HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Drejtësia e paqja >  2014-01-19 13:02:10
A+ A- Printo artikullin



Impenjimi i Selisë së Shenjtë për paqen në Siri, në prag të takimit “Gjeneva 2”. Flet kardinali Jean-Louis Tauran



Konferenca e donatorëve për Sirinë, që u mbajt javën e kaluar në Kuvajt, nuk dha rezultatet e dëshiruara. Sekretari i OKB-së, Ban Ki-Mun njoftoi se u mblodhën 2 miliard e 400 milion dollarë, një e treta e sasisë që shpresohej. Ndërsa vazhdon dhuna në vend, mbetet një javë nga konferenca tjetër për paqen “Gjeneva 2”, nga e cila janë kthyer tani sytë e mbarë botës. Edhe Vatikani e ka shtuar impenjimin e tij dhe është munduar të japë kontributin e vet, si me anë të kontakteve diplomatike, siç qe ai i Sekretarit të Shtetit, imzot Parolin me homologun e tij amerikan Kerry, ashtu edhe me ide e këshilla, siç qenë ato, që dolën nga seminari i së hënës në Akademinë Papnore të Shkencave. Ekspertë të ndryshëm kërkuan të ndërpritet menjëherë dhuna, pasi ky është “hapi i parë drejt pajtimit”. Gjithashtu, Selia e Shenjtë ka kërkuar edhe një herë, me forcë, që të ndalohet furnizimi i Sirisë me armë. Të dëgjojmë Kryetarin e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinali Jean-Louis Tauran, i cili i hapi këto punime:
Po, armët dhe paratë që duhen për të blerë armë, sepse është një burim i pashtershëm: këto para duhet të përdoren për të ndihmuar viktimat...
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, u prit nga Sekretari i Shtetit Imzot Parolin e nga Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, Imzot Dominique Mamberti: a është shenjë se Selia e Shenjtë ka peshë në marrjen e vendimeve të rëndësishme në botë? A e dëgjojnë me të vërtetë zërin e Selisë së Shenjtë?
Ah, që e dëgjojnë po, nuk ka asnjë dyshim. Por që pastaj të vijnë faktet… kjo nuk ndodh gjithmonë. Selia e Shenjtë është fuqi morale, nuk duhet harruar. Është një histori e tërë diplomatike, që ka peshën e vet, kuptohet. E në përgjithësi e dëgjojnë. Popullariteti i madh i Papës Françesku i bën udhëheqësit politikë gjithnjë e më kureshtarë dhe disi të habitur. Kam cituar fjalët e Papës Piu XI në prag të Luftës së dytë Botërore: ishte 24 gushti 1939, rreziku ishte pas dere... “Asgjë nuk shkon dëm me paqen, gjithçka mund të shkojë dëm me luftën”. Po ta kishin dëgjuar mund të ishte shmangur vdekja e miliona njerëzve.
Çfarë ju bëri më tepër përshtypje në seminarin e 13 janarit?
Më ka lënë mbresa atmosfera në të cilën i zhvilluam bisedimet, sepse rrallë herë kam parë kaq shumë miqësi e mirëbesim. Ishte shumë bukur. Takova njerëz me shumë cilësi, specialistë të mëdhenj, të angazhuar për t’i shërbyer njerëzimit dhe çështjes së paqes, pa interes e me përkushtim. Pavarësisht nga konflikti, pavarësisht nga ndasitë, është e rëndësishme të vijojmë rrugën e negociatave dhe të dialogut.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama