjike në Romë. Prania juaj mes nesh, theksoi, ka rëndësi të veçantë për dialogun ndërmjet Kishave të sotme e, sidomos, të nesërme:
“Uroj që secili nga ju të ketë një përvojë sa më të këndshme nga Kisha e nga Qyteti i Romës, që ta pasuron shpirtin e kulturën. E uroj edhe të mos e ndjeni veten mysafirë, por vëllezër ndërmjet vëllezërve. Jam i sigurt, nga ana tjetër, se me praninë tuaj, ju jeni pasuri e vërtetë për bashkësitë e studimit, që frekuentoni”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama