HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2014-01-12 12:09:18
A+ A- Printo artikullin



Papa pagëzon 32 fëmijë: të transmetosh fenë është trashëgimi më i bukur



Transmetojani fenë këtyre fëmijëve. Është trashëgimi më i madh, që u lini. Kështu u shpreh Papa Françesku në Meshën e kremtuar sot paradite, në Kapelën Sikstine, gjatë së cilës u dha Sakramentin e Pagëzimit 32 fëmijëve: 18 vajza e 14 djem. Të vegjëlit patën fatin të pagëzohen nga Papa, ditën kur Kisha kremton Solemnitetin e Pagëzimit të Zotit. Kjo është hera e parë, për Papën Françesku. Ndërmjet bashkëkremtuesve, edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kryeipeshkvi Pietro Parolin.RealAudioMP3

Përcjellja e fesë fëmijëve të pagëzuar! Kjo ishte baza kryesore, mbi të cilën u ngrit homelia e Atit të Shenjtë, bisedë atërore, mbajtur lirisht në kornizën mahnitëse të Kapelës Sikstine e cila, me kryeveprat e veta, plotëson atë, që goja njerëzore nuk arrin dot ta thotë. Duke e shoqëruar njeriun, që e viziton, në viset e Besëlidhjes së Vjetër e të Re, edhe në skenën e Pagëzimit të Krishtit në lumin Jordan, dalë nga peneli i Peruxhinos. Këtu Papa u dha pagëzimin fëmijëve të vegjël, që iu paraqitën në krahët e prindërve, shoqëruar nga nunët e nunat, të cilëve Ati i Shenjtë iu drejtua me fjalët:
“Ju jeni ata, që transmetojnë fenë, transmetuesit; ju keni detyrën t’ua përcillni fenë këtyre fëmijëve. Është trashëgimi më i bukur, që do t’u lini: feja! Mjafton vetëm ky trashëgim. Sot çojeni në shtëpi këtë mendim: ne duhet të jemi transmetues të fesë. Mendojeni këtë, mendoni gjithnjë si t’ua transmetoni fenë fëmijëve”.
Jezusi nuk kishte nevojë të pagëzohej, por teologët e parë, kujtoi Papa në homeli, thonë se me korpin e Tij, me hyjninë e Tij, në pagëzim Zoti i bekoi të gjitha ujërat, që të kishin fuqi për të dhënë Pagëzimin. Prej këndej, para se të ngjitej në qiell, Jezusi na porositi të shkojmë në të katër skajet e botës për të pagëzuar, vijoi Papa Françesku. Që nga ajo ditë e deri më sot, kjo formon një zinxhir të pakëputur, që vijon të zgjatë hallkat e veta, brezni pas breznie. E këta foshnja, që po pagëzohen, janë hallka të reja të këtij zinxhiri:
Ju, prindër, keni një djalë a një vajzë për të pagëzuar, por pas disa vjetësh, do të kenë këta një bir a një nipçe, për të pagëzuar... Kështu është zinxhiri i fesë!”.
Mbi Kapelën Sikstine ndjehej fort atmosfera solemne e festive, stolisur me ndonjë gugatje a vaj fëmije. E kënga e foshnjave regjistrohej, si çdo vit në këtë Solemnitet, mbi këto mure të pashoqe, ngatërruar me mijëra zëra, që lanë gjurmët të pashlyeshme këtu, ku punuan njëherësh dora e Zotit e dora e njeriut:
“Sot këndon kori, por kori më i bukur është ky i fëmijëve, që bëjnë zhurmë… Disa do të nisin të qajnë, sepse nuk ndjehen rehat, ose sepse kanë uri: nëse kanë uri, ju, nëna, jepuni të hanë, qetë-qetë, sepse ata janë sot protagonistë”.





Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama