HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-01-16 15:36:56
A+ A- Printo artikullin



Selia e Shenjtë e Konventa për të Drejtat e Fëmijëve: notë e zëdhënësit, atë Federiko Lombardi



Pikërisht, për impenjimin e Selisë së Shenjtë në mbrojtjen e fëmijëve, flet edhe drejtori ynë i përgjithshëm, atë Federiko Lombardi, njëkohësisht drejtor i Sallës së Shtypit të Vatikanit. Ja nota e tij:

Kush e ndjek veprimtarinë e Papës Françesku e sheh gjithnjë pranë fëmijëve. Një nga imazhet më të shpeshta e më të dashura është ai e Papës me fëmijë të vegjël në duar, të cilët i jepen kur lëviz në mesin e njerëzve, gjatë audiencës. Por, shumë të bukura janë edhe imazhet e takimeve të së mërkurës me çiftet e sapomartuara e veçanërisht, me përzemërsinë me të cilën i bekon gratë shtatzëna, shpesh, duke bërë një kryq mbi bark. Të shumtë janë pastaj, grupet e fëmijëve, shpesh të sëmurë, edhe rëndë, që i takon e i përshëndet me fjalë e gjeste të ëmbla e prekëse. Cili prej krerëve të 193 “shteteve anëtare” të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve e dëshmon kaq frytshëm dhe fton kaq fort për t’i dashur fëmijët, jo vetëm para bashkombasve, por edhe para gjithë botës?
Selia e Shenjtë e ka ratifikuar Konventën për të Drejtat e Fëmijëve, miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, më 20 nëntor 1989 dhe, hyrë në fuqi më 2 shtator 1990. Në të marrin pjesë aktualisht 193 “shtete anëtare”. Komiteti për të Drejtat e Fëmijëve është organ kontrolli e monitorizimi i Konventës dhe përbëhet nga 18 anëtarë, ekspertë të pavarur, të zgjedhur nga shtetet, me një mandat 4-vjeçar (9 prej tyre zgjidhen çdo dy vjet, që të sigurohet vazhdimësia, por edhe risimi). Ai e ka selinë në Gjenevë. Komitetit i paraqiten periodikisht, raportet e shteteve, që marrin pjesë në Konventë (në parim, raporti duhet të jetë pesëvjeçar, por në fakt, pjesa më e madhe e shteteve nuk e respekton këtë afat). Komiteti i studion raportet, mund të kërkojë informacione të mëtejshme për t’i plotësuar dhe, i diskuton me përfaqësuesit e shteteve anëtare. Kjo është praktika e zakonshme, së cilës i nënshtrohen të gjitha shtetet. Vërtet, Komiteti nuk është ndonjë “gjykatë”, që ka pushtet për ‘të gjykuar’ shtetet anëtare, por është mjet i ngritur nga ato vetë, në bazë të Konventës, për të kontrolluar zbatimin.
Selia e Shenjtë e ka ratifikuar Konventën më 20 prill 1990 (një nga shtetet e para) dhe e ka bërë këtë në emër të vet e në emër të Qytet-Shtetit të Vatikanit. Më 2 mars 1994 paraqiti raportin e saj të parë. Më 27 shtator 2011 paraqiti raportin e dytë (duke pasur parasysh kohën e kaluar, konsiderohet se formalisht ai përfshin raportin e dytë, të tretë e të katërt, por faktikisht, është i dyti). Mbi këtë bazë e pas sugjerimeve të Grupit të Organizatave Jo Qeveritare, që merr pjesë në procesin e vlerësimit, Komiteti i bëri Selisë së Shenjtë një sërë pyetjesh, duke kërkuar informacion të mëtejshëm dhe përgjigjen, mundësisht, brenda 1 nëntorit 2013. Duke qenë se respektimi i ngushtë i afatit nuk ishte i detyrueshëm, zyrat e Selisë së Shenjtë vazhduan të punonin edhe gjatë muajit nëntor, duke dërguar përgjigjet në Gjenevë më 30 nëntor. Data e vendosur nga Komiteti për takimin me Delegacionin e Selisë së Shenjtë për të diskutuar mbi raportin ishte pikërisht kjo e sotmja, gjatë sesionit të 65-të të vetë Komitetit (13-31 janar 2014).
Për një informacion më të plotë, duhet ditur se Selia e Shenjtë ka ratifikuar edhe dy “Protokolle opcionale”, që i bashkangjiten Konventës: atë mbi “shitjen e fëmijëve, prostitucionin e të miturve dhe pornografinë e fëmijëve” (OPSC), si edhe atë mbi “përfshirjen e fëmijëve në konfliktet e armatosura” (OPAC). Të dyja u nënshkruan nga Selia e Shenjtë më 24 tetor 2001. Në rastin e parë, Selia e Shenjtë ishte shteti i njëmbëdhjetë që e ratifikoi protokollin, ndërsa në të dytin, i shtati. Raportet fillestare për këto protokolle janë paraqitur më 14 maj 2010.
Leximi i përgjithshëm i raporteve na jep kuadrin e vëmendjes dhe të impenjimit të gjithanshëm të Selisë së Shenjtë, e cila promovon veprimtari në jetën e Kishës Katolike, për të mirën e fëmijëve, jo vetëm me anë të mësimit dhe mbrojtjes së bindur të dinjitetit të njeriut nga fillimi i jetës e në të gjitha fazat kur ka nevojë për ndihmë, por edhe me veprimtari të shumta edukimi, kujdesi shëndetësor, mbështetje për familjet e për fëmijë të veçantë, në situata të vështira, si emigracioni, konfliktet, ose në kushtet e refugjatit. Kuptohet pra fare mirë pse Selia e Shenjtë mori pjesë që në fillim me entuziazëm në Konventë dhe e ratifikoi menjëherë.
Siç mund të kuptohet, në raporte, Selia e Shenjtë përmend edhe faktin se pranimi i Konventës nga ana e saj u shoqërua, që në fillim (gjë që konsiderohet normale në të drejtën ndërkombëtare), nga tri “rezerva” mbi interpretimin, që rrjedhin nga natyra e parimet e saj (e para, për metodat e “planifikimit familjar”; e dyta, mbi të drejtat e prindërve në fushën e edukimit, të transmetimit të fesë, të krijimit të shoqatave e të jetës private; e treta, mbi pajtueshmërinë me natyrën dhe me ligjet e Qytet-Shtetit të Vatikanit përsa i përket zbatimit të Konventës në këtë shtet).
Si raporti, ashtu edhe përgjigjet plotësuese dhënë për pyetjet, që kërkonin informacion të mëtejshëm, i kushtojnë një pjesë të madhe hyrëse shpjegimit dhe saktësimit të natyrës së veçantë të Selisë së Shenjtë, si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, që merr pjesë në Konventë. Veçanërisht, vihet në dukje dallimi dhe marrëdhëniet me Qytet-Shtetin e Vatikanit (i cili është edhe ai “pjesë” e Konventës) dhe me Kishën Katolike, si bashkësi besimtarësh nëpër botë (që në asnjë mënyrë, nuk është “pjesë” e Konventës dhe anëtarët e saj u nënshtrohen ligjeve të shteteve ku jetojnë e veprojnë). Gjithashtu, shpjegohet natyra e veçantë dhe specifike e ligjit kanonik të Kishës Katolike, që dallohet qartas nga ligjet civile të shteteve.
Në dritën e këtyre premisave, kuptohet lehtë mënyra e hartimit të përgjigjeve, që janë të gjithanshme, që shfaqin gatishmërinë e plotë për bashkëpunimin me Komitetin, por që tregojnë me saktësi edhe kufijtë e kompetencave të vetë Komitetit e impenjimet e marra nga Selia e Shenjtë, në çastin e pranimit të Konventës. Jo rrallë, pyetjet e propozuara – sidomos aty ku i referohen problematikës së abuzimeve seksuale me të miturit – duket sikur presupozojnë se ipeshkvijtë dhe eprorët rregulltarë veprojnë si përfaqësues, ose si delegatë të Papës, gjë që s’është e vërtetë. Kështu, për shembull, përgjigjja për pyetjet mbi raste të veçanta abuzimesh në institucione katolike në vende të ndryshme të botës (për shembull, në Irlandë, ose në institute të drejtuara nga Legjionarët e Krishtit) është se s’kanë të bëjnë me respektimin e Konventës nga ana e Selisë së Shenjtë, pasi janë raste nën jurisdiksionin e vendeve, ku kanë ndodhur. Njësoj, Selia e Shenjtë nuk e ka për detyrë, për hir të Konventës, t’u japë përgjigje pyetjeve për proceset me bazë ligjin kanonik.
Theksohet se “Selia e Shenjtë trishtohet thellësisht nga plaga e abuzimeve seksuale, që hapet për miliona fëmijë në botën mbarë dhe vajton për faktin se, fatkeqësisht, disa anëtarë të klerit janë përfshirë në abuzime të tilla”. Më pas, Komitetit i jepen përgjigje të detajuara mbi impenjimin e viteve të fundit nga ana e Papëve, të institucioneve përkatëse të Kuries Romake (veçanërisht të Kongregatës për Doktrinën e Fesë e të Këshillit për Familjen), në vendosjen e normave dhe direktivave rigoroze e të frytshme për të kuruar, luftuar e prandaluar fenomenet e rënda të abuzimit seksual ndaj të miturve, përfshirë azhornimin e legjislacionit të Qytet-Shtetit të Vatikanit në fushën penale. Me një fjalë, problematika dramatike e abuzimeve seksuale ndaj të miturve, jetuar nga bashkësia e Kishës me vuajtje të patregueshme, është bërë provë e rëndësishme për besueshmërinë e impenjimit të saj në favor të fëmijëve. Nën udhëheqjen e Selisë së Shenjtë, kjo ka sjellë një sërë nismash e direktivash të dobishme, edhe jashtë bashkësive kishtare, në frymën e Konventës.
Të gjithanshme dhe efikase janë edhe përgjigjet rreth mosdiskriminimit të vajzave në krahasim me djemtë, apo të fëmijëve, që kanë lindur jashtë martese. Natyrisht, në hartimin e raportit dhe të përgjigjeve të Selisë së Shenjtë duken qartë parimet e këndvështrimit katolik për respektimin e dinjitetit të njeriut gjatë gjithë jetës, që nga zënia, në fëmijëri, në fazat e ndryshme të rritjes e të jetës; për dinjitetin dhe detyrat e familjes, bazuar në martesën ndërmjet një burri e një gruaje, si edhe për marrëdhëniet e ngushta ndërmjet të drejtave të fëmijëve e të drejtave e detyrave të prindërve. Gjithashtu, shihet qartë vizioni i thellë dhe i gjithanshëm i edukimit për të dashur e për t’u dashur, shumë më i gjerë se “edukimi i kufizuar seksual”; refuzimi i “ideologjisë gjinore”, që dëshiron të mohojë themelin objektiv të dallimit e të plotësueshmërisë ndërmjet sekseve, duke u bërë burim konfuzioni edhe në fushën juridike e në interpretimin e vetë Konventës.
Me pak fjalë: ratifikimi i bindur dhe i menjëhershëm i Selisë së Shenjtë i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve është koherent me mësimin dhe qëndrimin e vazhdueshëm të Kishës. Prandaj, mund të thuhet pa frikë se Selia e Shenjtë, përmes veprimtarisë së saj, nxit e përhap në të gjithë botën, një rrymë pa fund dashurie e shërbimi për të mirën e fëmijëve. Udhëheqja tërheqëse dhe entuziazmuese e Papës Françesku i jep një hov të ri e të dukshëm këtij impenjimi.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama