HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-01-19 13:00:29
A+ A- Printo artikullin



Imzot Parolin, pas takimit të Papës me Trupin Diplomatik: përparësia e Kishës është shndërrimi i saj misionar



“Nevojitet një impenjim i përbashkët për të favorizuar kulturën e takimit, sepse vetëm ata, që janë në gjendje të shkojnë drejt të tjerëve, janë edhe të aftë të punojnë për paqen. Sa dhimbje, sa dëshpërim, shkakton mbylljen në vetvete”: këto janë disa nga fjalët që tha Papa në takimin e së hënës me Trupin Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë. Ftuam në mikrofonin e Radio Vatikanit, Sekretarin e Shtetit, imzot Pietro Parolin, i cili do të krijohet kardinal nga Papa Françesku, në konçistorin e 22 shkurtit. E pyetëm se ç’mendon për detyrat e diplomacisë, duke u nisur nga shërbimi i tij i rëndësishëm në Kishë:
Jam mëse i vetëdijshëm se shërbimi është mjaft impenjativ, kërkues e plot përgjegjësi. Por, dua të nënvizoj se është edhe apasionues, në këtë epokë të re për Kishën, përuruar nga papnia e Françeskut. Përparësi ka shndërrimi misionar i Kishës, në një Kishë që shkon mes njerëzve, siç thotë Papa, një Kishë në gjendje të përhershme misioni.
Duke përshkruar diplomacinë, Papa Françesku flet për “etikën e solidaritetit dhe utopinë e së mirës”. Komenti juaj?
Në këtë rast, Papa vepron pak a shumë si ndërgjegjja morale e njerëzimit. Unë dua të nënvizoj se në nivelin e diplomacisë, mund të duket sikur thirrjet e Papës nuk marrin përgjigje menjëherë. Në të vërtetë, ekziston dëshirë e madhe për të mirën, ka përpjekje të jashtëzakonshme për të arritur paqen e vërtetë në botë.
Diplomacia duhet të bashkojë jo vetëm popujt, por edhe vetë njerëzit, një e nga një. Sipas jush, cilat janë parimet bazë të një “diplomacie më njerëzore”?
Diplomacia duhet të jetë humane. Pra, duhet të ketë në qendër njeriun: ky është parimi i parë themelor. E Papa Françesku na nxit ta marrim parasysh këtë jo në mënyrë abstrakte – njeriun si kategori abstrakte – por konkrete,… çdo njeri i veçantë duhet të jetë në qendër të veprimtarisë sonë, sidomos të varfërit, të braktisurit, të mënjanuarit, më të brishtët, njerëzit që s’kanë zë. Pastaj, diplomacia duhet orientuar drejt takimit. Shpesh Papa e ka theksuar rëndësinë e kulturës së takimit, pra, të daljes nga izolimi e të takimit me njerëzit, sepse vetëm kështu mund të kuptohemi, ta pranojmë njëri-tjetrin e të bashkëpunojmë. Përveç takimit, aspekt tjetër i rëndësishëm është solidariteti, …duhet ta kemi për zemër gjendjen e tjetrit, të luftojmë kundër kësaj kulture të indiferencës, që Papa e denoncon vazhdimisht. Edhe këtu, edhe një herë, ta kemi për zemër çdo person, një për një, me vuajtjen e tij. Në fund të fundit, mund të themi se parimi i diplomacisë më njerëzore është dashuria, kujdesi për njeriun, dashuria për çdo qenie njerëzore.
Në kuadrin ndërkombëtar, cili është kontributi i veçantë, që mund të japë diplomacia vatikanase? A mund ta zgjerojë horizontin e dialogut e të respektit ndërmjet njerëzve?
Besoj se kjo është detyra jonë, kjo ka qenë gjithnjë detyra e diplomacisë vatikanase. Në këtë kohë konfliktesh, në të cilën bota përjeton shumë probleme e kundërshti, besoj se duhet të nxisim më shumë se kurrë konsolidimin e takimit, të dialogut e të respektit ndërmjet njerëzve. Një nga sfidat kryesore të botës së sotme është të arrijmë që ndryshimet e dallimet politike, kulturore, fetare, të mos bëhen shkak për luftë, por për pasurim të ndërsjelltë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama