HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-01-16 14:28:42
A+ A- Printo artikullin



Komiteti i OKB-së për Fëmijët. Imzot Tomazi: përforcohet impenjimi i Selisë së Shenjtë



Selia e Shenjtë, ashtu si edhe vendet e tjera të Kombeve të Bashkuara, mori pjesë sot në diskutimin mbi zbatimin e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve në zyrën e OKB-së, në Gjenevë.RealAudioMP3
Vëzhguesi i Vatikanit, imzot Silvano Maria Tomazi paraqiti raportin dhe përgjigjet ndaj pyetjeve të Komitetit, i cili ka për detyrë të kontrollojë zbatimin e Konventës nga shtetet anëtare. Imzot Tomazi sqaroi impenjimin e Kishës në luftën për parandalimin e krimit të abuzimeve seksuale me të miturit, duke iu përgjigjur kështu pyetjeve të veçanta, bërë nga organizmi i OKB-së, pas paraqitjes së raportit të Selisë së Shenjtë. Vëzhguesi i Vatikanit vuri në dukje punën për përmirësimin e legjislacionit të Selisë së Shenjtë në këtë drejtim dhe miratimin e direktivave për Kishat lokale, sidomos në strukturat edukative. Imzot Tomazi kujtoi impenjimin e papëve, sidomos të Benediktit XVI e tani, të Papës Françesku, i cili ka ngritur edhe një Komision për Mbrojtjen e të Miturve.
“Nuk mund të ketë asnjë justifikim – tha imzot Tomazi në debat – për asnjë formë dhune e shfrytëzimi kundër fëmijëve”. Më pas, ai rreshtoi shtyllat, mbi të cilat mbështetet impenjimi i Selisë së Shenjtë, ashtu siç paraqiten në raport: mbrojtja e dinjitetit të fëmijëve në të gjitha përmasat e që nga zënia; respektimi dhe promovimi i të drejtave të familjes ku rritet fëmija; e drejta e dukimit të fëmijëve nga ana e prindërve dhe liria e fesë.Mbi debatin e sotëm, intervistuam pikërisht Vëzhguesin vatikanas në Gjenevë, imzot Silvano Maria Tomazi:
Sot u mblodh sesioni i 65-të i Komitetit për të Drejtat e Fëmijëve. Objektivi ishte shqyrtimi i raporteve të disa shteteve, si Rusia, Gjermania, Selia e Shenjtë, Portugalia, Kongo e Jemeni, të cilët paraqitën nivelin e zbatimit të Konventës në territorin e tyre. Selia e Shenjtë e ka ratifikuar atë në vitin 1990. Komiteti bën vërejtjet e veta dhe mbi bazën e tyre, fillon dialogu ndërmjet shtetit të interesuar e ekspertëve.
Duke pasur parasysh çështjet e abuzimit të të miturve nga ana e disa anëtarëve të klerit, shumë e kanë kritikuar sjelljen e Selisë së Shenjtë ndaj fajtorëve. Opinioni juaj?
Kritikat bëhen krejt lehtë, por nganjëherë kanë bazë reale. Çdo krim është i keq, por kur përfshihen fëmijë, krimi është edhe më i rëndë. Selia e Shenjtë akuzohet se ka penguar zbatimin e drejtësisë, por më duket akuzë për hava: të pengosh drejtësinë, në çdo vend, në dëm të jurisdiksionit të tij të ligjshëm, do të ishte një ndërhyrje e tepruar dhe e padrejtë nga kushdo. Selia e Shenjtë e mbështet të drejtën dhe detyrën e çdo vendi për të dënuar çdo krim kundër fëmijëve, prandaj kritika se ajo e pengon drejtësinë nuk ka bazë. Në të kundërtën, siç ngul këmbë Papa Françesku, dëshirojmë transparencë dhe drejtësi.
Cila është perspektiva e ardhshme për këtë temë në Gjenevë?
Selia e Shenjtë impenjohet të zbatojë detyrimet e saj ndërkombëtare, përfshirë edhe ato, që rrjedhin nga ratifikimi i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve. Vatikani do të marrë në konsideratë komentet e sugjerimet e Komitetit të ekspertëve, duke nxitur kështu, jo vetëm zbatimin e Konventës, por edhe kujdesin më të madh e më të frytshëm për mbrojtjen e fëmijëve. Papa Françesku ka njoftuar tashmë krijimin e një Komisioni për Mbrojtjen e Fëmijëve. Këshillat e Komitetit do të studiohen me kujdes nga ky Komision i ri, për të përforcuar shërbimin bujar të Kishave lokale për fëmijët, por sidomos impenjimin e Selisë së Shenjtë në territoret që mbulon, edhe në fushën ndërkombëtare, për mbështetjen e të gjitha elementeve dhe aspekteve, që ndihmojnë vërtet në formimin, mbrojtjen dhe mirërritjen e fëmijëve të botës.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama